Publikimi i “non-papers” - Situata alarmante në Ballkanin Perëndimor, vjen thirrja urgjente për Bashkimi Evropian

Politika

Publikimi i “non-papers” - Situata alarmante në Ballkanin Perëndimor, vjen thirrja urgjente për Bashkimi Evropian

Arife Morina Nga Arife Morina Më 15 maj 2021 Në ora: 08:26
Non-paper

Bashkimi Evropian po vazhdon ta ‘bllokojë’ Ballkanin Perëndimor, duke mos hapur dyert e saj për anëtarësimin e shteteve të këtij rajoni.

Duke parë që marrëdhëniet në mes disa shteteve ballkanike vazhdojnë të jenë të destabilizuara, mungesa e integrimit të BE po i tensionon edhe më shumë raportet e këtyre të fundit (rasti Kosovë-Serbi).

Madje, muajt e fundit janë publikuar disa dokumente të ashtuquajtura ‘non-paper” përmes të cilave po synohet që të ndryshohen e kufijtë e shteteve të rajonit, përfshirë edhe Kosovën.

Natyrisht, që publikimi i këtyre dokumenteve ka hapur mundësi të reja për shpërthimin e  ndonjë konflikti apo lufte të re në rajon, ku një gjë e tillë do të ishte fatale për rajonin.

Një nga fajtorët për publikimin e këtyre ‘non-paperave’ po vlerësohet të jetë Bashkimi Evropian dhe hezitimi i tij për të pranuar në ‘gjirin’ e saj shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Së fundmi, në lidhje me këto dokumente mbi ndarjen dhe ndryshimin e kufijve të shteteve ballkanike, ka folur politikani dhe diplomati suedez Cark Bildt.

Ai kërkoi nga BE që të zgjohet nga gjumi dhe të luftojë ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor.

Bildt tha se këto ‘non-paper’ kanë rrjedhë si shkak i mos realizimit të planit A të shteteve të rajonit – për integrimin në Bashkimin Evropian, ku menjëherë u ndërmor një plan B, ku përfshiu konflikte dhe kufij të rinj në rajon.

Njohësit e çështjeve politike, të kontaktuar nga gazeta “Bota sot” u pajtuan plotësisht me deklaratën e diplomatit suedez Bildt, duke fajësuar BE-në për shfaqjen e dokumenteve mbi ndarjen dhe ndryshimin e kufijve të shteteve ballkanike.

Madje, ata kërkuan nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian që të reagojnë menjëherë, duke hapur dyert për integrimin e këtyre shteteve, në mënyrë të zhbërjes së “planit B”, për ndryshim të kufijve.

Gjithashtu, analistët treguan edhe pasojat që mund të vijnë si rrjedhojë e realizimit të planit për shkëmbimin dhe ndryshimin e kufijve.

Halili: Procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor ka pësuar një vdekje cerebrale 

Anëtari i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA, njëherësh edhe analisti politik, Nijazi Halili tha se procesi i integrimit në BE i Ballkanit “ka pësuar një vdekje cerebrale” vitet e fundit.

Image
Nijazi Halili

Ai për gazetën “Bota sot” u shpreh se udhëheqësit e shteteve të rajonit nuk e kanë ndihmuar çdo herë procesin për anëtarësimin në familjen evropiane. 

“Për të cituar një burrështetas të famshëm evropian, procesi i integrimit në BE i Ballkanit “ka pësuar një vdekje cerebrale” vitet e fundit. Vetë udhëheqësit në rajon nuk kanë ndihmuar gjithmonë procesin e integrimit drejt familjes evropiane”, deklaroi Halili. 

Halili paralajmëroi se ngecja në procesin e integrimit të rajonit në BE do të mund të ketë pasoja fatale, duke paralajmëruar edhe rishfaqje të tensioneve të vjetra. Ai në këtë rast, përmendi edhe dhunën në Belfast, duke thënë se një gjë e tillë mund të ndodhë edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. 

“Por me ngecjen e procesit të zgjerimit dhe dobësimin e procesit të integrimit për rajonin, është e pashmangshme rishfaqja e tensioneve të vjetra. Javët e fundit u rikthye dhuna në rrugët e Belfast, ndërsa u zhduk korniza për marrëveshjen e paqes në Irlandën e Veriut që u sigurua nga Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar kur ishin që të dyja anëtare të BE-së (edhe pse dhuna nuk është vetëm për shkak të mosmarrëveshjes BE-Britani për kufirin detar). E njëjta logjikë e ngjarjeve në Belfast, rrezikon të rishfaqet në Ballkan në vitet në vijim. Përpjekjet e vjetra ndërkombëtare për të sjellë paqe në rajon pas shpërbërjes së Jugosllavisë, u bazuan në premisën themelore të ruajtjes së kufijve ekzistues.”, deklaroi anëtari i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA.

Në vazhdim, analisti tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të i kundërshtoj këto ‘non-papera’, në mënyrë që të ruhet shoqëria multi-kulturore në Bosnjë, Maqedoni, Kosovë, Serbi e Kroaci. 

“Por, bashkësia ndërkombëtare qëndroi e vendosur dhe i  kundërshtoj këto veprime,  duke synuar që ta ruajë shoqërinë multi-kulturore në Bosnjë dhe Maqedoni të Veriut dhe të mbrojë pakicat kudo tjetër, në Kosovë, Serbi dhe Kroaci”, theksoi ai.

Mirëpo, duke parë që anëtarësimi në BE po vonohet, Halili u shpreh se duhet përgatitur për mundësinë e rishikimit të kufijve dhe pranimin e një vale të re të zhvendosjes etnike të njerëzve në të gjithë rajonin. 

“Dokumenti jo zyrtar dhe pa autor, ‘non-paper po argumenton se nëse Plani A nuk funksionon më, ne duhet të bëhemi gati për një Plan B, që përfshin rishikimin e kufijve dhe pranimin e një vale të re të zhvendosjes etnike të njerëzve në të gjithë rajonin (paqësor ose me dhunë)”, nënvizoi ai.

Në fund, Halili tha se duke parë që në të ardhmen mund të përballemi me një realitet brutal, duhet të shpresojmë që Evropa të reagojë dhe të e luftojë në çdo mënyrë, ndryshimin e kufijve të shteteve ballkanike.  

“Ajo përbën një deklaratë brutale mbi realitetin brutal që mund të na presë në të ardhmen. Në këto kushte, mundet vetëm të shpresohet që ky dokument konfidencial do të shërbejë si një thirrje zgjimi për BE-në dhe të tjerët, mbi rreziqet e një procesi të bllokuar të zgjerimit, dhe interesit të zbehur me shpejtësi të Brukselit mbi punët e rajonit. Andaj, BE duhet te zgjohet nga gjumi dhe me çdo kusht te luftoj ndryshimin e kufijve ne Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Nijazi Halili.

Krasniqi: BE duhet ta parandalojë një konflikt të ri në Ballkan 

Edhe njohësi i çështjeve politike dhe njëherësh avokati i popullit, Islam Krasniqi në një prononcim për gazetën “Bota sot” e mbështeti deklaratën e diplomatit suedez, Carl Biltd, i cili fajësoi Bashkim Evropian për idenë e ndryshimit të kufijve përmes ‘non-paper’ të ndryshëm.

Image
Islam Krasniqi

Ai tha se BE është dashur që t'i pranojë shtetet e Ballkanit Perëndimor në ‘shtëpinë’ e tyre.

“Bashkimi Evropian  është dashur t'i hap dyert për Ballkanin Perëndimor duke i lehtësuar edhe procedurat për tu bërë anëtarë në Shtëpinë e Madhe.  Deklarata e diplomatit suedez Cark Biltd lidhur me dokumentet ‘non-paper” është shumë e vërtet”, deklaroi Krasniqi.

Tutje, ai tregoi arsyet se pse pajtohet me diplomatin suedez Biltd.

Kjo për shkak se bllokimi i shteteve të rajonit nga BE për anëtarësimin e tyre, ka nxitur përfaqësuesit e disa shteteve që të përpilojnë dokumente për ndryshimin e kufijve.

“Sepse BE-ja ka bllokuar anëtarësimin e vendeve të rajonit dhe si pasojë e këtyre mund edhe të rrjedhin dokumente të tilla, të cilat nëse provohen të praktikohen mund të sjellin edhe konflikte për rajonin, pasi që  çdo lëvizje e perit të kufijve mund të jetë me pasoja afatgjate, sepse nuk dihet ku ndalet”, u shpreh analisti.

Në fund, Krasniqi tha se tani është koha e fundit që BE të hap rrugët për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit, pasi nëse nuk bëhet një gjë e tillë, krijohen rrethana për një ‘shpërthim’ të konfliktit të ri në rajon.

“Andaj është koha e fundit ku BE-ja duhet ta hap rrugën për Ballkanin Perëndimor që t'i fus në brendinë e saj për ta mbyllur edhe një zotim të saj, duke e parandaluar edhe një konflikt të ri në Ballkan. Duke e ditur së dokumentet  e tilla, si "Non paper" të cilat bëhen për të testuar edhe çështjen faktike dhe që dikush ka interes të drejtpërdrejt mund t'i shty përpara duke prekur kufijtë dhe duke krijuar një konflikt të ri apo copëtuar sovranitetin e njëri-tjetrit dhe duke i larguar qytetarët nga një territor në tjetrin”, përfundoi Islam Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat