Nënkryetarja e LDK-së flet për “Bota sot”, tregon synimet e partisë dhe deklarohet për “Non paper”

Politika

Nënkryetarja e LDK-së flet për “Bota sot”, tregon synimet e partisë dhe deklarohet për “Non paper”

Nga: M.H Më: 30 prill 2021 Në ora: 16:36
Shqipe Mjekiqi Sadiku

Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës muaj më parë ka zgjedhur Lumir Abdixhikun për kryetar të ri të kësaj partie.

Së bashku me kryetarin, është zgjedhur edhe Kryesia e re e kësaj partie, shkruan gazeta “Bota sot”.

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur nënkryetarja e LDK, Shqipe Mjekiqi Sadiku, e cila tregoi për reformat më të reja në LDK dhe pritshmëritë e saj nga zgjedhjet lokale.

Ajo flet gjithashtu edhe për gjendjen aktuale në vend duke u shprehur se LDK do të jetë opozitë që nuk do i përzihet qeverisë mirëpo do të tregoj kriktikat dhe qëndrimet e saj në lidhje me çështje të ndryshme në vend.

“Populli i Kosovës ka dhënë verdiktin e vet në zgjedhjet e fundit dhe tashmë kemi një qeveri të shumicës e cila ka fuqinë për të quar më tej proceset zhvillimore të vendit. Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndihmuar procesin e formimit të institucioneve duke marrë pjesë në procesin e votimit për Presidenten. Ajo do të vazhdojë të luajë rolin e saj opozitar me konstruktivitet duke mos penguar qeverinë në kryerjen e punëve të saj por, duke mbikëqyrur e kritikuar aty ku ka nevojë, e më shpesh duke dalë me qëndrimet e saj karshi proceseve me rëndësi për Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka thënë Mjekiqi.

Ajo shprehet optimiste për LDK-në, duke pritur që zgjedhjet lokale do të arrijnë të këndellin këtë parti pasi që afërsia e qytetarëve po vërehet në takimet që po mbajmë me ta gjatë këtyre ditëve.

“Rëniet e herë pas hershme janë të natyrshme për secilën parti politike. Është vështirë të mendohet spektri politik në Kosovë pa Lidhjen Demokratike të Kosovës si parti tradicionale, e qendrës së djathtë, me mbi 30 vjet ekzistencë e përvojë politike. Shenjat e para të reformimit të brendshëm tashmë i keni parë – një lidership i ri, që ka marrë për detyrë të kthejë Lidhjen Demokratike të Kosovës duke rritur mbështetjen qytetare’”, theksoi nënkryetarja.

Ndërsa për rënien e LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe ndikimin që kasta e vjetër politike ka pasur, ajo thotë se ka pasur shumë faktorë mirëpo që si LDK do të synojnë që të rikthejnë besimin e qytetarëve në zgjedhjet lokale.

“Ka një mori faktorësh që kanë quar në rënien e mbështetjes për Lidhjen Demokratike të Kosovës por, do ta kemi një pasqyrë më të mirë në momentin që e kemi vlerësuar gjendjen e gjithëmbarshme në nivelin lokal. Si LDK orientimin e kemi kah e ardhmja duke u siguruar që problemet që kanë kontribuar në rëniet e deritashme të mos përsëriten më”, potencoi Mjekiqi.

Ndër të tjera u përmend edhe dokumenti slloven i cili po qarkullon për ndryshim kufijsh, e që sipas saj nuk duhet të merremi me dokumente që nuk njihen zyrtarisht dhe se për këtë gjithashtu qeveria duhet të dalë me një informacion për qytetarët.

“Nuk e shoh të arsyeshme të diskutojmë për disa non-paper që qarkullojnë jo-zyrtarisht nëpër qarqe të ndryshme. Ajo çfarë është me rëndësi është që Qeveria të plotësojë një boshllëk të informacioneve duke njoftuar opinionin publik për qasjen që ka ajo karshi këtij procesi”, nënvizoi ndër të tjera nënkryetarja e LDK-së, për “Bota sot”.

Intervistën e plotë me Shqipe Mjekiqi Sadiku, nënkryetare e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, mund ta lexoni nesër në versionin online në gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat