“Skena të turpit”, kështu duhet të veprohet ndaj deputetëve të PDK-së për dhunën në Kuvend

Politika

“Skena të turpit”, kështu duhet të veprohet ndaj deputetëve të PDK-së për dhunën në Kuvend

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 8 maj 2021 Në ora: 10:57
Përplasja në Kuvend

Të enjten është mbajtur seanca e radhës plenare në Kosovë. Mirëpo, seanca është ndërprerë edhe kësaj radhe pas përplasjeve të opozitës me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Ndërsa, kryesuesja e seancës, Saranda Bogujevci kërkoi 15 minuta pushim.

Pas lëshimit të sallës nga opozita, në hyrje të sallës së Kuvendit është krijuar një situatë e tensionuar mes deputetëve.

Pas debatit të ashpër të PDK-së me Gërvallën, përplasen deputetët e PDK-së me ata të Vetëvendosjes.

Një prej deputetëve është mbajtur për krahu nga disa deputetët. Nga videot e publikuara, Hajdar Beqa, shihet që është përplasur me deputetin e LVV-së, Besim Muzaqin.

Fillimisht janë përplasur Memli Krasniqi dhe Faton Peci, e më pas janë përfshirë edhe Hajdar Beqa e Arbërie Nagavci e Besim Muzaqi.

Pamjet që u publikuan u bënë virale. Po ashtu pati reagime të shumta për këto skena aspak të hijshme në Kuvend, nga deputetët që prëfaqësojnë popullin dhe po ashtu kanë rroga të majme.

Lidhur me përplasjen e fundit në Kuvend, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike për gazetën “Bota sot”.

Kështu, analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, këtë seancë e quan akt të paprecedent nga PDK-ja, që për shkak të mungesës së argumenteve kërkonin vazhdimisht dhunë.

Qarri kërkon që Kuvendi të nxjerr një rregullore për kodin e mirësjelljes dhe të rregullave të veprimit të deputetëve në Parlament.

Sa më shpejtë një rregullore për sjelljen e deputetëve

Image
Gani Qarri

“Seanca në Kuvendin e Kosovës ishte një skenë turpi, një akt i paprecedent që u përcoll me fyerje të paskrupullta e kërcënime banale dhe tensione të orkestruara nga deputetët gjysmanalfabet të PDK-së, të cilët siç u pa në media, në mungesë të argumenteve, kërkonin me çdo mënyrë të improvizonin skena dhune, pa shkas as arsye dhe përleshje fizike me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat janë akte të dënueshme ligjërisht. Ndaj nga sot, konform gjendjes së krijuar, kryesia e Kuvendit të Kosovës duhet urgjentisht, për mbarëvajtjen e punës dhe ruajtjen e sigurisë së përfaqësuesve të popullit, ta nxjerrë një rregullore obligative për kodin e mirësjelljes dhe rregullat e veprimit të deputetëve në Parlament, si dhe t’i përcaktojë konsekuencat ligjore për shkeljen brutale të tyre, siç vepruan sot deputetët gjysmë analfabet dhe arrogant e primitiv të PDK-së”, deklaroi Qarri.

Sipas tij, duke i parë sjelljet e tyre, një nismë e tillë është e domosdoshme dhe për të mos ndodhur më konflikte të tilla.

Qarri deklaroi se as Gërvalla dhe as LVV-ja, nuk janë ata të cilët e kanë votuar Gjykatën Speciale, por ishin deputetë e PDK-së, në krye me Thaçin, madje kishte deklaruar se ata të cilët nuk e votojnë Gjykatën Speciale, po ata janë armik të Kosovës.

“Duke parë sjelljet primitive të disa deputetëve agresiv të PDK-së të njohur për dhjetëra afera kundërligjore, për të cilat së shpejti pritet të vendosen në bankën e të akuzuarve dhe të marrin dënime të merituara për korrupsion e krim të organizuar në vend, një nismë e tillë, jo vetëm që është më se e nevojshme, por edhe e patejkalueshme dhe plotësisht e domosdoshme, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më dhe të mos vijë deri te konfliktet e hapura apo edhe përplasjet fizike me lëndime të deputetëve rival në Kuvend. Për aq më tepër, nuk ishte Donika Gërvalla, deputetët e LVV-së, as Albin Kurti, që kanë votuar Gjykatën Speciale, përkundrazi ata e kanë kundërshtuar në të gjitha format dhe mënyrat, madje votues dhe iniciues me insistim të kësaj gjykate ishin pikërisht deputetët e PDK-së me shefin e tyre në krye, Hashim Thaçin i cili qysh me 2015 edhe deklaronte publikisht, se kush nuk e voton Gjykatën Speciale është armik i pavarësisë së Kosovës dhe të vet UÇK-së”, theksoi ai.

Qarri shtoi se nga kjo, PDK-ja tentoi që vendin e përfaqësuesve të popullit ta shndërrojnë në arenë lufte, për t’i turpëruar rivalet politike.

Madje, ka reaguar edhe ambasadori Gjerman, Jorn Rohde, i cili i ka quajtur të pamoralshme sulmet ndaj Gërvallës, e pastaj edhe skena arrogante në Kuvend.

“Por, sikur mos të mjaftonin as të gjitha këto, deputetët arrogant e agresiv të PDK-së sot, fatkeqësisht mu në Parlament përveç kërcënimeve dhe shprehjeve të rënda banale, mësynë edhe të përleshen fizikisht me deputetët e LVV-së, duke tentuar që vendin e përfaqësuesve të popullit, ta shndërrojnë në arenë lufte kundër rivalëve politik për ta turpëruar, e ndoshta edhe demoluar para përfaqësuesve ndërkombëtar dhe kamerave televizive edhe Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kështu që, në kuadër të reagimeve të shteteve mike të Kosovës, kundër skenave të tilla të turpit në parlamentin e Kosovës ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, përveçse ka dënuar sulmet banale kundër ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla, duke i quajtur ato të pamoralshme dhe tërësisht të papranueshme, ai i ka quajtur edhe skenat e sotme arrogante në Kuvendin e Kosovës, të palejueshme”, tha ai.

Analisti thotë se duhet të merret edhe prokuroria dhe sistemi i drejtësisë, duke ua ndaluar paraqitjen në Kuvend, duke i përjashtuar nga paga, madje të mos kenë mundësi më as për kandidim.

Sipas Qarrit, me këta deputetë, skena të tilla do të shohim shpesh, madje duke shuar edhe mënyrën e parlamentarizimit normal në Kosovë.

“Skena marrie, ku përveç përplasjeve pati edhe kërcënime të deputetëve për heqje kokash, të cilat jo vetëm që janë të dënueshme por dhe kërkohet që me to, të merret urgjentisht prokuroria e shtetit dhe sistemi i drejtësisë në vend, duke ua ndaluar iniciatorvë të tillë konfliktuoz të paktën për 3-5 muaj paraqitjen në Kuvend dhe përjashtuar të gjithë ata nga pagat e deputetit, me shënjimin e tyre procedurat e Kuvendit që në zgjedhjet e ardhshme të mos kenë të drejtë kandidimi për deputet. Për aq më keq, ajo që brengosë mbi të gjitha, është fakti se skena të tilla rrugaçërie, jo që po shohim për herë të parë në Kuvend, por duket se me deputet të tillë gjysmanalfabet, arrogant e primitiv, këto skena, pas humbjes katastrofale të partive të kriminalizuara në zgjedhjet e 14 shkurtit, do t’i shohim tejet shpesh dhe mund të bëhen traditë e bezdisshme në parlament, duke shuar edhe mënyrën e parlamentarizmit normal në Kosovë”, ka thënë Qarri.

Ai thekson se me fyerje dhe kërcënime, këta nuk duhet të jenë përfaqësues të popullit, të cilët pagat i marrin nga taksapaguesit e varfër të Kosovës, prandaj duhet që Kuvendi të vendos ligj për rregullat e veprimit në Parlament.

“Ndaj një gjuhë e tillë rrugësh me fyerje, kërcënime e turr për përleshje fizike, nënkupton se tipa me sjellje banditësh nuk mund të jenë përfaqësues të popullit as deputet të një Kuvendi shtetëror, të cilët guxojnë që me defilime të tilla të shpërfaqen në sallën e Kuvendit dhe pa asnjë pasojë dhe konsekuencë për sjelljet e tyre, të vazhdojnë të marrin edhe rroga të majme nga taksapaguesit e varfër të Kosovës. Kështu që kryesia e Kuvendi duhet urgjentisht të nxjerrë një rregullore obliguese mbi kodin e mirësjelljes dhe rregullat e veprimit të deputetëve në Parlament, si dhe të përcaktojë konsekuencat ligjore për shkeljen e tyre, në çfarëdo forme dhe mënyre, që akte të tilla turpi siç vepruan sot deputetët e PDK-së, të njohur për dhjetëra afera kundërligjore, të mos përsëriten më. Ndërsa prokurorisë dhe organeve gjyqësore, tu jepet urdhër që të gjithë të dyshuarit, qofshin ata edhe deputet, sa më shpejtë të vihen në bankën e të akuzuarve dhe të marrin dënimet e merituara për korrupsion e krim të organizuar në periudhat e legjislaturave të kaluara, kur partitë inkriminuara sundonin në mënyrë arbitrare vendin dhe me obstruksione të ndryshme politike për mbi 12 vite qëndruan në pushtet, duke vjedhur e zhvatur çdo gjë në këtë vend”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

“Vetëm fillimi i përplasjeve nga PDK-ja”

Ndërsa, analisti Faton Mehmeti, ka deklaruar se kjo nuk do të jetë hera e fundit e përplasjeve të tilla.

Sipas Mehmetit, këto bëhen nga PDK-ja të cilët nuk njohin gjuhën diplomatike dhe nga kjo vërehet se nuk e përballojnë qëndrimin e tyre në opozitë.

Ai shtoi se ky është vetëm fillimi i përplasjeve, që ndryshe Mehmeti i quan të “sponsorizuara”, nga PDK-ja.

Image
Faton Mehmeti

“Nuk është hera e parë, fatkeqësisht nuk do të jetë as e fundit që ndodhin ngjarje të tilla. Këto përplasje deri në ato fizike janë pasqyrë para popullit se kush i përfaqëson interesat e tyre. Ata që bëjnë veprime të tilla, e që në rastet e shumta janë nga PDK-ja të nxitura, janë njerëz që nuk dinë dhe nuk njohin kulturën dhe gjuhën diplomatike. Nuk njohin as nuk respektojnë mendimin ndryshe, mirëpo mendimin ndryshe e shohin si armiqësi. PDK-ja, duket se nuk e përballon dot qëndrimin në opozitë, andaj ka filluar sulmet ndaj kujtdo që nuk është në përputhje me linjën e saj të kundërshtimit verbal ndaj çdo gjëje që bën qeveria. PDK-ja është në gjendje agonie dhe skena të tilla janë vetëm fillimi i përplasjeve edhe më të rrepta, të "sponsorizuar" nga PDK-ja”, deklaroi Faton Mehmeti për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat