Kërkohet reflektimi i opozitës shqiptare pas humbjes nga Edi Rama

Politika

Kërkohet reflektimi i opozitës shqiptare pas humbjes nga Edi Rama

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 1 maj 2021 Në ora: 08:27
Ilustrim

Të dielën në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Në këto zgjedhje fitues doli Partia Socialiste, e cila udhëhiqet nga Edi Rama.

Me ketë fitore, Rama do të kthehet sërish në kryeministrinë shqiptare.

Edhe pse rezultatin final nuk e ka certifikuar Komisioni  Qendror Zgjedhor, kjo nuk i ndaloi Ramën dhe përkrahësit e tij që të dalin e ta festojnë këtë fitore.

Në anën tjetër, opozita shqiptare po vazhdon me akuza ndaj partisë fituese, duke thënë se ka pasur shit-blerje të votave.

Ndërkaq, ekspertët kanë komentuar rezultatet e këtyre zgjedhjeve, duke përmendur arsyet që e çuan Ramën në fitore dhe arsyet se pse partitë tjera mbeten sërish në opozitës.

Sipas tyre, disa nga arsyet janë fushata jo e mire politike, qëndrimi i partive opozitare karshi disa temave të caktuara, si dhe djegia e mandateve . 

Vata: Opozita ka vrarë shpresën dhe besimin e njerëzve për të qeverisur

Analisti politik nga Shqipëria, Ilir Vata në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar procesin zgjedhor në Shqipëri.

Image
Ilir Vata

Ai ka thënë se ka treguar se sistemi elektoral në Shqipëri ka dy pragje, prag elektoral dhe prag kombëtar.

“Zgjedhjet në Shqipëri kaluan një sforco ligjore në betejë për të reformuar sistemin zgjedhorë në Shqipëri.  Në fakt, në emër të reformës elektorale u cungua më shumë e drejta politike e partive për të qenë të barabartë në garë elektorale, sepse u prekën dy nenë të kushtetutës për të hequr koalicione parazgjedhore, çfarë e bëri më të vështirë bashkëpunimin politik, dhe kjo është një nga elementë pse opozita humbi. Sistemi elektoral në Shqipëri ka dy pragje, prag elektoral dhe prag kombëtar, pra proporcional rajonal me prag kombëtar, çfarë i bënë partitë e vogla të pa përfaqësuar politikisht, pasi vota e tyre mbetet pa përfaqësim politik. Por ndodhi ajo që pritej,  PS-PD bashkëpunojnë historikisht për kodin elektoral, duke parë interesat e tyre politike, ose më mirë garantimin e pushteti nga një palë në tjetër, kështu ka ndodhur 30 vite”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka shpjeguar se çfarë ka ndodhur me heqjen e koalicioneve, dhe a janë këto të vetmet shkaqe që kanë ndikuar në humbjen e opozitës.

“Në këtë kontekst, marrëveshja e 5 qershorit ishe një marrëveshje që e bënte opozitë jo të favorshme në zgjedhje, sepse heqja e koalicioneve e zhveshtë PD nga mundësia e maksimizimit të votave, pasi partitë e vogla ishin garancia e ndryshimit politike, apo garantimit të rrotacionit. Por nuk është vetëm kjo, opozita prej kohësh lëngon sepse ka një sërë problemesh të mbartura. E para lideri  Basha është një politikan i ri që mentor ka politikën e vjetër, ose ish liderin historik të PD-së, çfarë e bënë atë një lider me dy karaktere, një që të turre, dhe një që tërhiqet. E dyta, PD ka pasur votues të përhershëm të përndjekurit dhe pronarët, por 30 vite kanë qenë të mjaftueshme të binde se PD i ka denigrua ata, pra e djathta reale, ose klasa e përmbysur e diktaturës nuk voton më PD, hesht, nuk merr pjesë në votime apo inteveron me parti të tjera politik, pra PD i ka ikur shtresa sociale që e mbështeste, tani ka ngelur parti e djathtë vetëm me fjalë, por në thelb ajo është parti e majtë, apo nga qendra majtas”, është shprehur Vata.

Sipas tij, lideri i opozitës, Lulzim Basha kishte bërë marrëveshje me LSI-në dhe në listën e PD-së kishte futur disa krerë të partive politike që vijnë nga e majta.

“Një tjetër arsye është se Lideri i opozitës Basha bëri koalicion më LSI, një tjetër parti e majtë por që mbanë peshën e përgjegjësisë të qeverisë në mandatin e parë, një parti që parazitin mbi pushtetin që u rritë në zgjedhjet e shkuara duke kandiduar në lista e PD-së, por kësaj radhe ra në nivelin e saj historik 5-6 mandate që janë të mjaftueshme për Pazar politik. Po ashtu, PD në mungesë të koalicionit parazgjedhor futi në listë disa krerë të partive politike që vijnë nga e majta kryesish, parti që nuk marrin dot mandat në vet, por nuk arriti të bashkojë opozitë në tërësinë e saj që të ishte një trupë kundër pushteti”, ka  treguar ai.

Ndërkaq, Vata ka hedhur kritika ndaj Bashës si dhe partisë pasi nuk mbajtën qëndrim e duhur në disa tema të caktuara.

Ai ka cekur se në garë ishin kryesisht tre parti të majta, PS-PD dhe LSI, e djathta në Shqipëri nuk ekziston dhe ku është një rrezik edhe për vetë demokracinë

“Kandidatë për deputetë të PD-së u përzgjodhën në bazë por u gjykuan nga një komision aspak i besueshëm, nga ish-Presidenti që është kryetar i Këshillit Kombëtarë, por që nuk gëzon respektin e demokratëve, sepse është një nga persona kur Tirana u ngrit të rrëzonte diktaturë, ai mbante bustin e diktatorit në sup, dhe heqja e shumë kandidatëve solli përçarje në bazë. Po ashtu mendohet se lideri i opozitës i shet vendet e kandidatëve për deputet, pra bënë treg me postin e tij, sepse e konsideron Partinë Demokratike si lopa që ushqen disa familje dhe jo familjen e madhe të demokratëve dhe shqiptarët në tërësi. PD nuk ka mbaj qëndrimin e duhur për prona, ose është partia që ka mbaj në fuqi ligjin famëkeq 7051, nuk ka bërë dekomunistizimin e vendi, nuk dëmshpërbleu të përndjekuri politike, pasi për 25 vite u ka dhënë vetëm dy këste, këto e kanë bërë që PD të zhvishet nga e djathta. Pra në garë ishin kryesisht tre parti të majta, PS-PD dhe LSI, e djathta në Shqipëri nuk ekziston dhe ku është një rrezik edhe për vetë demokracinë”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Vata ka treguar shkaqet se pse humben zgjedhjet opozita në Shqipëri dhe pse doli fitues Rama.

“Më e rëndësishme për humbjen e opozitës ishte përballë një kundërshtarë karizmatik, si Edi Rama që bënë politikan modern mes të majtës dhe të djathtës, por duke ditur se të majtë janë ushtarë të votës së tyre sepse ata janë ish partia e diktatorit e rinovuar”, ka deklaruar Ilir Vata.

Ai thekson se Rama nuk ka fituar, por ka humbur opozita.

“Pra nuk ka fituar Rama realisht, por ka humbur opozita sërish sepse shqiptarët nuk besojnë më të një opozitë që vret besimin e tyre”, ka cekur ai.

Më tej, Vata përmendur disa nga gabimet e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, duke cekur edhe si shkak edhe djegën e mandateve.

“Të gjithë kësaj panorame i shtohen gabimet e herë pas herë të lideri të opozitës. E para nuk mori pjesë në reformën administrative territoriale, çfarë partia në pushte i shkriu bastionet e PD-së. Beri protesta me çadër në emër të një Republike të Re që doli dështim politik. Doli nga parlamenti dhe dogji mandate e deputeti duke i lënë fushë të lirë kundërshtari të kishte pushtet më të madh institucional, pra opozita braktisi rolin e saj kontrollin e qeverisë, nuk mori pjesë në zgjedhje të pushteti lokal, pra braktisi pushtetin vendor dhe më të gjitha këto humbjen e kishte të garantuar, dhe do vazhdojë të pasojë humbje edhe në zgjedhje pas dy vitesh nëse nuk fillon që partinë të ua kthej demokratëve, të rinjve. Pra është opozita që e mban në pushtet Ramë sepse shqiptarët kanë humbur besimin te opozita dhe lideri Basha”, ka përfunduar Vata për “Bota sot”.

Mehazi tregon katër shkaqet që e dërguan Ramën drejt fitores

Ndërkaq, profesori Sulejman Mehazi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se njëra ndër arsyet e fitores së PS është fushata e gabuar e opozitës.

“Fitorja e Edi Ramës nuk erdhi rastësisht, shkaqet e fitores së Ramës janë të shumta, një, fushata e gabuar e opozitës e bëri që PS-ja e Ramës të fitojë lehtësisht, sidomos, vlen të përmendim fjalorin e ashpër politik të Sali Berishës dhe Ilir Metës, që gjatë fushatës zgjedhore më shumë dëmtonin PD-në e LSI-në sesa që ndihmonin partitë e tyre. Lulzim Basha gjatë kampanjës zgjedhore ishte më i matur e më i kujdesshëm”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Një shkak tjetër, sipas Mehazit është se shumica e qytetarëve të Shqipërisë ende e kanë atë frymën e mentalitetit monist të Enver Hoxhës.

“Shkaku i dytë është se shumica e qytetarëve të Shqipërisë ende e kanë atë frymën e mentalitetit monist të Enver Hoxhës dhe se më shumë janë përkrahës të pushtetit, kundruall qytetarëve shumicë të Kosovës që më shumë e kanë të ngulitur në shpirt frymën opozitare sesa pushtetarë”, ka theksuar profesori.

Po ashtu, Mehazi ka treguar edhe dy shkaqe tjera të cilat e dërguan Ramën drejt në fitores, e opozitën drejtë humbjes.

“Shkaku i tretë i fitores së Edi Ramës është se partitë opozitare duhet si e qysh të reformohen rrënjësisht me një gjeneratë të re pas komuniste e kurrsesi me humbësit e mëdhenj të tipave të Ilir Metave, Sali Berishave, të cilët janë skaduesit politik të partive opozitare.

Shkaku i katër është se qytetarët e Shqipërisë kanë përkrahur idenë e Mini-shengeni të Ramës me Vuçiqin sesa idenë e Albin Kurtit për bashkimin kombëtar” , ka deklaruar Mehazi për “Bota sot”.

Mehmeti: PD të reflektojë

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”, ka treguar dy faktet kryesore që ka ndikuar në humbjen e opozitës shqiptare në zgjedhjet e së dielës.

“Janë dy faktorë kryesor që kanë ndikuar që opozita të dështojë në zgjedhjet e së dielën. Së pari bojkotimi i zgjedhjeve lokale, aty ku Edi Rama i mori të gjitha bashkitë e vendit, kanë dikuar dukshëm, meqenëse krejt administrata ka votuar për PD, kështu që PD  nuk ka pasur asnjë mekanizëm shtetëror në këto zgjedhje dhe kjo ka ndikuar dukshëm. Në anën tjetër ka ndikuar afërsia me LSI, një pari e zhytur në krim dhe korrupsion dhe që njihet si parti klienteliste. Kjo ka shtuar frikën e votuesve për të votuar PD, duke ditur se me këtë do të rikthehet edhe LSI në pushtet. Pa hequr këtu edhe faktin tjetër se PS ka pasur paratë e shteti që ka vënë në funksion dhe tëre aparatin shtetëror”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas Mehmetit, opozita shqiptare duhet që të reflektojë për gabimet e saj, në  mënyrë që të rikthehet në pushtet.

“Opozita duhet të reflektojë për gabimet e veta, dhe kështu që të hapet për njerëz të rinj, por edhe të largohet nga bashkëpunimi me LSI. Kështu, besoj se pas 4 vitesh PD rikthehet në pushtet, ndryshe do të rrijë kohë të gjatë në opozitë”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat