Gabimet drejtshkrimore, Bytyçi ka një këshillë për Abelard Tahirin

Politika

Gabimet drejtshkrimore, Bytyçi ka një këshillë për Abelard Tahirin

Nga: A.M. Më: 5 maj 2021 Në ora: 17:54
Abelard Tahiri

Gjatë ditës së djeshme është publikuar formulari për Broshurën Parlamentare, në të cilin duhet plotësuar të dhënat personale për t’u regjistruar si deputet në Kuvendin e Kosovës.

Në këto formular janë vërejtur gabime drejtshkrimore nga deputetët e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës. Në mesin e tyre kishte edhe persona të cilët kanë mbajtur pozita të larta shtetërore, si ish ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Në formularin e tij kishte gabime thelbësore si emri i Komunës prej nga vjen ai, përkatësinë e tij kombëtare, si dhe pozitën apo funksionin të cilën e ka mbajtur ai më herët.

Lidhur më këtë çështje, opinionisti politik, Adem Bytyçi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se është e dëmshme edhe për vendin kur në pozita të larta emërohen gjysmanalfabetët.

Ai shprehet se kjo është arsyeja se pse Kosova është në një gjendje kaq të mjerë.

“Gjysmanalfabetët si Abelard Tahiri, e kanë sjellë Kosovën në një gjendje kaq të mjerë. Në vend që të vijojnë kurset për ta mësuar gjuhen shqipe, i turrën politikës dhe i sulmojnë kundërshtarët politikë. Në qoftë se Kosova nuk çlirohet nga analfabet të tillë, nuk mund të shpresohet se mund të përjetojë zhvillim të gjithanshëm dhe mirëqenie të qytetarëve të cilët me të drejtë e presin”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Bytyçi ka vlerësuar se Tahiri ka qenë ministër pa ditur të shkruajë.

“Është e tmerrshme kur qytetarët informohen se vendin e qeverisin ata të cilën nuk dinë as shqip të shkruajnë si rasti i Abelard Tahirit të PDK-së, i cili gjatë ka qenë Ministër i Drejtësisë, pa ditur ta shkruajë ashtu siç duhej pa gabime as emrin e vendlindjes së tij”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Bytyçi ka dhënë një sugjerim se çfarë duhet të bëhet para emërimit të ndonjë individi në pozita zyrtare.

“Në të ardhmen para se të zgjedhën politikanët në pozita të larta Ministrore dhe të tjera shtetërore, duhet të certifikohen nga një komision i posaçëm ekspertësh të fushave të ndryshme për të konstatuar se sa janë të aftë dhe a thua dinë të shkruajnë shqip pa gabime qoftë edhe emrin e vendlindjes tyre, në mënyrë që mos të na përsëritet rasti i ish Ministrit të drejtësisë z. Abelard Tahirit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Në fund, ai ka dhënë një këshillë për ish ministrin e Drejtësisë dhe deputetin e PDK-së, Abelard Tahirin.

“Do të ishte në të mirën e z. Abelard Tahiri, që për një kohë t'i shmanget politikës, për të mësuar si shkruhet shqip pa gabime”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat