Porosia e ‘fshehtë’ e urimit 'special' të Kurtit për Ramën

Politika

Porosia e ‘fshehtë’ e urimit 'special' të Kurtit për Ramën

Arife Morina Nga Arife Morina Më 1 maj 2021 Në ora: 20:56
Albin Kurti dhe Edi Rama

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama doli fitues, duke e marrë mandatin e tretë radhazi. Mirëpo, për dallim nga Kosova në Shqipëri, zgjedhjet u shoqëruan me tensione, akuza për blerje të votave, ndryshim të numrave, etj.

Kryeministri Rama është i njohur për afërsinë me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ‘largësinë’ me kryeministrin aktual, Albin Kurti.

Rama dhe Kurti njihen se nuk kanë shumë raporte miqësore, ku dihet se shpeshherë nuk janë pajtuar për tema me rëndësi të madhe politike për rajoni, rasti i formimit të Minishengenit Ballkanik.

Duke parë, raportet e ftohta në mes dy kryeministrave shqiptarë, pasi fitores së Ramës filluan të qarkullonin informata s Kurti nuk do t’ia urojë fitoren.

Mirëpo, ndodhi e kundërta pas kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e përgëzoi kryeministrin shqiptar Edi Rama për fitoren e tij në zgjedhjet e parlamentare, të mbajtura më 25 prill në Shqipëri

Kurti në një shkrim në rrjetet sociale, theksoi se sipas rezultateve paraprake të shpallura nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) në Republikën e Shqipërisë, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ka fituar zgjedhjet parlamentare.

"Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t'i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies", shkroi Kurti.

Njëkohësisht, kryeministri Kurti ka uruar që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që "askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese".

"Këto janë pritshmëritë e shqiptarëve, andaj, të punojmë së bashku", përfundoi Kurti.

Ky urim i Kurtit, u komentua mjaft shumë duke analistët dhe politikanët e ndryshëm, por një gjë të tillë refuzoi ta bënte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ndërsa, njohësit e çështjeve politike për gazetën “Bota sot” komentuan porosinë e urimit të Kurtit për Ramën, zhvillimin e raporteve bilaterale dhe rritjen e nivelit bashkëpunues në mes dy shteteve.

Qarri: Urimi i Kurtit për Ramën, nuk është urim i thjeshtë

Image
Gani Qarri

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar fitoren e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në zgjedhjet parlamentare dhe raportin e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Qarri përmendi faktin se në të gjitha shtetet e rajonit, përfshirë edhe Kosovën ndërrohen pushtetet, vetëm në Shqipëri (Edi Rama) dhe Serbi (Aleksandër Vuçiq), nuk ka mendësi e fuqi që e ndryshon pushtetin.

“Përderisa në Kosovë dhe shtetet e rajonit, ndodhë të ndërrohen pushtetet dhe të fitojë edhe opozita, për dallim nga gjithë të tjerët, vetëm në Serbinë e ish radikalit dhe ministrit të Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq dhe Shqipërinë e komunisto-socialistit Edvin Kristaq Rama, nuk ka metodë as fuqi ta ndryshojë mendësinë as pushtetin dhe gjithmonë dalin "fitues" vetëm tandemi i miqve Vuçiq dhe Rama”, deklaroi ai.

Sipas tij, në zgjedhjet e 25 prillit, u vërtetua se paraja në kombinim me pushtetin, e mban në krye të vendit dhe i jep qeverisje të pafund “Edvin Kristaq Ramës”.

“Madje përkundër një qeverisje të gjatë e tërësisht konfuze, ku Shqipëria 3 vitet e fundit nuk kishte as Gjykatë Kushtetuese dhe mungonte tërësisht, prania e partive opozitare në parlament, u vërtetua se paraja, siç thotë anekdota popullore, jo vetëm që çon “ujin përpjetë”, por në rastin e Shqipërisë, në kombinim me pushtetin, ajo mbanë në krye të vendit dhe qeverisje të pafund edhe Edvin Kristaq Ramën, gjë që u vërtetua edhe me zgjedhjet e 25 prillit, ku në bazë të rezultatit përfundimtar fituese doli të jetë sërish PS, e Edvin Ramës”, nënvizoi Qarri.

Tutje, ai duke përmendur dështimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Parlamentin Evropian, mbeti i befasuar se si përkundër mendësisë moderne, arriti të fitojë i njëjti pushtet i korruptuar.

“Për aq më tepër megjithëse funksionalizimi i Gjykatës Kushtetuese në vend, ishte pika e parë në krye të listës prej 15 pikash, që vendet e BE-së si Gjermania, Franca, Spanja, Holanda Danimarka dhe mbarë Këshilli Evropian në vijimësi kanë kërkuar nga Shqipëria, si kusht për fillimin e negociatave për anëtarësim, gjë që u bë pengesa kryesore edhe për votimin pro Shqipërisë, në Parlamentin Evropian, jo vetëm se është shumë e habitshme, por edhe plotësisht e pakuptueshme për mendësinë moderne pluraliste të demokracisë së përparuar evropiane, se si mund të fitojë sërish e njëjta parti dhe të vazhdojë të qeverisë vendin i njëjti pushtet i korruptuar”, theksoi analisti.

Në vazhdim, Qarri hodhi dyshime mbi procesin zgjedhor në Shqipëri, duke aluduar në rezultat të korruptuar, blerja të votave dhe kurdisja të numrave. Madje, ai citoi edhe shtypin e huaj, gjerman, austriak e zviceran.

“Ndaj me të drejtë edhe shtypi i huaj, sidomos ai gjermanofon, në Gjermani, Austri dhe Zvicër, zgjedhjet në Shqipëri më tepër i sheh si zgjedhje farsë, me rezultat të korruptuar rëndë, duke blerë hapur votat me para e kurdis numrat me ndikimin qeveritar dhe lekët e shumtë të dhënë për rregullimin e rezultateve, në mënyrë që partia në pushtet, për herë të tretë, të dal sërish fituese, gjë që hedh dyshime të mëdha, për vet faktin se edhe në shtetet me trendin më të lartë të zhvillimit ekonomik, rrallë ndodhë të shënohen makiavelizma të tilla partiake e pushtetore”, potencoi ai.

Porosia e urimit të kryeministrit Albin Kurti për fitoren e Edi Ramës

Ndërsa, urimin e kryeministrit të Kosovë, Albin Kurti për Edi Ramën, analisti e vlerësoi si një porosi me shtrirje jetëgjatë në rrafshin shtetëror: “Kosova nuk mundet pa Shqipërinë as Shqipëria nuk mundet pa Kosovën”.

“Pra megjithëse këto zgjedhje ishin edhe një grabitje tradicionale e llojit "ala-shqiptar", pas rezultatit zyrtar dhe fitores së shpallur nga socialistët, ashtu siç e do detyra dhe rregulli zyrtar edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti uroi Ramën dhe këtë parti, duke e shndërruar urimin në porosi me shtrirje jetëgjatë në rrafshin shtetëror, para "produktit" të përkohshëm elektoral, kur dihet se të dy shtetet shqiptare, para se për partitë dhe rezultatet zgjedhore, më tepër kanë nevojë për njëra tjetrën dhe për rrjedhojë; “Kosova nuk mundet pa Shqipërinë as Shqipëria nuk mundet pa Kosovën””, deklaroi Qarri.

Analisti u shpreh se me këtë urim, kryeministri Kurti tregoi edhe njëherë se ai është më I avancuar se politik bërësit e tjerë, duke hedhur poshtë thashethemet se nuk do t’ia uroj fitoren Ramës.

“Në këtë mënyrë z. Kurti, pa marrë parasysh formulën e fitores së Ramës dhe mënyrën e arritjes së këtij rezultati befasues, përmbarim i llojit që ndryshonte shumë nga Kosova, ai edhe njëherë u tregua më i avancuar se politik bërësit e rëndomtë duke treguar para së gjithash profesionalizëm dhe hedhur poshtë thashethemet e dashakeqëve që me cinizëm trumbetonin se kinse ai nuk do t`ia uroj fitoren e Ramës”, potencoi ai.

Në fund, Qarri tha se urimi i Kurtit nuk ishte i thjeshtë, por akt i shtrirje së dorës vëllazërore drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, për bashkëpunim të ndërsjellë dhe një hapë domethënës, drejtë normalizimit të marrëdhënieve, jo vetëm mes Ramës dhe Kurtit, por edhe në mes dy shteteve dhe qeverive.

“Kështu që, kryeministri i Kosovës, përfundimisht la të kuptohet se akti i tij parimor, nuk është vetëm një urim i thjeshtë, por mbi të gjitha është akt i shtrirje së dorës vëllazërore drejtuar kryeministrit institucional të shtetit amë për bashkëpunim të ndërsjellë dhe një hapë domethënës, drejtë normalizimit të marrëdhënieve, jo thjeshtë mes Ramës dhe Kurtit, por ndërmjet dy qeverive dhe shtetit të Kosovës e atij të Shqipërisë, përkundër tendencave përçarëse të debilëve dhe sharlatanëve të cilët përpiqen me çdo mënyrë ti mbajnë sa më larg kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe atë të Shqipërisë Edi Rama, kinse ata kanë qëndrime të kundërta”, përfundoi analisti Gani Qarri.

Bytyçi: Urimi i Albin Kurtit për Edi Ramën, është më shumë se një gjest kurtuazie

Image
Adem Bytyçi

Ndërsa, analisti tjetër politik, Adem Bytyçi, tha se urimi i kryeministrit Kurti për Edi Ramën, me rastin e fitores në zgjedhjet parlamentare është më shumë se një gjest kurtuazie.

Sipas tij, bashkëpunimi Kosovë - Shqipëri duhet të jetë konstant, pavarësisht se cilat subjekte politike qeverisin në të dyja vendet.

Bytyçi tha se ndihma e Shqipërisë për Kosovën në raportet me çështjet ndërkombëtare është tepër e rëndësishme.

“Nuk diskutohet se bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Shqipërisë jo vetëm që është në interesin bilateral dhe multilateral në të gjitha fushatë e jetës, por ndihma e Shqipërisë për Kosovën në raportet ndërkombëtare është tepër e rëndësishme, bashkëpunimi Kosovë- Shqipëri , duhet të jetë konstant, pavarësisht se cilat subjekte politike qeverisin në të dyja vendet”, deklaroi ai për gazetën “Bota sot”.

Analisti Bytyçi kërkoi nga dy qeveritë e shteteve shqiptare, të mos e harrojnë faktin se janë një komb, edhe pse realitet i tillë ekzistues, asnjëherë nuk do t'iu konvenojë disa shteteve në rajon, veçanërisht shtetit serb

“Qeveritë e të dy shteteve, asnjëherë nuk duhet të harrojnë se Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete , por një komb, ani pse një realitet i tillë ekzistues, asnjëherë nuk do t'iu konvenojë disa shteteve në rajon, veçanërisht shtetit serb, i cili ka territor të shqiptarëve dhe më tepër se dy Kosova dhe akoma pretendon të përfitojë territor të Kosovës, me rastin e një marrëveshje eventuale të paqes Kosovë- Serbi...”, përfundoi Adem Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat