Serbia po luan me “dy karta”, Kosovës i kërkohet të ketë kujdes

Politika

Serbia po luan me “dy karta”, Kosovës i kërkohet të ketë kujdes

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 13 maj 2021 Në ora: 13:43
Qeveria e Kosovës

Çështja e Kosovës dhe Serbisë mbetet ende një temë e pa përfunduar edhe pse ndërhyrjet nga shtetet ndërkombëtaret po vazhdojnë të jenë prezent.

SHBA dhe BE janë ato të cilat vazhdimisht kanë potencuar që nevojitet sa më shpejt një finalizim i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo që e njëjta mbetet të jetë sfiduese, shkruan “Bota sot”.

Muajin që po lëmë pas, përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, njoftoi se në qershor do të rinis dialogu mes dy shteteve.

Mirëpo, si duket është përsëri Serbia ajo e cila nuk i ndal provokimet dhe vazhdon të deklarohet se nuk do të ketë njohje të Kosovës nga ana e saj.

Ishte Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, i cili tha ditë më parë se askush nuk mund të presë nga Serbia që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Por ai thekson që Qeveria e Serbisë është e përkushtuar në dialogun të mbështetur nga BE-ja dhe vlerëson se mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje është nëpërmjet kompromisit të dalë nga dialogu.

“Nëse dikush pret nga Serbia që thjeshtë ta njoh pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë, atëherë nuk do të ndodhë kjo. Nuk është e lehtë. Ne besojmë se mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje mund të jetë nëpërmjet kompromisit, por këto kompromise nënkuptojnë se të dyja palët në këtë proces nuk do të jenë plotësisht të kënaqura dhe asnjëra palë nuk do të marrë çdo gjë”, ka thënë Selakoviq në një intervistë.

Ndaj kësaj deklarate ka pasur edhe reagime, ku eksperti dhe njëherësh profesori amerikan, Alon Ben Meir, tha se Serbia nuk ka rrugë tjetër përveç se ta njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Eksperti ndër të tjera shprehet se nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nëse nuk do të ketë njohje të ndërsjellë, përcjell “Bota sot”.

Sipas tij, këtë gjë duhet t'ia bëjë të qartë Serbisë, BE dhe SHBA-të.

Ndërsa, njohësit e çështjeve politike, për “Bota sot” u shprehën se deklaratat e tilla nga Serbia nuk duhet të merren parasysh, pasi që sipas tyre, ajo nuk ka rrugë tjetër përveç se ta njoh Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik.

Shahu: Kosova është shtet i pavarur, sa ta kuptojë Serbia do vuajë vet

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se këto deklarata janë vetëm sa për të marrë vëmendjen, pasi që as Kosova e as Serbia nuk mund të nënshkruajnë pa praninë e faktorëve ndërkombëtarë, e as të marrin ndonjë vendim tjetër.

“As Kosova as Serbia nuk kanë fuqi të vendosin vetë e të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje, nuk kanë fuqi të negociojnë pa praninë e faktorit ndërkombëtar. Retorika është një garë mes drejtuesve të Kosovës dhe të Serbisë. Por asgjë më shumë, ministri serb i bie patkoit, kryeministri shqiptar Kurti i bie thumbit, herë njëri thumbit e tjetri patkoit”, u shpreh Shahu.

Image
Rexhep Shahu

 

Tutje, analisti shton se Evropa është e treguar e pafuqishme në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe të gjendur kështu, puna i mbetet Amerikës.

Gjithashtu, Shahu thotë se Serbia do ta vuajë momentin kur përnjëmend e sheh se Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik.

“Evropa ka treguar pafuqi të zgjidhë çështjen e bisedimeve shqiptaro-serbe, ndaj si çdo gjë e rëndësishme e botës ajo mbetet në duar të amerikanëve. Amerika me prani e trysni do ta zgjidhë çështjen edhe pa pëlqimin e kryeministrit Kurti apo presidentit Vuqiq që shalojnë mjegullat. Bisedimet nuk bëhen me lajme e kronika shtypi, por me ulje koprtentesh. Kosova është shtet i pavarur, sa ta kuptojë Serbia, do vuajë vetë”, theksoi Shahu për “Bota sot”.

Krasniqi: Serbia nuk ka rrugë tjetër përveç se ta njoh Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik

Ndërsa, analisti politik Islam Krasniqi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se nuk duhet të merret seriozisht deklarata e ministrit të jashtëm serb.

Sipas tij, Serbia po luan me dy karta, në njërën anë thotë se është e gatshme për dialog ndërsa nga ana tjetër nuk pajtohen me realitetin.

Image
Islam Krasniqi

 

“Deklaratën e ministrit të jashtëm serb askush se merr si serioze, pasi që s’mund të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse pa njohje reciproke. Politika serbe po luan me dy karta, ku në njërën anë thonë se janë të përkushtuar në lidhje me dialogun gjersa në anën tjetër nuk mund të kuptojnë apo të pajtohen me realitetin”, tha analisti.

Nga ana tjetër, Krasniqi potencon që Serbia nuk ka rrugë tjetër veçse ta njoh Kosovën sepse është e vetmja rrugë që mund të kalojë Serbia në BE.

“Kosova është shtet i pavarur dhe Sovran dhe pos njohjes s'ka zgjidhje tjetër për shtetin serb. Nëse dëshiron rrugëtimin drejt BE-së dhe për të çliruar edhe veten nga politika fashiste e regjimit të Miloshoviqit”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat