Grupi i ekspertëve në dialog, analistët tregojnë rëndësinë dhe kontributin e tij

Politika

Grupi i ekspertëve në dialog, analistët tregojnë rëndësinë dhe kontributin e tij

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 30 prill 2021 Në ora: 21:12
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se në muajin qershor do të rifillojë dialogu me Serbinë.

Qeveria e Kosovës, Grupi për Ballkan dhe Ambasada e Norvegjisë në Kosovë kanë nënshkruar një memorandum.

Memorandum ky i cili përcakton modalitetet e angazhimit të ekspertëve në procesin e dialogut me Serbinë.

Grupi për Ballkan (BPRG) përmes një njoftimi ka bërë të ditur se vazhdon të ofrojë mbështetje për institucionet e Republikës së Kosovës në fushat thelbësore të shtet-ndërtimit, për forcimin e institucioneve dhe politik-bërjen, reformat që ndërlidhen me agjendat evropiane, zhvillimin e dialogut me Serbinë dhe bashkëpunimin politik.

“Ekspertët e angazhuar ofrojnë ekspertizë, mbështetje profesionale dhe përmbajtjesore për procesin e dialogut, dhe i vihen në dispozicion Kryeministrit, kabinetit të tij dhe Zëvendëskryeministrit për Integrime evropiane, Zhvillim dhe Dialog. Ekspertët e jashtëm nuk kanë rol përfaqësues apo udhëheqës dhe kontraktohen vetëm nga Grupi për Ballkan”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje tregohet se këta ekspertë janë: Bernard Nikaj, Leon Malazogu, Robert Muharremi, Muhamet Mustafa, Veton Surroi. Së shpejti grupit të ekspertëve, pritet t’i bashkohet edhe Blerim Shala. Ekspertë të tjerë mund të ftohen dhe angazhohen varësisht nevojave të qeverisë dhe dinamikës së procesit të dialogut.

Por, si komentohet përfshirja e këtij grupi të ekspertëve në dialog? A është e nevojshme përfshirja e tyre?

Këtë e kanë komentuar edhe disa njohës të çështjeve politike.

“Grupi i ekspertëve, nuk do ta lë Kurtin të bëjë gabime”

Image
Islam Krasniqi

Analisti politik, Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se përderisa kemi arritur në finale, grupi i ekspertëve është i rëndësishëm, madje kanë edhe njohuri duke e pasur edhe parasysh faktin që Kurti nuk ka eksperiencë në dialog.

Krasniqi tutje është shprehur se këta do ta ndihmojnë Kurtin të mos bëjë gabime, siç jemi mësuar t’i shohim në Fusnota, Asociacione e në shumë të tjera.

“Grupi i ekspertëve të cilët do të përfshihen në dialog është shumë i rëndësishëm, pasi që tani kemi arritur në finale duke u bazuar gjithmonë në ndihmën e ShBA-ve, pasi që z.Biden është duke na mbështetur pa kushte. Kryeministri Kurti e ka nisur mirë këtë proces, sepse vetë nuk ka ndonjë eksperiencë në dialog dhe ekspertët e caktuar janë shumë të qëlluar të cilët kanë njohuri për lëmitë e caktuara disa prej të cilëve kanë qenë pjesë e negociatave që nga Rambujesë. Ky grup ekspertësh mund ta ndihmojnë procesin e dialogun shumë, duke mos e lërë kryeministrin të bëjë gabime siç jemi mësuar t’i shohim më parë, siç ishin Fusnota, aprovimi i strukturave paralele në institucionet shtetërore, asociacioni etj ejt, andaj ky grup mund të ndihmojë qeverinë se edhe ku të vendos pikën dhe presjen, e jo të shkohet me duar në xhepa dhe të pikturojnë në fleta të zbrazëta”, deklaroi Krasniqi për “Bota sot”.

"Një grup i përgatitur për të mos iu shpëtuar asgjë"

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa profesori dhe juristi, Muhamet Kelmendi, ka theksuar se juridikisht dialogu udhëhiqet nga Kryeministri, por e domosdoshme është që të përfshihen edhe përfaqësuesit nga skena politike si dhe ekspertë të fushave të ndryshme, sepse krijohet një përfaqësim më i fortë i Kosovës i cili do të jetë edhe më i suksesshëm.

“Kosova duhet të përfaqësohet nga një grup profesional i udhëhequr nga Kryeministri. Juridikisht udhëhiqet dialogu nga Kryeministri i Republikës së Kosovës. Ai nuk mundet askush dhe nga asnjë nivel të zëvendësohet. Kjo është vërtetuar edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2019, në kohën e Qeverisë Haradinaj. Kuptohet dhe madje është e domosdoshme që në grupin punues të përfshihen edhe përfaqësuesit nga skena politike e Kosovës të përfaqësuar në Kuvend, shoqëria civile dhe nga ekspertët e fushave të ndryshme. Me këtë përfaqësim krijohet një bazament i fortë dhe i aftë përfaqësues i Kosovës në Bruksel. Kuptohet se një përfaqësim i kualifikuar është shumë më i suksesshëm se një përfaqësim nga njerëzit e papërgatitur, thjeshtë pse janë në pozitë dhe e udhëheqin Republikën”, ka thënë ai.

Më tej ka shtuar se pala tjetër synim do të ketë ndarjen e Kosovës apo edhe ndonjë luftë të re, pra kjo bënë që Kosova të jetë e përgatitur, sepse të gjitha pikësynimet janë të rrezikshme për të.

Kelmendi thotë se në të gjitha fushat, Kosova ka kuadro prandaj duhet fituar të gjitha betejat.

“Mirëpo, përfaqësimi i tillë nuk ndikon në anën e palës tjetër, sepse as ata nuk vijnë në dialogim pa përgatitje dhe natyrisht se pikësynimi i tyre është autonomia për serbët ose ndarja e Kosovës. Të dy këto pikësynime janë të rrezikshme dhe me fakte duhet të tregohen si nxitëse të një lufte të re në Ballkan. Madje kjo e obligon Kosovën që të ketë një grup shumë të përgatitur në mënyrë që asgjë mos të shpëton. Thënia e vjetër: "Betejat i kemi fituar, por në tavolinë e kemi humbur luftën", kurrë më nuk guxojë ta përcjellë kombin tonë. Edhe betejat edhe luftën duhet fituar. Kjo është koha e shqiptarëve dhe assesi nuk lëshohet. Shqiptarët kanë kuadro të të gjitha fushave. Ata duhet lypur dhe i gjejnë. Me atë përfaqësim nuk ka humbje Republika”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat