Padrejtësia e BE-së ndaj Kosovës, shpresat te Qeveria Kurti për liberalizim të vizave

Politika

Padrejtësia e BE-së ndaj Kosovës, shpresat te Qeveria Kurti për liberalizim të vizave

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 5 maj 2021 Në ora: 17:54
Albin Kurti, foto ilustrim

Janë bërë 5 vjet që kur krerët e shtetit kishin uruar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ata madje gjatë 5 viteve, gjatë fushatave zgjedhore kishin premtuar se ata do të sjellin liberalizimin e vizave për Kosovën.

Një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur dhe Kosova vazhdon të jetë e izoluar.

BE ka vënë kushte që Kosova duhet t’i plotësojë, në veçanti korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë.

Disa nga vendet anëtare të BE-së, lëre më që nuk janë pro liberalizimit për qytetarët e Kosovës, por as nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Më e zëshmja për liberalizimin e vizave për Kosovën, është shteti gjerman por që duhet të jetë një vendim i përbashkët brenda BE-së, duke mos lënë anash edhe disa shtete tjera që mbështesin liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javën e kaluar në mbledhjen e komitetit të jashtëm të Parlamentit Evropian, ka theksuar se Kosova meriton liberalizmin e vizave.

“Kemi plotësuar kriteret për liberalizim të vizave. Nëse kjo qeveri me mbi 50 për qind të votave nuk mjafton që të marrim liberalizimin e vizave, atëherë do të ketë ndikim negativ tek të rinjtë”, ishte shprehur ai.

Voca: Padrejtësia më e madhe që po i bëhet Kosovës

Image
Mirsad Voca

Njohësi i çështjeve politike Mirsad Voca në një përgjigje për “Bota sot” ka adersuar disa arsye të izolimit të vendit tonë.

Sipas tij, shkak i mos punës dhe mos adresimit të disa çështjeve jetike siç është çështja e korrupsionit dhe e krimit të organizuar e ekonomik.

Tutje, ai ka thënë se tema e liberalizimit të vizave u shndërrua instrument politik.

“Kosova mbeti e izoluar për shkak të mos punës dhe të mos adresimit të disa çështjeve jetike siç është çështja e korrupsionit dhe e krimit të organizuar e ekonomik. Qeveritë e mëparshme nuk bën punën e duhur dhe Kosova mbeti e izoluar, sepse kjo u dha shkas disa vendeve të BE-së që të bllokojnë liberalizimin e vizave. Pastaj, liberalizimi i vizave u shndërrua edhe në instrument politik për t’i nënshtruar qeveritë e mëparshme që të bëjnë koncesione nga më të ndryshmet përfshirë këtu dhe dialogun me Serbinë. Krahas kushtëzimeve të tilla dhe të disa koncesioneve, qeveritë e mëparshme disa herë dhe festuan qesharakisht sikur liberalizimi po realizohej. Dhe prapë nuk u realizua sepse ishte vetëm instrumentalizim, ndërsa vendet e BE-së prapë u kërkonin luftimin e korrupsionit dhe të krimit ekonomik, fenomene të cilat nuk u luftuan sepse pushtetet e mëparshme nuk ishin të gatshme t’i luftonin. Mos luftimi i këtyre fenomeneve ngjalli dyshime të padiskutueshme lidhur edhe me përfshirjen e atyre pushteteve në korrupsion e krime ekonomike”, ka thënë Voca.

Ai beson te qeveria e re se ajo do të sjell liberalizimin e vizave, duke shtuar se kjo që po i bëhet Kosovës është një padrejtësi e madhe.

“Tani me Qeverinë e re, kam besim të plotë se liberalizimi i vizave do të ndodhë ani pse mund të marrë edhe pak kohë. BE për të provuar kredibilitetin e saj përball qytetarëve të Kosovës, duhet të bind ato dy shtete që po e bllokojnë liberalizimin e vizave ndërsa qeveria aktuale e Kosovës do duhet të adresojë këtë çështje pa humbur kohë. Tani mos liberalizimi i vizave për Kosovën është një padrejtësi e pashembullt e cila vetëm sa do bëhet edhe më e pakuptueshme dhe e papranueshme. E theksoj këtë sepse tani Kosova ka Qeveri e cila prioritet numër një ka luftimin e korrupsionit dhe tashmë po vepron seriozisht në këtë drejtim sidomos me ligjin për konfsikim të pasurisë së pajustifikueshme”, ka vlerësuar ai.

Në fund, Voca ka thënë se qeveria aktuale duhet ta ketë prioritet liberalizimin e vizave dhe nëse kjo e drejtë i mohohet Kosovës vazhdimisht atëherë nuk ka çfarë të dialogohet për asgjë tjetër sepse do mund të konkludohet qartë se Kosova nuk ka perspektivë sikur shtetet tjera të rajonit.

“Ndaj BE-së, mendoj se Qeveria aktuale duhet të ketë prioritet numër një çështjen e liberalizimit të vizave, e pastaj mund t’i vije radha prioriteteve tjera me BE-në. Nëse kjo e drejtë i mohohet Kosovës në pafundësi atëherë nuk ka çfarë të dialogohet për asgjë tjetër sepse do mund të konkludohet qartë se Kosova nuk ka perspektivë sikur Shtetet tjera të rajonit. Për pasojë, një izolim i pafund për qytetarët e Kosovës, që vë Kosovën në pozitë të palakmueshme përballë dialogut me Serbinë, përballë Shteteve të rajonit dhe përballë qytetarëve të saj të cilët vazhdojnë të jenë të izoluar dhe të diskriminuar me vite, mbetet një padrejtësi e pajustifikueshme qoftë nga BE apo nga çdo shtet anëtar i saj”, përfundon Mirsad Voca.

Qarri: Veprimi i shpejtë i qeverisë Kurti ndaj dukurive negative mbetet kushti themelor për liberalizimin

Image
Gani Qarri

Ndërsa, analisti Gani Qarri, është shprehur se izolimi i qytetarëve të Kosovës ndodh pikërisht për shkak të mos-veprimit të prokurorisë dhe gjyqësorit të kapur nga krimo-politika dhe ish partitë e kriminalizuara që mbajtën pushtetin për më se 13 vjet pa ndërprerë.

Sipas tij, ishin po ata politikanë si Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, të cilët pa fije turpi mashtronin qytetarët duke uruar rrejshëm ata, kinse ndodhi liberalizimi i vizave, ndaj kjo po na del tanimë një ‘blof’ i përgatitur.

“Mjerisht sipas hulumtimit më të ri, faqet e mbushura të IKD-së, me gjetjet më skandaloze të mos-veprimit të prokurorisë dhe gjyqësorit të kapur nga krimo-politika dhe ish partitë e kriminalizuara që mbajtën pushtetin për mese 13 vjet pa ndërprerë, kanë bërë që Kosova të mbetet edhe 21 vite pas çlirimit, si i vetmi vend në Ballkanin perëndimor, e izoluar totalisht dhe vetëm për qytetarët e saj, të mos ketë liberalizim të vizave. Përndryshe vazhdimi i gjykimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si kundërvajtje, vetëm për shkakun se autorët dhe pjesëmarrësit në krim e korrupsion, janë të lidhur këmbë e kokë me partitë e kriminalizuara, është praktikë puro mafioze e sistemit të kapur të drejtësisë, e cila jo vetëm që nuk lejon liberalizimin e vizave, por nëse nuk ndërpritet menjëherë, mund ta qojë edhe shtetin në vet-shkatërrim. Për aq më tepër prijësit e partive të kriminalizuara dhe ish krerët e inkriminuar të shtetit, një pjesë e të cilëve ka disa muaj që gjenden nën arrest brenda burgjeve të Hagës, kanë kaluar mbi 5 vite që kur, herë Hashim Thaçi, e herë Ramush Haradinaj pa fije turpi mashtronin qytetarët duke uruar rrejshëm ata, kinse ndodhi liberalizimi i vizave, edhe pse vet BE, nuk kishte deklaruar kurrë se kishte vendosur liberalizimin e vizave për Kosovën. Ndaj krejt kjo, tanimë po na del të ketë qenë vetëm një "Blof" i përgatitur nga shitësit e tokave tona, për qitjen hi-syve qytetarëve dhe faljen e mbi 8300 hektarëve tokë të Kosovës, shtetit “xhuxh” të Malit të Zi”, ka theksuar Qarri.

Ai kritikon ashpër Thaçin, Haradinajn e Mustafën për disa nga planet që siç thotë ai i kanë realizuar në plotëni: shitja e rreth 11 mijë hektarëve tokë të Kosovës, ndarja e Kosovës, nënshkrimi i asociacionit.

“Fatkeqësisht e vetmja gjë që deri më tani ka dalë 100% e saktë dhe nuk ka dështuar për asnjë milimetër, nga ato që Thaçi, Haradinaj e Isa Mustafa kanë thënë dhe janë realizuar në plotëni, gjatë gjithë viteve të udhëheqjes së shtetit nga këta bandit, është vetëm shitja e rreth 11 mijë hektarëve tokë të Kosovës, FYROM-it dhe Malit të Zi, pastaj nënshkrimi i asociacionit kundër kushtetues një etnik serb, dy herë në Bruksel, nga Thaçi e Mustafa, si dhe kërkesat publike drejtuar ndërkombëtarëve nga kuislingu Hashim Thaçi me 25 korrik të vitit 2018 në Alpbach të Austrisë, për ndarjen e Kosovës dhe faljen e pjesëve më vitale të vendit tonë, Serbisë okupatore. Madje siç dëshmoi këto ditë edhe një herë gazeta austriake "Der Standard" ky plan i mirë përgatitur, ishte projekt i treshes bastarde Thaçi, Rama dhe Vuçiq për copëtimin total të Kosovës, realizimin e të cilit e pengoi vetëm burgosja e kuislingut Thaçi nga Gjykata Speciale në Hagë, si dhe humbja e zgjedhjeve të partive të inkriminuara me 14 shkurt të vitit 2021, në Kosovë. Kështu që duke parë prapaskenat e tmerrshme që Thaçi, Rama dhe Vuçiq i kanë përgatitur shtetit të brishtë të Kosovës, të cilat ende gëzojnë edhe mbështetjen e partive të inkriminuara si PDK, AAK, NISMA dhe vet udhëheqja e vjetër e LDK-së me Isa Mustafën në ballë, Qeveria e re, megjithëse i ka fituar zgjedhjet dhe është legjitimuar me shumicën absolute të votave të qytetarëve, ose duhet të veprojë shumë shpejtë dhe me përkushtim e intensitetin më të lartë, ose edhe Kurti bashkë me Qeverinë e tij, për pak kohë mund ta pësojnë fatin e ish Qeverisë së Fan Nolit, duke u rrëzuar nga mercenarët e lidhur me Serbinë, dhe rivendosur bashkëpunëtorët e saj përsëri në pushtet, akt pas të cilit nuk do të fliste kush më për liberalizim të vizave për qytetarët, por për ndarjen përfundimtare të Kosovës”, deklaron Qarri.

Ai përmend edhe skenarin të cilin po raportohet se Vlora Çitaku do të jetë ministre e jashtme e Shqipërisë, duke thënë se Rama, sikur Kosova të mos kishte udhëheqje as qeveri, gjithë kjo, do të qonte në ndarjen e sigurt të Kosovës dhe copëtimin përfundimtar të saj.

“Ndaj po ndodhi të përsëritet ky skenar edhe në këtë kohë, konstalacioni i ri, edhe pa Thaçin, i përgatitur tani nga Edvin Kristaq Rama me emërimin e zonjës Çitaku ministre të jashtme ndërsa vet ai kryeministër i Shqipërisë, si dhe letrën e shpifur të Hashim Thaçit, kinse të dërguar nga burgu me porosinë që pas burgosjes së tij, megalomani Edvin Kritaq Rama të marrë përsipër kujdesin për Kosovën, sikur Kosova të mos kishte udhëheqje as qeveri, gjithë kjo, do të qonte në ndarjen e sigurt të Kosovës dhe copëtimin përfundimtar të saj, sipas dëshirave të kriminelit Aleksandër Vuçiq dhe Serbisë okupatore”, shprehet ai.

Ai bën thirrje për qeverinë e re që të veprojë më shpejt dhe me intensitet sepse ka rrezik që nga partitë e inkriminuara, për pak kohë mund të rrëzohet serish nga pushteti dhe mercenarët e bashkëpunëtorët e Serbisë të rivendosen përsëri në krye të shtetit.

“Kështu që nëse Qeveria e re, u shkon punëve kaq zhag, siç edhe ka filluar dhe nuk vepron shpejtë e me intensitet të shtuar, Kurti bashkë me Qeverinë e tij, në emër të mbrojtjes së "çlirimtarëve" dhe vlerave të UÇK-së, nga partitë e inkriminuara, për pak kohë mund të rrëzohet sërish nga pushteti, dhe mercenarët e bashkëpunëtorët e Serbisë të rivendosen përsëri në krye të shtetit”, ka thënë Qarri.

Në fund, ai shton se qeveria e re duhet të marrë hapa urgjent për luftimin e krimit dhe korrupsionit që Kosova të mos mbetet e izoluar përndryshe nuk do të ketë liberalizim të vizave por kush e di edhe për sa vite.

“E me sistemin aktual të drejtësisë si dhe pa ndryshime rrënjësore në prokurori dhe gjyqësi, jo vetëm që nuk do të ketë liberalizim të vizave por kush e di edhe për sa vite, Kosova do të kthehej prapa dhe do të vazhdojë të mbetet e izoluar, ndaj vetëm veprimi i shpejtë dhe i koordinuar i Qeverisë së re në rivendosjen e rendit e të ligjit, si dhe luftimi urgjent i korrupsionit e krim të organizuar dhe dënimi i personave të inkriminuar që gjatë gjithë këtyre viteve, në vazhdimësi janë marrë me zhvatje, korrupsion e krim të organizuar, është dhe mbetet kushti themelor për liberalizimin e sigurte dhe sa më të shpejtë të vizave edhe për qytetarët e Kosovës”, përfundon Gani Qarri për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat