Kurti ua bëri të qartë Borrellit dhe Vuçiqit, kryeministrit i vjen përkrahja për dialogun, kështu do të veprojë me Serbinë

Politika

Kurti ua bëri të qartë Borrellit dhe Vuçiqit, kryeministrit i vjen përkrahja për dialogun, kështu do të veprojë me Serbinë

Nga: A.Z Më: 30 prill 2021 Në ora: 11:18
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se në muajin qershor do të rifillojë dialogu me Serbinë.

Duke thënë se dialogu nuk po neglizhohet nga qeveria e tij, Kurti ka bërë të ditur se gjatë muajit maj do të takohet edhe me partitë opozitare në Kosovë për t’u përgatitur për fazën finale të dialogut.

Në lidhje me këtë analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Borrell pas takimit me Vuçiçin, pa pasur konsultime me Qeverinë e Kosovës, deklaroi se në maj do të rifillojë dialogu, prandaj veprimi i Kurtit është i drejtë i cili e hodhi poshtë datën e caktuar nga Borrell dhe i cili deklaroi se dialog mund të fillojë atëherë kur kryeministri të konsultohet me opozitën.

“Ishte shumë e habitshme mënyra se si shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq më 26 prill, pa konsultuar fare kryeministrin as marrë miratimin e Qeverisë së Kosovës të deklaroi apriori nga Brukseli se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të rifillojë më 11 maj. Ndaj në kuadër të parimit të pjesëmarrjes si dy shtete të barabarta në bisedime, kryeministri i vendit z. Kurti me plot të drejtë e hodhi poshtë 11 majin si datë e caktuar nga Borell dhe Serbia, për fillimin e bisedimeve, pa u pyetur as konsultuar paraprakisht fare Kosova. Për aq më tepër, si politikan i vendosur dhe kryeminstër që mbanë përgjegjësi për vendin dhe çështjet madhore të shtetit të Kosovës, z Albin Kurti deklaroi se dialogu mund të rifillojë në qershor dhe vetëm pasi që kryeministri të konsultohet me opozitën në vend për krijimin e një ekipi të përbashkët negociator dhe marrë premtimin për kontributin e opozitës në bisedime, si dhe të informohet më në detaje mbi marrëveshjet e nënshkruara tash e më tepër se tetë vite më parë, por shumica prej të cilave kanë ngelur të shënuara vetëm në letër dhe pa u realizuar në praktikë, asnjëherë nga Serbia”, tha ai.

Tutje, Qarri ka theksuar se pas shumë vitesh, tani Kurti ua bëri me dije se Kosova nuk e neglizhon dialogun dhe se tani duhet të jetë e barabartë, madje duke mos pasur as kushte nga Serbia.

Image
Gani Qarri

Prandaj, si dy shtetet të barabarta në bisedime, Kurti hodhi poshtë 11 majin si datë të përcaktuar nga Borrell dhe Serbia.

“Kështu që për herë të parë, pas mëse 10 vitesh prej se kanë filluar bisedimet me Serbinë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ua bëri me dije përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, emisarit Mirosllav Lajçak si dhe vet Aleksandër Vuçiqit, se nuk është Kosova ajo që e neglizhon dialogun, por si shtet i pavarur, tash e tutje agjenda e bisedimeve duhet të përgatitet në bashkëpunim me Kosovën e cila në dialog do të marr pjesë vetëm si vend i barabartë dhe tash e tutje, nuk mund të vë më kushte, t’i caktojë temat as ta dirigjojë rrjedhën e bisedimeve pa miratimin e Kosovës, Aleksandër Vuçiqi as Serbia. Ndaj në kuadër të parimit të pjesëmarrjes si dy shtete të barabarta në bisedime, z. Kurti hodhi poshtë 11 majin si datë e paracaktuar nga Borell dhe Serbia”, ka shtuar ai.

Sipas Qarrit, e gjitha kjo dëshmon se Qeveria e re, po e merr dialogun më me seriozitet dhe me përgatitje në mënyrën më të duhur se që kishte qenë më parë në krye me Thaçin.

Ai thotë se edhe bashkëpunimi nga mbështetësit profesional me Qeverinë e re në procesin e dialogut, është ndihmesë e madhe dhe e cila nuk ka ndodhur më parë asnjëherë.

“Vet kjo dëshmon se Qeveria e re nuk dëshiron më të shkojë në bisedime me një shtet okupator si Serbia, pa asnjë plan dhe platformë përkatëse, por të përgatitet në mënyrë të duhur dhe pa përsëritur gabimet e së kaluarës, gjë që dëshmon se dialogu po merret shumë më seriozisht se sa, bënte Thaçi & Co në të kaluarën, të cilët i shkonin Vuçiqit pas, si "muça pas daive" duke biseduar, pa asnjë përgatitje, vetëm për çështjet e brendshme të Kosovës, ashtu siç dëshironte vetëm Aleksandër Vuçiqi. Madje në kuadër të përgatitjeve të gjithanshme për bisedime me Serbinë, Qeveria e re ka nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi me Grupin e Ekspertëve për Ballkanin, si dhe angazhimin e tyre në procesin e bisedimeve të cilët do t’i ofrojnë kryeministrit dhe grupit negociator ekspertiza dhe mbështetje përmbajtjesore e profesionale, në procesin e dialogut me Serbinë, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë dhe është ndihmesë e madhe për pjesëmarrësit profesionistë të Kosovës në bisedime me përfaqësuesit e shtetit serb”, theksoi ai.

Më tej, ai ka deklaruar se veprimi i Kurtit ua ka bërë me dije se Kosova do të hyjë në bisedime vetëm si shtet i barabartë, kështu duke mos ua lejuar që Kosova të trajtohet si vend i dorës së dytë. Kështu që bisedimet duhet të fillojnë atëherë kur Kosova do të jetë e gatshme, e jo të vendos Vuçiç siç ka bërë gjithmonë, e kjo dëshmon se Qeveria e re do t’i hedhë poshtë temat që dirigjohen nga Vuçiç.

“Kështu që edhe informimi publik i shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borell nga kryeministri Kurti se nuk do të marrë pjesë në takimin e 11 majit të paralajmëruar nga Josep Borrell pa konsultime paraprake me kryeministrin dhe përfaqësuesit e Republikës së Kosovës, ishte hapi më i duhur dhe i ardhur në kohë dhe momentin më të përshtatshëm , për t`ua bërë me dije, Borellit, Lajçakut dhe Vuçiqit, se Kosova mund të marrë pjesë në bisedime vetëm si shtet i barabartë dhe duke u konsultuar paraprakisht, pa lejuar që shteti ynë të trajtohet si vend i dorës së dytë. Madje kryeministri dhe udhëheqja e re e vendit, po dëshmojnë se do t’i hedhin poshtë agjendat dhe temat e bisedimeve të cilat dirigjohen nga Vuçiqi dhe Serbia, dhe bëjnë të qartë se bisedimet mund të fillojnë jo në maj siç, është mësuar t’i caktojë dhe vendosë datat e takimeve vet Vuçiqi, por vetëm në muajin qershor, atëherë kur Kosova të jetë e gatshme për bisedime, e cila ka mjaft probleme tjera me më shumë rëndësi dhe prioritet sesa një dialog i papërgatitur që i shërben vetëm Serbisë, për hapjen e kapitujve të ri në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit evropian, përderisa BE, nuk e ka miratuar ende as liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke lënë shtetin tonë si të vetmin vend të izoluar totalisht në Ballkanin Jugperëndimor”,përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat