Kush i “përpiu” dy milionë euro nga Thesari i Kosovës? Thirrja urgjente: Përgjegjësit të vendosen para drejtësisë

Politika

Kush i “përpiu” dy milionë euro nga Thesari i Kosovës? Thirrja urgjente: Përgjegjësit të vendosen para drejtësisë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 8 maj 2021 Në ora: 18:39
Foto ilustrim

Në tetor të vitit të kaluar mbi 2.1 milionë euro janë vjedhur nga Thesari i Kosovës. Lidhur më këtë rast Policia e Kosovës ka arrestuar L.G, punëtor i Thesarit, i cili dyshohet se ka bërë transferimin e parave.

Në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike deputetët këtë të mërkure kanë kërkuar të dinë tw vërtetën se pse nuk po kthehen paratë e vjedhjes së 2.1 milionëve në Thesarin e shtetit.

Mirëpo, në lidhje me këtë, ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se as ajo nuk e di arsyen se përse nuk po kthehen në Thesarin e Shtetit 2.1 milionët e vjedhura, derisa dihet se ato janë shpërndarë nëpër subjekte ekonomike dhe individë.

“A keni marrë hapa edhe a kemi garanci se nuk do të ndodhin vjedhje të tilla ashtu siç ka ndodhur ky i 2.1 milionëshit dhe a është marrë diçka në lidhje me atë ose a janë kthyer ato mjete, apo si është situata”, pyeti deputeti Eman Rrahmani, i cili nisi debatin për këtë çështje.

Ndërsa, zëvendësministri i Financave, Ilir Kapiti deklaroi se për këtë çështje janë në pritje të përgjigjes nga Prokuroria e Shtetit.

E më pas se pse paratë nuk po kthehen pyeti edhe deputetja Hykmete Bajrami, e cila ishte në krye të kësaj ministrie kur ndodhi skandali.

Madje, ajo tha se të gjitha siguresat janë vendosur me kohë, janë vendosur siguresa shtesë për secilin hap të transaksioneve në Thesar në atë kohë dhe nuk e di pse ende paratë nuk janë kthyer në Thesarin e Shtetit.

Njohësi i çështjeve politike është i mendimit se figurat përgjegjëse, që nga Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, prokurorët përkatës dhe organet adekuate të drejtësisë, të cilat ende nuk po arrijnë ta rregullojnë ligjërisht këtë çështje, duhet të vendosen menjëherë para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

E, ndryshe mendon njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese. Sipas juristit, Ministria e Financave nuk është vendimmarrëse për kthimin të mjeteve, mirëpo e tërë përgjegjësia për këtë rast është e organeve të rendit.

Qarri: Përgjegjësit të vihet para drejtësisë

Image
Analisti politik, Gani Qarri

Analisti politik, Gani Qarri, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se fakti se mjetet janë grabitur me transferime, të mënyrës tërësisht legale, kjo gjë që lë të nënkuptohet se përveç profesionalizmit në kleptomani, kanë pasur lidhje të forta edhe në Bankën Qendrore, si dhe vet ish Qeverinë Hoti.

“Duke pasur parasysh faktin se parat e vjedhura të cilat duhet urgjentisht të kthehen në Thesarin e shtetit, atëbotë pothuajse janë grabitur me transferime, të mënyrës tërësisht legale, kjo gjë që lë të nënkuptohet, se hajnat përveç profesionalizmit në kleptomani, kanë pasur lidhje të forta edhe në Bankën Qendrore, si dhe vet ish Qeverinë Hoti. Ndaj figurat përgjegjëse, që nga Avdullah Hoti, zonja Hykmete Bajrami, prokurorët përkatës dhe organet adekuate të drejtësisë, të cilat ende nuk po arrijnë ta rregullojnë ligjërisht këtë çështje, duhet të vendosen menjëherë para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, ka thënë analisti Qarri.

Tutje, ai është i mendimit se pas ndryshimeve të ndodhura në vend, figurat e kriminalizuara të cilat për më tepër se 21 vite kanë uzurpuar udhëheqjen e vendit dhe gjithë shtetin e Kosovës duhet të hetohen deri në fund.

“Bashkë me aktet e tyre të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të ndërmerren masa adekuate, për pastrimin e institucioneve të vendit nga mbeturinat korruptivo-kriminale të infiltruar në të gjitha strukturat institucionale dhe shtetërore të Kosovës. Kjo edhe për vet faktin se sidomos pas formimit të ish qeverisë kundërkushtetuese dhe katapultimit të Avdullah Hotit, nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, në krye të saj, duke emëruar zëvendëskryeministër të parë Goran Rakiqin, si dhe futur në koalicion edhe dorën e zgjatur të Vuçiqit si Lista serbe, në fund të qeverisjes së saj, ndodhi edhe skandali i vjedhjes së mbi 2.1 milion eurove nga Arkivi i shtetit, të cilat sot e atëherë nuk u kthyen kurrë më aty, prej nga u vodhën”, tha ai.

Ai tutje ka thënë se e konsideron si të drejtë kërkesën e deputetëve për ta ditur të vërtetën e avullimit të 2.1 milionëve të avulluar.

“Ndaj dhe në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike deputetët me plot të drejtë kërkuan, që përfundimisht të dinë mbi fatin e këtyre parave dhe shkakun se pse 2.1 milionët e vjedhur, ende as sot, nuk po kthehen në Thesarin e shtetit. Kështu që Qeveria e re ka për obligim ligjor dhe kushtetues që ta thërrasë urgjentisht në përgjegjësi Avdullah Hotin dhe ish partnerët e koalicionit kundër kushtetues të qeverisë së shkarkuar nga Gjykata Kushtetuese, bashkë me ish ministren Hykmete Bajrami dhe t’i vendosë në bankën e të akuzuarve, për shkak të skandalit të vjedhjes kriminale të Thesarit të shtetit”, konsideron analisti.

Madje, ai thekson se ish-ministrja Bajrami duhet të jap përgjigje adekuate e arsyetimin faktik dhe t’ua sqarojë organeve qeveritare se pse nuk janë kthyer këto mjete.

“Para drejtësisë duhet të vendosen edhe personat përgjegjës të rendit dhe të ligjit për mosveprimin e drejtësisë së kapur nga partitë e kriminalizuara, për t’i kthyer paratë e vjedhura të qytetarëve të vendit, në arkën e shtetit të Kosovës, të cilat mund t’iu kenë premtuar grupeve të interesit apo personave të caktuar mafioz edhe për diktimin e fushatës zgjedhore, blerjen e votave dhe keqpërdorimin e tyre në fushata elektorale. Për aq më tepër, ish-ministrja Hykmete Bajrami, në vend të deklarimeve të thata e pa përmbajtje, se edhe derisa ajo ishte në krye të ministrisë, është dashur të kthehen paratë, duhet të jap përgjigje adekuate e arsyetimin faktik dhe t’ua sqarojë organeve qeveritare, si dhe popullit të Kosovës se pse nuk janë kthyer ato para, kush urdhëroi vjedhjen e tyre, nga kush po mbahen ato ende peng dhe pse nuk po kthehen parat e vjedhura të Thesarit të shtetit, ose të ulet vet në bankën e të akuzuarës për shkak të papërgjegjësisë dhe të shkojë në burg për ta mbajtur dënimin”, ka theksuar njohësi i çështjeve politike.

Ai ka shtuar se ajo që është më interesante në këtë mes, parat e vjedhura të Thesarit të shtetit, janë transferuar pothuajse në mënyrë tërësisht legale, gjë që lë të nënkuptohet, se këta njerëz kanë pasur lidhje të forta në Bankën Qendrore dhe vet ish-qeverinë Hoti.

“Përndryshe përveç grabitjes ditën për diell në këtë formë kaq bizare, parat e vjedhura, në asnjë shtet tjetër në botë, nuk do të guxonin të mbaheshin për rreth një gjysmë viti peng dhe ish kryeministri Hoti, si dhe ish ministrja e financave të kalojnë pa therrë në këmbë e pa asnjë konsekuencë ligjore, përderisa skandali i vjedhjes së 2.1 milionë eurove nga Thesari i shtetit, vazhdon edhe sot, sikur të mos kishte ndodhur asgjë”, ka shtuar ai.

Ai ka bërë me dije se organet e drejtësisë në vend duhet që sa më parë ta sqarojnë këtë çështje përfundimisht.

“Ndaj si Avdullah Hoti, ashtu edhe zonja Hykmete Bajrami, përfshi prokurorët përkatës dhe organet adekuate të drejtësisë, të cilat ende nuk po arrijnë ta rregullojnë ligjërisht këtë çështje, duhet të vendosen menjëherë para drejtësisë, të pezullohen nga detyra zyrtare dhe të marrin dënimin e merituar, për t’i kthyer sa më parë, parat e vjedhura në arkën e shtetit të Kosovës dhe treguar këtyre njerëzve se përfundimisht ka kaluar koha kur personat e inkriminuar me funksione të larta shtetërore e partiake, mund të jenë edhe më tej, të paprekshëm dhe mbi ligjin”, ka nënvizuar analisti politik, Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

Burjani: Kthimi i parave nuk mund të bëhet pa intervenimin organeve të rendit

Image
Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani

Kurse, nga ana tjetër, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, shpjegon se janë organet e rendit ato që kanë përgjegjësinë për kthimin e mjeteve.

Për një gjë të tillë, Burjani është i mendimit se nuk është vendimmarrëse Ministria e Financave.

“Kjo çështje është për organet e rendit dhe masat që janë marrë për kthimin e mjeteve, Ministria e Financave nuk është vendimmarrëse për kthimin të mjeteve, por kjo është çështje e organeve të rendit masat dhe çështjet tjera duhet të merren nga autoritetet e organeve te rendit”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike.

Krejt në fund, njohësi i kushtetueses, ka deklaruar se kthimi i mjeteve të avulluara nuk mund të bëhet pa intervenimin organeve kompetente.

“Kthimi i parave nuk mund të bëhet pa intervenimin organeve të rendit”, ka deklaruar krejt në fund, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat