Në Bruksel, Albin Kurti u shfaq kryeministër i një shteti të pavarur

Politika

Në Bruksel, Albin Kurti u shfaq kryeministër i një shteti të pavarur

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 1 maj 2021 Në ora: 10:59
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ka qëndruar në Bruksel për vizitë zyrtare, ku ka zhvilluar takimet me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë adresimit në Komunitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian ka prezantuar katër hapat për rifillimin e dialogut me Serbinë.

Kreu i ekzekutivit në Bruksel tha se dialogu duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë në raport me palën serbe.

Në këtë fjalim, Kurti ka renditur disa kushtet për të bërë dialog me Serbinë. Në mesin e këtyre kushteve ka qenë edhe pranimi i krimeve nga Serbia.

“Serbia duhet të pranojë krimet e së kaluarës. Për të ndaluar gjenocidin, NATO është dashur ta bombardojë Beogradin sepse ishte Beogradi me regjimin e Millosheviqit që kishte kryer gjenocid në Kosovë. Ishte aparat shtetëror me zyrtar qeveritar e me zinxhir komande. Edhe pas luftës në Kosovës edhe regjimit të Millosheviqit, Qeveria e re nuk është distancuar asnjëherë nga Sllobodan Millosheviqi dhe krimet e tij të luftës”, ka thënë Kurti.

Pas këtij fjalimi pati reagimi të shumta, duke e lavdëruar Kurtin për atë.

Njohës të çështjeve politike e kanë komentuar këtë për gazetën "Bota sot".

Kurti u shfaq kryeministër i një shteti të pavarur

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Profesori universitar, Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, vizitën e Kurtit dhe takimet me përfaqësuesit e lartë, thotë se janë pjesë e protokollit dhe i quan dezhavu të vizitave të kryeministrave në Bruksel.

Sipas tij, ajo që ra më së shumti në sy ishte paraqitja e Kurtit si kryeministër i një shteti të pavarur, i cili nuk lejoi që Vuçiç ta diktonte rinisjen e dialogut.

"Kryeministri i Kosovës bëri vizitën e parë të tij në Bruksel. Qëndroi në dy qendrat e botës euro-atlantike, në Komisionin dhe Parlamentin Europian dhe në Qendrën e NATO-s. U takua me përfaqësues të lartë të këtyre institucioneve. Por, të gjitha këto ishin pjesë e protokollit dhe si të tilla janë një dezhavu e vizitave të kryeministrave dhe presidentëve në Bruksel. Ajo që ra në sy në këtë vizitë ka të bëjë me performancën e tij. Ai u shfaq në të gjitha rastet me autoritetin e kryeministrit të një shteti të pavarur. Mbi të gjitha nuk pranoi që agjendën e tij ta diktojë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ai nuk pranoi që rinisjen e dialogut ta diktonte Vuçiç. Dhe për këtë refuzoi edhe shefin e Politikave të Jashtme dhe të Sigurisë në BE, zotin Borrell. Me argumente e shtyu ditën e nisjes së bisedimeve Kosovë-Serbi për së paku një muaj, nga sa ishte parashikuar", është shprehur ai.

Këto Bytyçi i quan suksese në dukje, madje ai thotë se gjatë kësaj, Kurti ua bëri të qartë se nuk ka më shumë lëshime se sa nga ato të Pakos së Ahtisarit, e cila ka të bëjë me për ndryshimin e kushtetutës, sepse Kushtetuta e Kosovës është një konsensus i plotë në mes Kosovë dhe Serbisë, por edhe e vendeve të BE-së dhe SHBA-ve.

“Mos të harrojmë: Këto janë suksese shumë anësore në dukje, por që japin mesazhe të mëdha për përformancën në bisedime të delegacionit të Kosovës. Nga ana tjetër zoti Kurti, si askush tjetër para tij, i bëri të njohura kushtet e dialogut, pikërisht tek ata që e ndërmjetësojnë atë, në BE. Si në bisedimet me krerët e BE-së edhe në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, kryeministri Kurti përcaktoi qartë se cilat do të jenë këto parime: 1. Ai bëri të qartë se në dialog nuk mund të kthehet periudha e para pavarësisë. Kjo do të thotë se nuk ka lëshime më tepër sesa ato lëshime që i parashikon pakoja e Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës e bazuar në atë pako. Kjo do të thotë se nuk do të ketë bisedime për ndryshime kushtetuese, sepse Kushtetuta e Kosovës nuk është ai ajo e Serbisë, e ndërtuar nga koncepte nacionaliste dhe ultrashoviniste. Kushtetuta e Kosovës është produkt i një konsensusi të plotë midis Kosovës dhe vendeve të BE-së dhe SHBA-ve, madje edhe me ish-sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, ku pakoja e Ahtisaarit u depozitua. Kjo do të thotë se Kushtetuta e Kosovës është moderne dhe produkt i një politikani e diplomati të nderuar me çmimin Nobel, pikërisht për kontributin e tij për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, Martti Ahtisaari. Kthim nga kjo nuk ka e nuk mund të ketë”, theksoi ai.

Tutje, ai ka vlerësuar se ndër parimet të cilat i ka përmendur Kurti kanë qenë edhe njohja e Serbisë për krimet në Kosovë, e cila është kusht për zgjedhjen e konflikteve, si dhe për të mos diskutuar çështjet e sovranitetit dhe kushtetutës sepse janë të pacenueshme.

Për Bytyçin, ishte një gabim që e kishte bërë Kurti, i cili para mediave ka deklaruar se më shumë mësoi për dialogun në Bruksel se në Prishtinë, kjo e cila, sipas Bytyçit, Kurti do të ishte dashur që ta ngrinte zërin vetëm atëherë kur nuk do të mund ta merrte informacionin në Kosovë.

“2. Parimi i dytë, të cilin zoti Kurti e theksoi në Bruksel ka të bëjë me njohjen nga ana e Serbisë dhe e BE-së të krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit serb në Kosovë. Vetëm në këtë rast do të kishte dhe do të ketë rezultat pozitiv në bisedimet midis palëve. Pranimi i të vërtetës është kusht i domosdoshëm në zgjidhjen e të gjitha konflikteve në botë. Pa pranuar të vërtetën që ka ndodhur, kurrë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë pajtim dhe paqe. Kështu do të ndodhë edhe në zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Albin Kurti, ndryshe nga Hashim Thaçi, bëri atë që duhej. 3. Kushti që delegacioni i Kosovës të ulej si i barabartë në tavolinën e bisedimeve jep garanci për të mos diskutuar në tryezë, çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e Kosovës. Këtë çështje Kurti e parashtroi në të gjitha takimet dhe të gjithëve u bëri të qartë se sovraniteti dhe kushtetuta janë të pacenueshme. 4. Dhe së katërti, kryeministri i Kosovës ka thënë se çdo marrëveshje do të duhet të adresojë interesat e qytetarëve. I vetmi gabim i zotit Kurti në këtë vizitë ishte deklarimi i tij në konferencë para gazetarëve lidhur me raportin e tij me dialogun, kur tha se “Më shumë mësoi për këtë në Bruksel, sesa në Prishtinë nga paraardhësi i tij”! Nuk e di, por kjo për mua ishte e papranueshme dhe jo etike. Edhe për shkak se ai do të duhej ta kërkonte informacionin në Kosovë e nëse nuk i jepej të ngrinte zërin në Kosovë”, ka deklaruar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Kosovës i duhen politikanë si Kurti

Image
Adem Bytyçi

Ndërsa, analisti Adem Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se paraqitja e Kurtit ka qenë dinjitoze dhe se ua bëri të qartë se Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën kriminale dhe t’i kërkojë falje popullit të Kosovës.

Ndërsa, lidhur me kritikat që i janë bërë Kurtit nga partitë opozitare, Bytyçi thotë se janë të trishtueshme, sepse në vend që ta përkrahin, e kundërshtojnë.

“Paraqitja e z.Kurti ,në Bruksel dhe në Parlamentin Europian ka qenë shumë dinjitoze. Kosovës i duhen Kryeministra dhe politikanë të kalibrit të z.Albin Kurtit, i cili di dhe mundet që në mënyrën më të mirë t'i mbrojë interesat e Kosovës në forumet ndërkombëtare. Kurti edhe në takimin me Borrell edhe në Parlamentin Europian në komunitetin për punë të jashtme e bëri të qartë se Serbia para së gjithashtu duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale dhe t'i kërkojë ndjesë popullit të Kosovës për krimet makabre dhe gjenocidin të cilën e kishte bërë kundër popullatës së Kosovës .Kritikat e partive opozitare lidhur me vizitën e Kurtit në Bruksel dhe takimin e Kurtit me Burrel dhe diskutimin e tij në Parlamentin Europian, janë të trishtueshme dhe tani më të dala boje. Opozita në vend që të kontribuojë në përfundimin e negociatave Kosovë‐Serbi, sa më në favor të Kosovës, e kundërshtojnë z.Kurti", ka deklaruar Adem Bytyçi për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat