PDK po keqpërdor të akuzuarit e Speciales për qëllimet e fshehta politike

Politika

PDK po keqpërdor të akuzuarit e Speciales për qëllimet e fshehta politike

Arife Morina Nga Arife Morina Më 6 maj 2021 Në ora: 22:14
Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli; foto ilustrim nga "Bota sot"

Së fundmi, Qeveria dhe Presidenca e Kosovës kanë qenë në qendër të kritikave, pasi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe disa individë të tjerë, iu kërkua atyre që të jenë garantuese për lirimin me kusht të Thaçit dhe të tjerëve nga Haga.

Ndonëse, paraprakisht një gjë e tillë nuk iu ishte kërkuar institucioneve shtetërore të vendit, nga Prokuroria Speciale.

Madje, filluan edhe propagandat se kinse disa shtete si Austria, Kroacia e Izraeli kishin dhënë garanci për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së. Mirëpo, menjëherë u zbulua se këto informata ishin të pavërteta, pasi udhëheqësit e këtyre vendeve e mohuan një gjë të tillë.

Çështjen e garancisë, partitë opozitare po e ndërlidhin edhe me publikimin e shpenzimeve të avokatëve mbrojtës, të të akuzuarve në Hagë.

Opozita po shkon aq larg, sa që po fajëson Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e Gjykatës Speciales, ndonëse kjo e fundi ka votuar kundër.

Njohësit e çështjeve politik për gazetën “Bota sot” analizuan kritikat që po iu bëhen kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, shkaku i mos dhënies së garancisë, nga PDK dhe individë të tjerë.

Ata treguan edhe qëllimet e këtyre akuzave dhe pasojat që mund të kenë këto akuza në procesin e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së, në Hagë.

Qarri: Ky është qëllimi i SHIK-ut ndaj Qeverisë së re të Kosovës

Image
Gani Qarri

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar akuzat dhe kritikat e shumta të partive opozitare ndaj Qeverisë Kurti, në emër të Gjykatës Speciale.

Qarri u shpreh se SHIK-u dhe udhëheqësit e partive të inkriminuara po e keqpërdorin fatkeqësinë e të arrestuarve nga Gjykata Speciale dhe vuajtjet e familjarëve të tyre, jo nga dhembja për ta, por për të rrezikuar Qeverinë e re dhe ministrat më të votuar të saj.

“Pikësëpari që në fillim duhet theksuar fort faktin se SHIK-u dhe udhëheqësit e partive të inkriminuara, të mësuara për më tepër se dy dekada të sundojnë vendin me korrupsion e krim të organizuar si dhe gënjeshtra e intriga politike, e ndoshta edhe me vepra kriminale dhe akte të dhunës fizike, tani keqpërdorën në mënyrën më të paskrupullt edhe fatkeqësinë e të arrestuarve nga Gjykata Speciale dhe vuajtjet e familjarëve të tyre, jo nga dhembja për ta, por për të rrezikuar Qeverinë e re dhe ministrat më të votuar të saj”, deklaroi ai.

Analisti ka vlerësuar se këtë situatë, opozitarët e shfrytëzuan për të ngritur edhe më tepër emocionet dhe krijuar eufori të skajshme, nga rreziku i gjykimit të bëmave të tyre kriminale.

“Madje, duke parë gjithë maskarallëkun që përdorën për të bërë kaq shumë zhurmë e piskamë pa asnjë shkak as arsye, ata dëshmuan publikisht, se nuk u ngritën kaq me turr e vrap nga keqardhja për të burgosurit as me qëllimin për të ndihmuar lirimin e tyre, se kinse Qeveria nuk po tregon interesim për ta, por shfrytëzuan situatën për të ngritur edhe më tepër emocionet dhe krijuar eufori të skajshme, nga rreziku i gjykimit të bëmave të tyre kriminale, që po afrohet, me rivendosjen e rendit dhe të ligjit në Kosovë, nga Qeveria e re”, potencoi ai.

Tutje, Qarri tregoi edhe arsyet e kësaj ‘zhurme special’ të shkaktuar nga partitë opozitare, e që sipas tij njëra nga to është tentative për t’i lëkundur pozitat e Qeverisë Kurti II.

“Arsyeja e parë se pse këta e keqpërdorin kaq rëndë këtë rast të rëndë, është për ti lëkundur pozitat e Qeverisë së re, megjithëse siç edhe u dëshmua nga vet sqarimet zyrtare, përfaqësuesit e Gjykatës Speciale, nuk kanë kërkuar asnjëherë garanci nga Kosova, por nga një vend i tretë, për lirimin e mundshëm me kusht të të arrestuarve në Hagë”, theksoi ai.

Në vazhdim, analisti deklaroi se po bëhet një keqpërdorim monstruoz nga SHIK-u dhe partitë e kriminalizuara, kundër Qeverisë së re, kryeministrit, presidentes dhe ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës.

“Kjo edhe për faktin se Kosova është vet krijuese e kësaj gjykate dhe atë mu në kohën kur udhëhiqej po nga këta që sot janë të arrestuar, ndaj ky është keqpërdorimi më monstruoz që dinë të bëjnë vetëm SHIK-u ilegal dhe udhëheqësit e partive të kriminalizuara, jo për tu ndihmuar të burgosurve, por për të rritur edhe më shumë dhembjet e tyre, vetëm e vetëm për të bërë sa më shumë propagandë abuzive të përmasave të ndaluara ligjore, kundër Qeverisë së re, kryeministrit, presidentes dhe ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, për shkak të sukseseve, që po dëshmojnë që në nisje të punës”, nënvizoi ai.

Në fund, analisti Qarri përmblodhi faktet se si Qeveria dhe Presidenca e Kosovës janë kritikuar në mënyrë të padrejtë, pasi Gjykata Speciale nuk kërkon garanci nga njëra as tjetra, ato nuk kanë se si të jenë garantuese, nuk kanë në raport me këndë të përgjigjen dhe as kujt ti ofrojnë garanci

“Kështu që, sikur Kosova vërtetë të kishte ligj dhe drejtësi të njëmendtë, kundër iniciuesve të kësaj propagande kundërligjore, do duhej të aktivizohej menjëherë prokuroria e shtetit, ose Aleksandër Lumezi duhet të merret urgjentisht në pyetje dhe akuzohet për mos kryerje detyre, mosveprim konform obligimeve zyrtare dhe mos zbatim të ligjit. Kjo për vet faktin se Qeveria dhe presidenca, janë kritikuar plotësisht pa të drejtë sepse, përderisa vet Gjykata Speciale nuk kërkon garanci nga njëra as tjetra, ato nuk kanë se si të jenë garantuese, nuk kanë në raport me këndë të përgjigjen dhe as kujt ti ofrojnë garanci, kur një gjë e tillë nuk është kërkuar prej tyre, por nga një shtet i tretë, që nuk i bie të jetë Kosova, për lirimin me kusht të Thaçit dhe të tjerëve nga Haga”, përfundoi Gani Qarri, për gazetën “Bota sot”.

Bytyçi tregon se çfarë ndodhë, nëse Kosova dërgon garanci për ish-krerët e UÇK-së, pa i kërkuar Specialja

Image
Adem Bytyçi

Edhe analisti tjetër politik, Adem Bytyci i ka cilësuar si të pa baza dhe të motivuara politikisht, akuzat dhe kritikat ndaj Kurtit dhe Osmanit.

“Akuzat ndaj Kryeministrit Kurti dhe Presidentes Osmani, lidhur me dhënien e garancisë ndaj Gjykatës Speciale, që krerët e UÇK-së, të gjykohen në liri, janë të pabazuara dhe politikisht të motivuara” deklaroi ai, për gazetën “Bota sot”.

Bytyçi u shpreh se disa persona të papërgjegjshme po shpifin, duke deklaruar se Kroacia, Austria dhe Izareli po japin garanci për ish-krerët e UÇK-së, gjë e cila i dëmton të akuzuarit.

“Disa individë them unë të papërgjegjshëm, qofshin të politikës apo gazetarë, para ca dite lansuan disa gënjeshtra të cilat nuk konsideroj se i ndihmojnë njerëzve tanë që po gjykohen në Hagë për krime lufte, thanë se Kroacia, Austria dhe Izraeli kanë dhënë garanci që krerët e UÇK-së, të mbrohen në liri, pas komunikimit me këto shtete, këtë e demantuan si të pavërtetë”, theksoi ai.

Tutje, analisti paralajmëroi kritikët e Kurtit, se nuk po ndihmohen të akuzuarit e Hagës, pasi ende Gjykata Speciale nuk ka dorëzuar kërkesën për garancën e gjykimit në liri.

“Unë gjykoj se kështu nuk mund të ndihmohen krerët e UÇK-në, të cilët po gjykohen në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë, me seli në Hagë. Mesa dihet Gjykata Speciale, akoma nuk ka kërkuar garanci nga shteti i Kosovës për mbrojtjen në liri të akuzuarve”, nënvizoi ai.

Po ashtu, analisti tregoi se çfarë mund të ndodhë, nëse Kosova dërgon garanci në Speciale, pa e kërkuar gjykata një gjë të tillë.

“Madje, ata që thonë se Kosova duhet t'i dërgojë garanci gjykatës, akoma pa e dërguar gjykata një kërkesë garancie, për gjykimin në liri, mund të mos u ndihmojnë ushtarakëve tanë atje që gjykata t'iu mundësojë që të gjykohen në liri. Se kur do të vije radha për të dhënë garanci Kosova apo ndonjë shtet tjetër i tretë për t'u gjykuar në liri krerët e UÇK-së, është çështje e komunikimit të mbrojtjes dhe gjykatës”, potencoi Bytyçi.

Në fund, sa i përket publikimit të shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë, analisti Bytyçi e vlerësoi si një akt shumë të drejtë të Qeverisë Kurti.

“Lidhur me bërjen publike të shpenzimeve të mbrojtjes së krerëve të UÇK-së, në procesin e gjykimit në Hagë, është një akt shumë i drejtë, sepse ato lekë janë të taksapaguesve kosovarë dhe shpenzimi i lekut të fundit duhet të jetë transparent pa marrë parasysh destinimit”, përfundoi Adem Bytyçi, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat