Përkrahja nga Greqia/ Së shpejti njohje për Kosovën?

Politika

Përkrahja nga Greqia/ Së shpejti njohje për Kosovën?

Nga: A.Z Më: 6 maj 2021 Në ora: 17:33
Kostas Bakoyannis

Kryetari i Athinës, Kostas Bakoyannis, ka thënë se Greqia mbështet Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave. Bakoyannis tha se Prishtina dhe Athina ballafaqohen me probleme të njëjta.

“Është kënaqësi të jem këtu, Prishtina është afër zemrës time dhe jam i lumtur duke e parë zhvillimin e qytetit. E kemi mundësi të eksplorojmë agjendën e njëri-tjetrit, dhe të arrijmë së bashku suksese. Synimi ynë është t’i mbajmë popujt tanë së bashku, të shkëmbejmë kulturën. Ka shumë gjëra që diskutuam për t’i sjell njerëzit tonë bashkë. Ballafaqohemi me probleme të njëjta”, u shpreh ai.

Lidhur me mbështetjen e Kosovës për liberalizimin e vizave, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se që nga momenti i fitores së LVV-së, Kosovës janë duke i shkuar punët mbarë, gjë që shihet edhe nga lajmi i fundit për përkrahjen e liberalizimit të vizave, nga kryetari i Athinës, Kostas Bokoyannis.

“Për fat të mirë, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit i shkojnë punët mbarë, që nga momenti i fitores së partisë së LVV-së ndërkombëtarisht Kosovës i shkojnë punët mbarë, kjo vërehet që nga deklaratat e para të administratës së kryetarit të ri të SHBA-ve, Biden, që nga Bundestagu gjerman e BE-ja në përgjithësi, dhe ja tani lajme të mira për qeverinë e Kurtit vijnë edhe nga kryetari i kryeqendrës së Greqisë, Athinës, Kostas Bokoyannis, i cili përkrahu liberalizimin e vizave të qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Mehazi.

Tutje ka shtuar se përkrahja nga Greqia e ka kuptimin për marrëdhënie diplomatike në mes të dy shteteve, dhe sipas Mehazit, kjo është njëra ndër deklaratat më bindëse, sepse lë të kuptohet se do të jetë e para nga pesë shtetet e cila së shpejti do ta njohë Republikën e Kosovës.

“Përkrahja e liberalizimit të vizave nga kryetari i Athinës, Bokoyannis, e ka kuptimin e rikthesës politike në të mirë të Kosovës, dhe atë nga Greqia, e cila jep sinjale politike për marrëdhënie diplomatike në mes Greqisë dhe Kosovës. Është interesant të cekim se deklarata e prefektit të Athinës për liberalizimin e vizave është më bindëse sesa nga shtetet e BE-së që e kanë njohur Kosovën, e në anën tjetër që sa kohë nuk japin dritë jeshile për liberalizimin e vizave të Kosovës. Kjo jep shenja se Greqia së shpejti do ta njoh Republikën e Kosovës. Se Greqia nga pesë shtetet evropiane që se kanë njohur Kosovën do të jetë e para që do të hapë dyert zinxhirore te Sllovakisë së Lajçakut, Spanjës së Borrellit, Rumanisë e Qipros për njohje definitive të Kosovës”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat