Kurti përfshinë opozitën në dialog, në Bruksel Kosova e barabartë me Serbinë

Politika

Kurti përfshinë opozitën në dialog, në Bruksel Kosova e barabartë me Serbinë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 30 prill 2021 Në ora: 18:43
Albin Kurti dhe Josep Borrell

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron në Bruksel për vizitë zyrtare, që nga e marta,

Gjatë kësaj vizite, kryeministri Kurti ka zhvilluar takime të shumta më përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian, duke përshirë këtu edhe takimin me Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Gjatë takimit me Borrell-in, Kurti ka treguar se pse e ka refuzuar takimin e 11 majit me Serbinë në Bruksel.

Ai ka thënë ia ka bërë të ditur Borrell, se nuk do të takohet me presidentin serb Aleksandër Vuçiq më 11 maj.

“Pa u pajtuar të gjithë nuk mund të kemi datë të takimit dhe as agjendë të takimit. Unë do të vijë serish në Bruksel, në një darkë pune, organizuar nga Josep Borrell, me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor. Sot shpreha qëndrimin tonë se takimi më 11 maj nuk është në interesin tonë sepse kemi agjendë tjetër, por që kjo të mbahet në qershor. Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për dialog parimor, ku bashkëbiseduesit janë të barabartë. Ne duhet të përgatitemi mirë për dialog”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, Kurti e ka konfirmuar rifillimin e dialogut në muajin qershor, duke shtuar se kanë nevojë për të përgatiten.

“Ka disa korniza kohore që janë vendosur në tavolinë. Ne në kabinetin qeveritar do ta aprovojmë planin qeverisës dhe planin e punës. Pastaj ky plan do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për diskutim. Prandaj ne kemi nevojë të kemi më shumë informacion dhe dokumente rreth marrëveshjeve të arritura të mëparshme në mënyrë që të përgatitemi”, ka theksuar ai.

Më tej, Kurti ka theksuar se do të takohen me partitë opozitare në Kosovë, në mënyrë që të kenë një dialog pa gabime.

“Në të njëjtën kohë ne do të takohemi me partitë opozitare në Kosovë në mënyrë që të kemi edhe mendimet e tyre. Të kemi një dialog me principe dhe mirë të përgatitur. Nuk duam të bëjmë gabime, prandaj përgatitja e mirë do të thotë që e marrim shumë seriozisht. Fillimisht do të kemi këtë takimin e liderëve të Ballkanit perëndimorë këtë darkë pune dhe muajin qershor, diku mund të kemi fillimin e kapitullit tjetër të dialogut me praninë edhe të ndërmjetësueseve të BE-së”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ahmeti: Iniciativa e Kurtit dëshmon seriozitet dhe unifikim

Image
Hidajet Ahmeti

Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se qëndrimi i Kurtit është parimor dhe nëse vazhdohet kështu, Kosova do të jetë e barabartë në dialog.

“Qëndrimi i kryeministrit Kurti lidhur me dialogun është parimor dhe brenda kornizës shtetërore, e cila dëshmon se dialogu Kosovë-Serbi do të merr një kaheje tjetër. Nëse vazhdohet me këtë logjike, Kosova do të jetë palë e barabartë në dialog dhe nuk do të përsëritet logjika e nënshtrimit siç ka ndodhur me tani. Vetëm në këtë mënyrë shteti i Kosovës dhe institucionet e saj mund të dëshmojnë substancën e shtetësisë, që ka munguar deri më sot në raport me Serbinë”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Ahmeti ka treguar se çfarë do të thotë iniciativa e Kurtit për tu koordinuar më opozitën në çështje e dialogut.

“Iniciativa e Kurtit edhe me koordinimin dhe bashkëpunimin me opozitën dëshmon për një seriozitet në këtë çështje dhe unifikim në çështjet që janë me interes të shtetëror”, ka vlerësuar ai.

Po ashtu, ai ka treguar se çfarë duhet të bëjë opozita në këtë rast.

“Opozita nuk duhet të injorohet, por duhet të jetë palë e barabartë në dialog dhe të jetë e përfaqësuar në ekipin negociator. Kjo do të ishte një mundësi e mirë për një përfaqësim sa më të mirë e dinjitetshëm në dialogun Kosovë –Serbi”, ka deklaruar Ahmeti për “Bota sot”.

Krasniqi: Kosova ka pasur nevojë për një platformë të përgatitur mirë për dialog

Image
Islam Krasniqi

Kurse, analisti politik Islam Krasniqi, në nja bashkëbisedim për “Bota sot”, e ka mirëpritur këtë platformë për dialogun.

“Gjithmonë kemi pasur nevojë për një platformë të përgatitur mirë më të cilën do të merrni pjesë në dialog, pasi që çdo gabim do të na kushtoj”, ka thënë ai.

Po ashtu, Krasniqi ka thënë se iniciativa e Kurtit për dialog tregon se Qeveria e Kosovës është duke u përgatitur që në Bruksel si shtet i barabartë.

“Ideja e kryeministrit z.Kurti që të bisedojë me partitë opozitare gjithashtu tregon së Qeveria e Kosovës është duke u përgatitur që në Bruksel të mos jetë kokë ulur por që të përfaqësohet me dinjitet dhe si shtet i barabartë duke i treguar edhe BE-së së gjerat kanë ndryshuar, siç ishte edhe refuzimi i një takimi që z.Borrell së bashku me kryeministrin serb e caktuan në Bruksel në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, duke e injoruar Republikën e Kosovës e që z.Kurti ju tregoi vendin”, ka potencuar Krasniqi për “Bota sot”.

Duhanaj: Kurti nuk ka alternativë tjetër pos dialogut

Image
Leon Duhanaj

Ndërkaq, analisti tjetër politik, Leon Duhanaj, për “Bota sot”, ka thënë se Kryeministri Kurti është i obliguar të jetë pjesë e dialogut dhe se nëse ai ka kërkuar me shumë kohë në proces, kjo nuk është gjë e keqe nëse dëshiron të përgatitet.

“Kryeministri Kurti, për dallim prej kohërave kur çdo pohim për dialog e cilësonte si tradhti kombëtare, tashmë është në pozitë nga e cila duhet t'i prijë këtij dialogu. Pra, tani ai është i obliguar dhe nuk ka zgjidhje tjetër. Kryeministri Kurti tani nuk ka alternativë tjetër pos dialogut. Pra, ajo çfarë kërkohet tani nga ai, është serioziteti në ketë aktivitet. Nëse z. Kurti ka kërkuar me shumë kohë në proces, kjo nuk është gjë e keqe nga njëra anë, nëse dëshiron të përgatitet. E keqe është pse z. Kurti nuk ka strategji e as platformë për ketë temë. Sepse nëse ai tani nuk ka platformë, po e dëshmon se i tërë aktiviteti i tij i mëhershëm, ka qenë i pabazuar dhe i pa studiuar, por krejt destruktiviteti i tij ka qenë luftë për pushtet, qoftë edhe duke rrezikuar interesin kombëtarë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Duhanaj nuk beson se Kurti do të kërkojë bashkëpunim ndërinstitucional e ndërpartiak në mënyrë që ketë proces ta përmbyllim me fitore për Kosovën.

“Megjithatë, nëse z. Kurti tani kërkon kohë për të qenë më i përgatitur, është në rregull. Ajo çfarë nuk kishte me qenë në rregull, do të ishte nëse z. Kurti fillon lojën e tij të kalkulimeve dhe shtyrjen e temave e bën kinse unë nuk i lejoj ata që të ma caktojnë agjendën, çfarë edhe e ka bërë në vazhdimësi në raporte të politikës së brendshme. Nëse z. Kurti e bën ketë dhe sjellja e tij konsiderohet destruktive karshi procesit, atëherë ky kishte me qenë dëmi më i madh që do të mund t'i bëhej Kosovës. Unë, megjithatë nuk po dua të besoj se e bën një gjë të tillë dhe se Qeveria do të kërkojë bashkëpunim ndërinstitucional e ndërpartiak në mënyrë që ketë proces ta përmbyllim me fitore për Kosovën”, ka përfunduar Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat