Deklarata shokuese: “Ish këshilltarja e Thaçit, Dhurata Hoxha kishte paguar 168 mijë euro për të promovuar ndarjen e Kosovës”

Politika

Deklarata shokuese: “Ish këshilltarja e Thaçit, Dhurata Hoxha kishte paguar 168 mijë euro për të promovuar ndarjen e Kosovës”

Nga: N.Sh Më: 12 maj 2021 Në ora: 22:47
Dhurata Hoxha

Ideja për ndarjen e Kosovës, apo ndryshimin e kufijve ose ndërrimin e territorit me Serbinë është ide e kamotshme.

Mirëpo, me këtë ishte pajtuar ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas analistit politik Gani Qarrit, një ide e tij e përkrahur nga Thaçi, kishte filluar qysh nga viti 2018.

Ai thotë se, në qeverisjen e PAN-it e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ishte paguar mbi 168 mijë euro nga ish ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha për një firmë franceze për të promovuar ndarjen e Kosovës.

“Nga 25 korriku i vitit 2018 dita kur kuislingu Hashim Thaçi, në forumin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, mbajtur në Alpbach të Austrisë doli me kërkesën publike drejtuar ndërkombëtarëve për ndarjen e Kosovës, dhe sipas hulumtimit të organizatës BIRN, me urdhër të tij, në anën tjetër Dhurata Hoxha ish këshilltare e Thaçit dhe ministre e PDK-së për Integrime Evropiane, në qeverinë e PAN-it, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, kishte angazhuar edhe një firmë të fuqishme franceze, si ajo "Majorelle PR & Events" duke i paguar asaj mbi 168 mijë euro para të thata të taksapaguesve të varfër të Kosovës, për të promovuar ndarjen e Kosovës kudo në botë, nga atëherë nuk kanë pushuar më asnjëherë përpjekjet për ndarje dhe gllabërimin e Veriut të vendit tonë, nga Serbia”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Ai tregon se Thaçin e Ramën i kishte akuzuar ish-kryeministri Haradinaj për jetësimin e ndarjes së Kosovës.

Image
Gani Qarri

“Për aq më tepër, spekulimet për marrëveshje të fshehta dhe përpjekjet publike për të plotësuar orekset e Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit, kanë  qenë të pareshtura që nga Hashim Thaçi e deri tek Edvin Kristaq Rama, i cili jo vetëm se luante më së shpeshti me harta ku Kosova paraqitej si territor i Serbisë, por edhe Ramush Haradinaj e pati akuzuar publikisht se kishte marrë premtime për shuma miliardëshe nga Vuçiqi, për jetësimin e ndarjes së Kosovës”, shton ai.

Ai thekson se, tashmë pas shkuarjes në Hagë të Thaçit e Veselit, Vuçiqit i ka mbetur vetëm Edi Rama, për të cilin thotë se se shërbimet serbo-ruse fabrikuan një “non-paper”.

“Ndaj me burgosjen e miqve të Vuçiqit nga Gjykata Speciale e Hagës dhe shkuarja e bashkëpunëtorëve të tij nga udhëheqja shtetërore e Kosovës, Vuçiq duket se fillimisht angazhoi argatin e vetëm që tanimë i kishte mbetur në mesin shqiptarëve, Edi Ramën që në bashkëpunim me shërbimet e fshehta serbo-ruse, ta fabrikonin një "non-paper" e publikonin në Bruksel, për ndarje të reja dhe krijimin e Serbisë së Madhe duke marrë ajo mbi gjysmën e Bosnjës e bashkuar atë Serbisë, ndërsa Veriun e Kosovës, në vend të gllabërimit të menjëhershëm, ta shpallnin fillimisht si territor autonom, për ta ndarë më vonë, pasi të kenë mbaruar punë me shkatërrimin përfundimtar të Bosnjës e Hercegovinës”, thotë ai.

Por sipas tij, hasja në reagime të forta të BE-së dhe SHBA-ve, si dhe paralajmërimi për fillimin e punës në Kosovë për përgatitjen e padisë për gjenocid e krime lufte, kundër Serbisë okupatore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë duket se detyroi Serbinë që me miqtë e saj brenda vet BE-së, si Josep Borell dhe Mirosllav Lajçak, ta përpiloi tanimë edhe një "non-paper", tjetër, si strategji për kundërvënie nismës së Albin Kurtit dhe Qeverisë së re të Kosovës, për ngritjen e padisë ndërkombëtare, kundër Serbisë, për gjenocid dhe krime lufte ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë.

“Krime dhe gjenocid të cilat ndodhën, mu në kohën kur edhe vet krimineli Vuçiq ishte ministër i informatave në qeverinë pushtuese të kasapit Sllobodan Millosheviq, kështu që vetëm ngritja e padisë dhe ulja e Serbisë në bankën e të akuzuarave, para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, edhe nëse ajo nuk do të përfundonte 100 %, në favor të Kosovës, do të ishte një dëm i papërshkrueshëm për Vuçiqin dhe Serbinë, kurse një arritje e madhe dhe historike për Kosovën pas  bllokimit të qëllimshëm mbi 21 vjeçar të saj,nga kuislingu  Hashim Thaçi dhe qeveritë e inkriminuara, që sunduan mbi 12-13 vite arbitrarisht këtë vend. Dhe sikur të mos mjaftonin manipulimet e deritanishme me “non-paper”, në një diskutim të zhvilluar nga krerët e diplomacisë së Bashkimit Evropian, me 10 maj, në Bruksel mbi angazhimin politik të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor për forcimin e sigurisë dhe partneritet në përballjen e sfidave globale”, vet përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell, paralajmëroi para ministrave, paraqitjen edhe të një “non-paper” të ri, qëllimi i të cilit, sipas Borellit është anëtarësimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në BE, tani edhe me “non-paper”!?”, thotë Qarri.

Ndaj sipas analistit politik, nëse edhe dokumenti i përfolur si "non-paper", i ri i BE-së, përfshinë serish ri vizatimin e hartave, lëvizje kufijsh dhe tjetërsime territoresh, mu para rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi edhe nëse askush nuk e di saktësisht, përmbajtjen dhe qëllimin e tij, Kosova do ta përjetojë këtë si një rrezik të ri, për cenimin territorial të vendit, pazare të reja për kufij dhe përpjekje për uljen e vlerës, së padisë për gjenocid e krime lufte, kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Për aq më tepër, duke pasur parasysh faktin se kundërshtimi më arrogant dhe agresiv ndaj ngritjes së padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, kundër Serbisë okupatore, për gjenocid dhe krime lufte ndaj shqiptarëve në Kosovë, ende pa u përgatitur padia, po vije pikërisht nga argatët agresiv shqipfolës të Serbisë në Kosovë, ku me propagandë joprofesionale prinë TV-T7 të cilët pa qenë kurrfarë ekspertësh të kësaj lëmie, po përpiqen publikisht ta pengojnë ngritjen e padisë, kundër Serbisë dhe rëndojnë edhe më shumë vuajtjet e familjarëve, që kanë humbur bijtë dhe bijat e tyre, kjo vërtetë krijon pezëm dhe habi të pashpjegueshme, sidomos te familjarët dhe të afërmit e të rënëve e të kidnapuarve në luftë, për mijëra prej të cilëve, ende kanë mbetur varret e hapura në Kosovë”, shton tutje ai.

Qarri pohon se, pas më tepër se 21 vite nga mbarimi i luftës, mbi 1674 prej tyre edhe sot vazhdojnë të mbahen penga nga Vuçiqi në Serbi, ndërsa kufoma tjera dhe pjesë trupash të copëtuara të shqiptarëve, vazhdojnë të zhvarrosen në të gjitha pjesët e Serbisë, ndaj Qeveria e re duhet të jetë tepër e kujdesshme, sidomos me shërbëtorët e brendshëm të Serbisë në Kosovë, sepse pengesat më të mëdha për ngritjen e padisë kundër shtetit okupator serb, shihet qartë se do ti ketë, pikërisht nga diletantët e partive të kriminalizuara, që për më tepër se dy dekada me radhë, penguan çdo hap në këtë drejtim, se sa pengesat që mund të vijnë nga ekstremistët serb në Beograd dhe vet Serbia okupatore, e cila pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, nuk mund të ndërhyjë më, në çështjet e brendshme të Kosovës, ndaj ka ndërsyer në sulm TV-T7 dhe argatët e saj. 

“Kështu që mbirja kaq "spontane" e "non-paper-ve" të rinj, nuk është gjë tjetër përveçse edhe një projekt i ri, kundër Qeverisë së kryeministrit Kurti dhe Republikës së Kosovës si dhe përpjekje për zhvlerësimin e padisë së shtetit të Kosovës, për krime e gjenocid, kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku Serbia qysh më 22 korrik të vitit 2010 , e ka humbur 100% edhe përballjen e parë juridike, me ç ‘rast u vërtetua edhe nga organi më i lartë i OKB-së, legjitimiteti i pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe nga atëherë Kosova është njohur nga rreth 120 vende anë e mbanë botës si dhe është pranuar anëtare me të drejta të plota, në shumë organizata të njohura rajonale e ndërkombëtare”, pohon ai.

Qarri nuk sheh asnjë arsye tjetër, që dokumente të tilla të ndjeshme, të publikohen kaq lirshëm dhe atë, mu në qendrën kryesore dhe më të fuqishme të BE-së, “të cilat po ngjasojnë kryekëput me dosjet e riprodhuara të Gjykatës Speciale, që barteshin pa asnjë pengesë, ditën me diell, publikisht dhe me postier ordiner, dhe sa herë binin pakot e mbushura, çdo herë linin porosinë, se do të pasojnë edhe dosje tjera, gjë që mund të përsëritet edhe me riprodhimin e "non-paper-ve" dhe hartave të reja, deri në momentin përfundimtar të marrëveshjes me Serbinë, si formë e presionit mbi Qeverinë e re dhe Republikën e Kosovës, për jetësimin e pazareve të kuislingut Hashim Thaçi & Co, maja e ajsbergut të të cilave, fatkeqësisht megjithëse ende nuk është zbardhur në tërësi, duket se do të jetë vërtetë me shumë rrezik, për Kosovën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat