Mungesa e simboleve të Republikës së Kosovës, lëshim skandaloz i BE-së

Politika

Mungesa e simboleve të Republikës së Kosovës, lëshim skandaloz i BE-së

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 2 maj 2021 Në ora: 13:17
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Zyrtarët më të lartë të Republikës së Kosovës zhvilluan një vizatë zyrtare në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me dy zëvendëskryeministrat e tij, Donika Gërvallën dhe Besnik Bislim takuan zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian për gjatë dy ditëve.

Gjatë takimeve të zhvilluara, u vërejt mungesa e simboleve të shtetit të Kosovës.

Mungesa e simboleve të shtetit të Kosovës është parë gati në të gjitha takimet, duke filluar nga ai me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, deri tek ai me shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell e shumë zyrtarë të tjerë.

I vetmi institucion që ka bërë përjashtim ku ka respektuar shtetësinë e Kosovës është Parlamenti Evropian, ku gjatë takimit të Kurtit me Presidentin e Parlamentit Eevropian, David Sassoli, u pa flamuri i Kosovës.

Voca: Kosova do të duhej të negociojë edhe me BE-në aspektin protokollar

Profesori i gjeopolitikës dhe ligjëruesi në Paris, Mirsad Voca, për “Bota sot”, ka thënë se është dëshpërim që BE nuk ka ende fuqi unike në politikën e jashtme të saj.

Image
Mirsad Voca

“Është dëshpërim që BE nuk ka ende fuqi unike në politikën e jashtme të saj apo mënyra se si merren vendimet brenda BE-së nuk përkon shpeshherë me vullnetin e shumicës të vendeve anëtare të saj. Një politikë e tillë e jashtme nga ana e BE-së nuk reflekton vetvetiu demokraci të shumicës, ku vullneti i shumicës në çështje të politikës së jashtme nuk merret fare në konsideratë nëse vetëm një vend anëtar mendon ndryshe”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Voca ka shtuar se politika e jashtme e të cilit nuk reflekton unitet meqë bie vetvetiu në kundërshtim me frymën demokratike të shumicës së shteteve të BE-së.

“Dhe fatkeqësisht, një model i tillë, doemos ngjallë brenda vendeve anëtare një rritje të partive konservatore si pasojë e vet këtij modeli të BE-së, politika e jashtme e të cilit nuk reflekton unitet meqë bie vetvetiu në kundërshtim me frymën demokratike të shumicës së shteteve të BE-së. Ky model lë hapësirë për fuqizimin e një fryme kundër madje idesë së ekzistimit të BE-së, jo si një Bashkim evropian por që kjo frymë kundër BE-së na e shfaq BE-në si jo unike. Mu për shkak të këtij efekti nga ky model i BE-së, kjo e fundit duhet të reformohet, të jetë model më i hapur ku shumica e anëtarëve të saj reflekton politikën e saj të jashtme, të përforcohet nga brenda e jashtë saj pa frikën e humbjes, të zgjerohet sepse kjo i jep besueshmëri më të lartë”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, Voca ka cekur se kjo qasje e saj përforcon lëvizjet homogjene dhe konservatore, përmes të cilëve promovohen ndryshime kufijsh, të cilët shkaktojnë vetëm krijim tensionesh me potencial konfliktesh.

“Në rastin aktual, vullneti i një pakice vendesh anëtare të cilët madje nuk ishin iniciues apo themelues të BE-së, paralizon politikën e jashtme dhe vet ngulfat funksionimin e saj. Prandaj, kjo qasje e saj përforcon lëvizjet homogjene dhe konservatore, përmes të cilëve, promovohen ndryshime kufijsh, të cilët shkaktojnë vetëm krijim tensionesh me potencial konfliktesh. Kjo shkakton përçarje në shoqëri dhe u mundëson rrymave ekspansioniste të huaja të shfrytëzojnë këtë dobësi politike të BE-së, për të shtrirë më shumë ndikimin e tyre si brenda BE-së dhe jashtë saj”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Image

 

Sipas Vocës, Kosova duhet të insistojë që në çështje protokollare të shfaqen simbolet e saj duke u thirrur në shumicën e atyre vendeve të BE-së që e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

“BE-ja vazhdon të mbetet neutrale ndaj statusit të Kosovës dhe kjo është për keqardhje meqë shumica e vendeve anëtare të saj e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur. Megjithatë, Kosova duhet të insistojë që në çështje protokollare të shfaqen simbolet e saj duke u thirrur në shumicën e atyre vendeve të BE-së që e njohin Kosovën. Dhe meqë Kosova insiston që të konsiderohet palë e barabartë në dialogun me Serbinë, të paktën BE-ja duhet të bëjë këtë kompromis lidhur me paraqitjen e simboleve të saj. Për më tepër, ani pse simbolike, Kosova do të duhej të negociojë edhe me BE-në aspektin protokollar, me që mos paraqitja e simboleve të saj e vë tashmë simbolikisht Kosovën në pozitë jo të barabartë në dialogun me Serbinë”, ka përfunduar Voca për “Bota sot”.

Mehazi: Lëshim skandaloz i BE-së

Edhe profesori Sulejman Mehazi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka komentuar mohimin e simboleve të shtetit të Kosovës, nga zyrtarë të lartë të BE-së, si Lajçak e Borrell.

Image
Sulejman Mehazi

“Injorimi i Kosovës nga institucionet e BE-së i ka rrënjët e thella që nga Londra e Berlini e deri më sot, se është kështu vërehet te dy përfaqësuesit misionarë të dialogut me Serbinë, Lajçak e Borrell të cilët vijnë nga shtetet që se kanë njohur Kosovën, Sllovakia dhe Spanja. Po të bëjmë një pyetje, se, kush i zgjodhi këta dy të deleguar evropian të vijnë nga Sllovakia e Spanja e të përzihen, të ndërhyjnë, e të ndikojnë në mes dialogut Kosovë-Serbi?, pa filozofuar fare përgjigja do del se pikërisht janë ata që mohuan simbolet e shtetit të Kosovës, BE-ja”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Sipas tij, delegacioni i Kosovës është dashur të protestojnë për shkak injorimit të simboleve shtetërore nga ana e BE-së.

“Edhe pse jemi të kënaqur me prezantimin superior të Kryeministrit të Kosovës në Bruksel, i cili ishte i shkëlqyeshëm me presidentin e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe me Shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell e shumë zyrtarë të tjerë, mirëpo vërejtja e lëshimi i Kurtit dhe delegacionit të Kosovës, se, është dashur të protestojnë për shkak injorimit të simboleve shtetërore nga ana e BE-së”, është shprehur profesori.

Po ashtu, Mehazi ka theksuar se ky është lëshim skandaloz i BE-së ndaj Kosovës e që favorizon dëshirat serbe.

“Ky lëshim diplomatik i BE-se nuk duhet të përsëritet, pasi është lëshim skandaloz i BE-së ndaj Kosovës e që favorizon dëshirat serbe. Për këtë shkak kryeministri i Kosovës duhet të reagojë me një kusht se nëse BE-ja kërkon nga Kosova të respektojë rregullat e BE-së atëherë edhe BE-ja të respektojë simbolet e Republikës së Kosovës, për ndryshe të kota do jenë marrëveshjet diplomatike të Kosovës pa respektimin e simboleve të Kosovës nga BE-ja. Pra, Republika e Kosovës është injoruar nga BE-ja që nga zgjedhja e dy përfaqësuesve Lajçak e Borrel, jo rastësisht janë zgjedhur nga Sllovakia e Spanja që janë me një linjë me Serbinë”, ka vlerësuar Mehazi për “Bota sot”.

Mehmeti: BE është lojale ndaj Serbisë

Ndërkaq, analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka akuzuar BE-në për lojëra të dyfishta, duke thënë se asnjëherë parimore dhe konkrete.

Image
Faton Mehmeti

“Në përgjithësi BE çdo herë ka bërë lojëra atë dyfishta ndaj Kosovës, në njërën anën ka konfirmuar mbështetjen e saj për Kosovën dhe pavarësinë e saj, dhe në anën tjetër ka mbështetur negociatat edhe për negociata për statusin e Kosovës. Kjo, është një lojë e dyfishtë e BE e cila në raport me Kosovën s`ka qenë asnjëherë parimore dhe konkrete”, ka thënë ai.

Më tej, Mehmeti ka shtuar se BE është lojale ndaj Serbisë dhe se Kosova nuk guxon të mbështet dhe të ketë besim në të.

“BE është lojale ndaj Serbisë, kështu që edhe në raport me flamurin  Kosovës ka përqafur mesazh tek Serbia, por në anën tjetër edhe tek Kosova. Nuk është për tu habitur, kështu që Kosova nuk guxon të mbështet dhe të ketë besim tek BE-së, me sytë kah SHBA si e vetmja garancë për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës”, ka deklaruar Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat