“Treshja famëkeqe” për Kosovën – cili politikan i pari e lexoi “non-paperin”?

Politika

“Treshja famëkeqe” për Kosovën – cili politikan i pari e lexoi “non-paperin”?

Nga: A.Z Më: 4 maj 2021 Në ora: 22:41
Non-paperi

Njohësi i zhvillimeve politike në Ballkan Daniel Serwer e sheh anëtarësimin e shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian si kompromis për njohjen e Kosovës, por sipas tij ajo po kërkon të përfitojë më shumë.

Ndërsa, lidhur me “non paper-in” e fundit Serwer ka thënë se qëllimi është që të ndikohet në dialog.

“Unë nuk e di se nga kush është shkruar ky “non paper”, por mund të imagjinoj se ka pasur qëllim t’i jep kah tjetër procesit të dialogut Kosovë-Serbi”, tha ai.

Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Edi Rama, ka qenë i pari i cili ka deklaruar se e ka lexuar këtë dokument, dhe sipas Serwer, qëllimi i publikimit ka qenë për të bërë presion mbi Qeverinë Kurti.

Ai thotë se edhe më parë Vuçiq, Thaçi dhe Rama, kanë qenë treshja më famëkeqe, madje dhe me shpifjen për letrën nga burgu, kinse me porosinë që Rama të kujdeset edhe për Kosovën, dëshmon se qëllimi është rrëzimi i qeverisë Kurti.

“Fakti se nga të gjithë emrat e apostrofuar politik në rajon, i vetmi ishte megalomani Edvin Kristaq Rama, ai i cili para mediave shqiptare deklaroi se, jo vetëm që e ka parë, por edhe e ka lexuar dokumentin e ashtuquajtur "non-paper", siç shprehet edhe njëri nga njohësit më të mirë të zhvillimeve politike në Ballkan z. Daniel Serwer, qëllimi i publikimit të tij, ka qenë që të bëhet presion mbi Qeverinë e re të Kosovës dhe të ndikohet, drejtpërsëdrejti në dialogun Kosovë-Serbi, i cili për autor duhet të ketë pasur edhe kësaj radhe si rëndom, vet Ramën dhe Vuçiqin. Për aq më tepër, miku i Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit, përveç lansimit të planit të mëhershëm për ndarjen e Kosovës, autor të të cilit siç dëshmoi edhe një herë këto ditë gazeta austriake "Der Standard" edhe atëherë ishte treshja famëkeqe Thaçi, Rama dhe Vuçiq, me shpifjen më të re përmes të ashtuquajturës letër prej burgu nga "vëllai" Hashim Thaçi, kinse me porosinë që tanimë sharlatani Edvin Kristaq Rama të kujdeset edhe për Kosovën, ky i fundit dëshmoi publikisht, se ka për qëllim që në koketim me partitë e inkriminuara, nëse arrijnë, do ta rrëzojnë serish Kurtin nga qeverisja e vendit”, theksoi Qarri.

Qarri më tej shtoi se për t’i plotësuar dëshirat e Vuçiqit, Rama do e emëroj Çitakun si ministre e jashtme, vetëm për rrëzimin e Qeverisë për “moskujdesjen” ndaj “çlirimtarëve, madje për të formuar edhe një ekip negociator për bisedimet me Serbinë pa pjesëmarrjen e Kurtit.

“Madje në mënyrë që t’i plotësojë dëshirat e mikut të tij, kriminelit Vuçiq, Rama me njoftimin për emërimin e Vlora Çitakut ministre të jashtme në Qeverinë e Shqipërisë, ai po paralajmëron publikisht se në emër të "moskujdesit" nga kryeministri Kurti ndaj "çlirimtarëve", si dhe të, mos-mbrojtjes së mjaftueshme nga Qeveria e Kurti, e vlerave të luftës së UÇK-së, edhe nëse nuk arrijnë ta rrëzojnë menjëherë Kurtin nga Qeveria për shkak të numrit të madh të votave që ai ka marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit, Rama bashkë me zonjën Çitaku në pozitën e ministres së jashtme të Shqipërisë dhe ai vet si kryeministër i saj, kanë për qëllim ta formojnë një ekip “të ri” negociator, për bisedimet me Serbinë, pa pjesëmarrjen e Kurtit”, ka theksuar ai.

Tutje deklaroi se qëllimi i formimit të këtij ekipi është ndarja e Kosovës, dhe për t’i përmbushur kërkesat e Vuçiqit, madje edhe pas grabitjes së pjesëve të vendit nga Serbia, do ta kamuflonte një të ashtuquajtur “bashkim kombëtar”.

“Ekip të cilin do ta mbushte me udhëheqës të inkriminuar, të partive të ashtuquajtura të dala nga lufta, por që do ta kryesonte vet Edvin Kristaq Rama, në mënyrë që të realizonte ndarjen e Kosovës duke përmbushur të gjitha kërkesat e Vuçiqit, në kurriz të Kosovës dhe me pjesën e mbetur, të shtetit tonë të brishtë, ta kamuflonte shpalljen një të ashtuquajturi "bashkim kombëtar", që pas grabitjes së pjesëve më vitale të vendit tonë nga Serbia, do ta miratonte edhe vet Vuçiqi si dhe do të merrte apriori edhe bekimin e partive të inkriminuara, duke i futur udhëheqësit e tyre në pushtetin e "Shqipërisë së bashkuar" dhe shitur lirë tokat më të pasura të Republikës së Kosovës, për të cilat siç thoshte Haradinaj, vitin e kaluar, Ramës i janë premtuar miliarda nga Serbia”, përfundoi Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat