“U premtuan që do amnistohen, por u arrestuan”/ Propaganda e turpshme kundër Speciales, “u penduan, por vonë”...

Politika

“U premtuan që do amnistohen, por u arrestuan”/ Propaganda e turpshme kundër Speciales, “u penduan, por vonë”...

Nga: N.Sh Më: 12 maj 2021 Në ora: 21:06
Foto ilustrim nga "Bota sot"/ Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi

Pas arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, opozita, e cila përbëhet në shumicë nga partitë e dala nga lufta në Kosovë, kanë filluar të reagojnë aq shumë, sa që kanë harruar që ishin vetë po ata të arrestuarin që bënë presion që të votohet Gjykata Speciale.

Për këtë çështje, ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se, kjo opozitë tani po e hiperbolizon çështjen e luftës dhe të pjesëmarrësve të sajë, dhe me opinionin po manipulon se po “dënohet UÇK-ja” dhe me këtë po arrihet krijohet edhe atmosfera e rrezikshme e çrregullimit të rendit dhe qetësisë në përmasa të mëdha.

Sipas tij, populli duhet ta pres epilogun e secilit rast me qetësi dhe gjakftohtësi në pritje të vazhdimit të hetimeve dhe gjykimeve që do të ndodhin, sepse të gjithë janë kureshtar ta dinë fundin e gjykimeve për zbardhjen e shumë vrasjeve misterioze që kanë ndodhur, sidomos atyre të bashkëpunëtorëve të afërt të ish Presidentit Rugova dhe të tjerëve.

“Opozita e tanishme që e ka qeverisur gjatë Kosovën, deri në zgjedhjet e fundit, e ka pru në këtë gjendje të mjerueshme për çka edhe ka vite që është bërë atdhe i pa dashur dhe i mërzitshëm për shumicën qytetare. Kjo ishte arsyeja pse elektorati i të gjitha partive pati tronditje të madhe duke u bashkuan nga zhgënjimi që kanë përjetuar për këto vite të qeverisjes së këtyre që tani gjenden në opozitë, dhe me shumicë absolute votash u përcaktuan për qeverisjen e LVV dhe Listën “Guxo””, thotë Tërnava.

Sipas tij,  ata ishin të mësuar për të qenë gjithmonë të veshur me pushtet.

Image
Hajrullah Tërnava

“Kjo qeveri po i pengon shumë opozitës së re për shkak të veprimeve të matura që po i merr sidomos në fushën e sundimit të ligjit, ku në top prioritet janë vendosur Ligji Vetting dhe ai për Konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme. Me këto qëndrime dhe veprime që po ndërmerren nga kjo qeveri tani, është arritur që ish pushtetarët e inkriminuar, ta përjetojnë kulmin e zhgënjimit pas humbjes së pushtetit dhe pritjes për ballafaqim të pashmangshëm me ligjin për të kaluarën e tyre kriminale”, vlerëson ai.

Sipas ekspertit të sigurisë, kundërshtimi i parlamentar opozitar ndaj qeverisë e cila e ka marr mandatin legal dhe shumë legjitim nga shumica qytetare, për herë të parë shumicë shqiptare në parlament, po bëhet me mënyra e mjetet më të pista ndaj kësaj qeverie, prandaj po bëjnë çmos e po provokojnë situata deri në acarim me përleshje fizike, sikur që i patëm skenat në seancën e fundit të Kuvendit, dhe me këtë po e dëshmojnë se tani opozita gjendet në një panik për të ardhmen e tyre.

“Opinioni e ka të qartë se si është formuar Gjykata Speciale, me presione dhe kërcënime të mëdha ndaj atyre që ishin në dilema për ta votuar apo jo. Madje ka pasur edhe kërcënime të hapura ndaj atyre deputetëve që nuk e patën votuar Gjykatën Speciale. Krejt ky presion aso kohe iu bëhej deputetëve jo nga dikush tjetër por pikërisht nga këta që sot gjenden në Hage si të paraburgosur, e sidomos trysni patën bere për tu votuar kjo Gjykatë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, sepse të gjitha gjasat ishin që ata kishin premtime të forta se do të amnistohen, se nuk do të jenë të përfshirë si të akuzuar në këtë gjykatë”, shton ai.

Tërnava thotë se, të vetmit deputetë që e patën kundërshtuar aso kohe Specialen ka qenë partia opozitare LVV, dhe disa deputetë individualisht nga subjekte tjera politike, e të cilët të gjithë së bashku u kritikuan ashpër nga PDK-ja dhe lideri i saj Hashim Thaçi.

“Pasi u formua kjo gjykatë dhe pasi e kuptuan se edhe ata do të jenë të përfshirë në aktakuzat që po ju përgatiteshin provuan që brenda orësh të ndërmarrin aksionin e shpërbërjes dhe të “asgjësimit” ligjor të kësaj gjykate por nuk ia arritën. Tani pikërisht ata që e formuan këtë gjyq, me ato kërcënime që i përdornin, gjenden në një tabor tjetër politik, në opozitë, dhe atë Gjykatë Speciale që vetë e patën formuar po e përdorin për sulm kundër Qeverisë Kurti e cila i ka duart e lira pasi që aso kohe e pati kundërshtuar”, thekson ai.

Ai shton se, pendimi i tyre erdhi tash kur u zbardhën aktakuzat e para me emër e mbiemër, por kjo është një pendesë e tyre tepër e vonuar.

“Gjykata Speciale u votua nga deputet të Kuvendit të Kosovës, u propozuar aso kohe me ligj nga Qeveria e Kosovës e atij mandati që drejtohej nga Hashim Thaçi, prandaj si e tillë është pjesë e institucioneve të drejtësisë së Kosovës, e integruar ligjërisht në kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Me këto sjellje të pa matura që po i bëjnë opozitarët e sotëm kundër Gjykatës Speciale po na japin të kuptojmë se këta gjenden në panik të plotë për të bërat e tyre gjatë dhe pas luftës, e sidomos kur e kanë kuptuar se tani në pushtete gjenden njerëz të pastër me ligjin. Me këto veprime dhe kundërshtime të tashme ndaj Gjykatës Speciale, duke i identifikuar disa individ të akuzuar për krime lufte me të gjithë̈ luftëtarët e ndershëm e të pastër të UÇK-s, është duke ju bërë një dëm tepër i madh nga të inkriminuarit të kaluarës së lavdishme dhe të pa kontestueshme të luftës dhe rezistencës popullore për liri, vetëm për të mbrojtur interesat e tyre individuale dhe tepër kriminale, edhe me disa emra të rijnë që do të përfshihen nga përndjekja e kësaj gjykate”, përfundon Hajrullah Tërnava.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat