PDK nuk ka qenë serioze, kritikat ndaj Kurtit, për poena politik

Politika

PDK nuk ka qenë serioze, kritikat ndaj Kurtit, për poena politik

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 2 maj 2021 Në ora: 11:03
Albin Kurti dhe Enver Hoxhaj

Puna më e vështirë që e pret Albin Kurtin si kryeministër është procesi i dialogut mes Kosovës e Serbisë, proces ky i cili ka mbetur “pa krye”. Atij po i bëhet presion nga BE-ja për rinisje të dialogut edhe pse Kurti gjatë fushatës zgjedhore kishte deklaruar se nuk bën pjesë te prioriteti i parë ose i dytë në programin e tij.

Së fundi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një vizitë dy ditore në Bruksel. Atje është takuar me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian (BE). Ndër takimet që ka zhvilluar ishte edhe ai me ndërmjetësuesin e BE-së, Josep Borrell, të cilit Kurti i bëri me dije se procesi i dialogut nuk është neglizhuar nga qeveria e tij.

Duke thënë se dialogu nuk po neglizhohet nga qeveria e tij, Kurti ka bërë të ditur se gjatë muajit maj do të takohet edhe me partitë opozitare në Kosovë, për t’u përgatitur për fazën finale të dialogut.

Mirëpo, nga partitë opozitare PDK ka kundërshtuar rinisjen e dialogut duke thënë se, “konfirmimin e tij për rinisje të dialogut me Serbinë, Albin Kurti sot e përmbysi gjithë trashëgiminë e tij politike kundër negociatave Kosovë-Serbi, pa vendosur reciprocitet me Serbinë dhe pa një platformë apo strategji. Kurti ra dakord që të hyjë në Negociata për Autonomi për serbët në Kosovë dhe të zhbëjë planin Ahtisaari që mundësoi pavarësinë e Republikës së Kosovës”. Sipas PDK-së “duhet të ketë dialog vetëm për njohjen reciproke, asgjë tjetër”.

Nga LDK kanë reaguar, duke thënë se janë të gatshëm të diskutojnë për dialogun.

Edhe nga AAK kanë shprehur qëndrimin e partisë së tyre në lidhje me rinisjen e dialogut.

“Shumë e qartë, shumë e saktë, AAK e konsideron shumë të rëndësishëm konsultimin paraprak me partitë parlamentare dhe informimin në Kuvend. Askush nuk ka ekskluzivitet në këtë proces, dhe çështja duhet të trajtohet me seriozitet”, ka thënë në një deklaratë shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Shahu: “Hyp se të vrava, zbrit se të vrava këtë i thotë PDK”

Analisti Rexhep Shahu në një përgjigje dhënë për “Bota sot” ka thënë se, PDK nuk ka qenë serioze dhe po kërkon poena politik për vete.

Image
Rexhep Shahu

“Kjo ndodh sepse PDK nuk ka qenë serioze, kërkon poema politike për vete, është marrë me çështje teknike. Hyp se të vrava zbrit se të vrava këtë i thotë PDK. Bisedimet natyrisht që janë së pari politike po jo për statusin e territorin që nuk negociohen”, ka deklaruar Shahu.

Burjani: Kosova ka nevojë për konsesus

Edhe njohësi i çështjeve politike Blerim Burjani, ka thënë se, opozita po sillet papërgjegjësi, ku sipas tij nuk ka unitet por vetëm pazare politike.

Ai shton se në Kosovë ka nevojë për konsensus.

Image
Blerim Burjani

“Po opozita po sillet po sikur VV kur ishte në opozitë, qëndrimet të njëjta dhe papërgjegjësi, nuk ka unitet por pazare politike dhe fushata në vend që të ketë konsensus. Pra, konsensusi për këto tema ka rëndësi dhe nëse veç nuk ka konsensus partitë politike në Kosovë sillen njëjtë me neglizhencë, jo seriozitet, VV ka një shumicë të konsiderushme”, përfundon Burjani.

Duhanaj: Kurti duhet ta bind opozitën për bashkëpunim

Ndryshe mendon analisti Leon Duhanaj, i cili ka thënë se kritikat e PDK-së ndaj qeverisë Kurti janë pasi ai që 20 vite ka kundërshtuar çdo veprimi të politikës së Kosovës.

Image
Leon Duhanaj

“Ngritja e dyshimeve, përkatësisht shqetësimeve karshi punës qeveritare dhe ndikimi në korrigjimin e tyre, është detyrë parësore opozitare, prandaj në këtë kontekst, nuk shoh diçka të keqe. Arsyeja pse PDK kritikon Kurtin dhe Qeverinë e tij, qëndron pikërisht tek qëndrimet e Kurtit dhe VV-së për dy dekada me radhë. Z. Kurti dhe VV, nuk kanë lënë gurë pa lëvizur dhe atë në mënyrën më të vrazhdë dhe më destruktive në kundërshtim të çdo veprimi të politikës kosovare në 20 vitet e fundit. Madje z. Kurti nuk ka pranuar kurrë as të jetë kooperues por as të ofroj ndonjë ide për zgjidhje. Ai thjeshtë ishte kundër gjithçkaje”, shprehet Duahnaj.

Ai kritikon Kurtin duke thënë se është ai i cili ka ndryshuar parimet e veta.

“Z. Kurti ka një vit që bën fushatë me të gjitha mjetet dhe me premtime krejtësisht të kundërta me ato çfarë tani ka nisur. Prandaj edhe kritikat, sepse nëse dikush nuk e ka problem t'i ndryshoj parimet dhe premtimet e veta, mund të mos e ketë problem edhe të marrë vendime të dëmshme karshi vendit. Narracioni se krejt çfarë kanë bërë qeverisjet pararendëse gjerë më tani kanë qenë të dëmshme, për mendimin tim nuk qëndrojnë. Madje këtë edhe po e dokumenton edhe qasja e Kurtit tani, pasi që edhe përkundër gjithë kritikave, ai tani do të vazhdojë njëjtë sikur edhe kolegët e tij paraprak”, shprehet Duhanaj.

Në fund Duhanaj ka thënë se, vendi jonë ka nevojë për unitet andaj duhet të jetë synim dhe strategji për politikën e jashtme, duke mos lejuar që askush të mos mund të fusë pyka kundër interesit të Kosovës

“Kosova, duhet të ndërpresë me qasjen e të bërit politikë të brendshme me temat e politikës së jashtme. Uniteti kombëtar ëshhë dhe duhet të jetë synim dhe strategji për politikën e jashtme, duke mos lejuar që askush të mos mund të fusë pyka kundër interesit të Kosovës. Z. Kurti si opozitar, vazhdimisht ka qenë destruktiv dhe nuk ka pranuar as edhe të ulet në tryeza bashkëpunimi. Tani nga pozita, e ka për detyrë të kërkoj dhe ta bind opozitën për bashkëpunim. Se sa do të jetë i gatshëm dhe sa do ja dalë ta bëj ketë, varet nga mënyra dhe serioziteti me të cilën i qaset opozitës dhe, nga vullneti i mirë i opozitës të mos tregohet hakmarrës por t'i bëjë opozitë konstruktive dhe bashkëpunuese. PDK, është e njohur për punë të mirë, konstruktive dhe efikase opozitare dhe besoj që ketë do ta tregoj edhe përgjatë kësaj legjislature”, ka deklaruar Duhanaj për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat