Mesazhet e koduara të Aleksandër Vuçiqit – ja çfarë po planifikon para rifillimit të dialogut

Politika

Mesazhet e koduara të Aleksandër Vuçiqit – ja çfarë po planifikon para rifillimit të dialogut

Arife Morina Nga Arife Morina Më 17 maj 2021 Në ora: 08:31
Aleksandër Vuçiq dhe Albin Kurti

Rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi, po i paraprijnë shumë zhvillime politike dhe deklarata thumbuese nga zyrtarët shtetëror të Serbisë, më saktësisht të presidentit Aleksandër Vuçiq. 

Ku ky i fundit, me një deklaratë të tij, shkaktoi konfuzitet dhe reagime të shumta.  

Para disa ditëve, presidenti serb Vuçiq nga Beogradi ka paralajmëruar se pritet tërheqja e trupave të KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova. Ai u shpreh se informacionet janë nga “burimet zyrtare”, por se nuk mund të thotë se për cilën fuqi bëhet fjalë. 

“Kemi marrë informacione se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë një kërkesë zyrtare për tërheqjen e KFOR-it dhe UNMIK-ut, nga Kosova. Do të përpiqem të flas me Stoltenbergun për të bërë gjithçka të mundur që kjo të mos ndodhë”, ka thënë Vuçiq të enjten. 

Sipas tij, tërheqja e KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova do të ishte "një katastrofë". 

Po ashtu, presidenti serb Vuçiq tha se do të përpiqet të flasë për këtë çështje me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin pritet të takohet më 17 maj në Bruksel. 

Njohësit e çështjeve politike për gazetën “Bota sot”, komentuan mundësinë e tërheqjes së KFOR-it dhe UNIMK-ut nga Kosova dhe deklaratat e Vuçiqit. 

Ata këto deklarime i cilësuan si propaganda të Serbisë në prag të rifillimit të dialogut me Kosovës. 

Gjithashtu, analistët treguan edhe qëllimet e Vuçiqit.  

Shahu: KFOR-i do të jetë në Kosovë, sa të ketë Vuçiqa që kërcënojnë paqen 

Image
Rexhep Shahu

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar mundësinë e tërheqjes së trupave të KFOR-it nga Kosova, duke u bazuar në deklaratën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Ai tha se këto janë vetëm kërcënime të pavlera të Vuçiqit,  pasi çështja e Kosovës është temë e kryer, është vendi i lirë dhe KFOR-i do të qëndrojë në Kosova, deri sa të ketë njerëz si Vuçiqi. 

“Janë kërcënime të Vuçiqit, që besoj nuk kanë vlerë. Kosova është kryer, është bërë, është realizuar, është vend i lirë, i njohur botërisht nën kujdesin amerikan dhe garancinë amerikane. Natyrisht që KFOR-i do të jetë në Kosovë sa të ketë Vuçiq që kërcënojnë e turbullojnë ujërat dhe paqen”, deklaroi Shahu. 

Tutje, analisti tha se shteti i Kosovës është një projekt lirie i Amerikës dhe fuqive të mëdha, ku nuk varet as diktohet nga asnjë fuqi, nga asnjë propozim. 

"Kosova nuk është një eksperiment, ta shohim si do dalë, ajo është një projekt lirie i Amerikës dhe fuqive të mëdha. Amerika si sponsorizuese dhe garantuese e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës nuk varet as diktohet nga asnjë fuqi, nga asnjë propozim”, theksoi Rexhep Shahu, përcjell “Bota sot”.

Qarri flet për mesazhet e koduara të Vuçiqit, këto janë prapavijat e deklaratës për tërheqjen e KFOR-it

Image
Gani Qarri

Kurse, analisti tjetër politik, Gani Qarri u shpreh se çdo ndryshim i misionit të KFOR-it dhe UNMIKU-ut, varet nga vendimet e mbikëqyrësve përkatës të tyre, si p.sh. për UNMIK-un Këshilli i Sigurimit të OKB-së ndërsa për KFOR-in Aleanca Veri atlantike. 

Duke u bazuar në këtë, ai tha se deklaratat e presidentit serb Vuçiq janë të pavërteta, të cilat përmbajnë një mesazh të koduar me domethënie dy kahëshe, një për opinionin në Serbi dhe tjetri për përfaqësuesit e BE-së në Bruksel 

“KFOR-i dhe UNMIK-u janë dy misione të ndryshme, e të ndara nga njëra tjetra, me veprime dhe praninë e vet zyrtare dhe fizike në Republikën e Kosovës, ndaj për çfarëdo ndryshimi të misionit, për secilin nga to, si segmente të veçanta, vendimet i marrin mbikëqyrësit përkatës të tyre, si p.sh. për UNMIK-un Këshilli i Sigurimit të OKB-së ndërsa për KFOR-in Aleanca Veriatlantike. Kurse sa i takon deklaratës së presidentit serb Aleksandër Vuçiq se vendi i tij ka informacione nga burimet e inteligjencës, kinse një nga Fuqitë e Mëdha, do të kërkojë zyrtarisht tërheqjen e forcave të KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova, kjo nuk ka të bëjë aspak me të vërtetën, por më tepër është një mesazh i koduar me domethënie dykahëshe, një për opinionin në Serbi dhe tjetri për përfaqësuesit e BE-së në Bruksel”, theksoi Qarri. 

Analisti shpërfaqi edhe një qëllim të Vuçiqit lidhur me vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, ku tha se presidenti serb do të tentoj të dakordimin dypalësh, për shuarjen e misionit të UNMIK-ut, në Kosovë. 

“Pikësëpari me këtë të ashtuquajtur paralajmërim, Vuçiqi përpiqet tërthorazi, ta përgatisë opinionin në vendin e vet, se në bisedimet që pritet të rifillojnë së shpejti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka indicie të forta, se një nga temat kryesore që do të trajtohen, do të jetë pikërisht, arritja e dakordimit dypalësh, për shuarjen e misionit të UNMIK-ut, në Kosovë, prania e të cilit, është fare e panevojshme, që nga shpallja e Kosovës shtet i pavarur, ndaj nga institucionet e vendit tonë edhe është kërkuar në vijimësi, shuarja e tij si mision, por që deri më tani, këtë e ka penguar Serbia”, nënvizoi ai. 

Kësisoj, Qarri potencoi se këto deklarata të Vuçiqit më shumë përkojnë me pritjet që do të prodhojë dialog me Kosovën, se sa me realitetin. 

Ai shtoi se presidenti serb po i frikësohet shuarjes së UNMIK-ut në Kosovës, për arsye se kjo organizatë ka qëndrim neutral ndaj statusit të shtetit tonë, e është koha e fundit që të shuhet dhe mos ekzistojë më. 

“Kështu që deklaratat e Vuçiqit më tepër përkojnë me realitetin e zhvillimeve që pritet të prodhojnë bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, se sa me konspiracione të shërbimeve të fshehta serbe dhe ruse në rajon, për vet faktin se në dialogun që së shpejti pritet të rifillojë, ndërmjet dy vendeve, me përfundimin e tij, duhet të ndodhin ndryshimet e nevojshme progresive edhe sa i përket pranisë së misioneve të huaja në Kosovë, e që në radhë të parë është vet shuarja e UNMIK-ut, akt të cilit i frikësohet Vuçiqi shumë. 

Për aq më tepër, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008, të gjitha kompetencat që ka pasur deri atëherë ky mision, kanë kaluar në përgjegjësi të institucioneve të Kosovës dhe as që ka pasur më nevojë, të jetë i pranishëm në vend, por me insistimin e Serbisë, ka ngelur UNMIK-u në Kosovë vetëm për faktin se është neutral ndaj statusit të shtetit tonë, e është koha e fundit që të shuhet dhe mos ekzistojë më”, deklaroi analisti. 

Në vazhdim, ai tregoi se çfarë ndodhë nëse shuhet UNMIK-u në Kosovës deh arsyet se pse Serbia po i frikësohet kaq shumë kësaj gjëje. 

“Ndaj duke qenë se për shuarjen e plotë të UNMIK-ut, vendimin nuk mund ta marr Kosova, por themeluesi i tij, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, edhe pse nga viti 2008,nuk ka më kompetenca ekzekutive dhe mund të mbetej vetëm si zyrë përfaqësuese e OKB-së në Kosovë, me insistimin e Serbisë, ende figuron si mision, ani pse ai më tepër krijon probleme se sa zgjidh ato në Kosovë, por pasi që me gjasë kërkohet dakordimi i të dy palëve dialoguese, Vuçiqi si dhelpër e vjetër që është, dëshiron ta shes sa më shtrenjtë që të jetë e mundur, miratimin e shuarjes së tij”, u shpreh analisti. 

Qarri tha se Vuçiqi po sinjalizon se mund të jetë paraparë që në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, të arrihet dakordimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për shuarjen e misionit të UNMIK-ut. 

“Pra deklarata e Vuçiqit sinjalizon se gjatë zhvillimit të bisedimeve, mund të jetë paraparë që në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, të arrihet dakordimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për shuarjen e misionit të UNMIK-ut, në Kosovë, akt që nga Brukseli do ti përcillej si raport me shkresë zyrtare Këshillit të Sigurimit, i cili pas një vendimi të tillë do të jetë i obliguar të mblidhet dhe ta votojë shuarjen e UNMIK-ut, si mision në Kosovë, gjë që nuk i pëlqen Serbisë, sepse e ka të vetmin bastion, ku përveç pranisë së spiunëve rus, të kamufluar si pjesëtar të UNMIK-ut, edhe vepron sipas kërkesave të Serbisë dhe del hapur në mbrojtje të ekstremistëve serb në Veri”, potencoi ai. 

Tutje, analisti u rikthye në kohë, në vitin 2019 kur, kur zyrtari rus me makinë  të UNMIK-ut, i kishte bllokuar rrugën policisë së Kosovës. 

“Praktikisht këtë e kemi parë të gjithë edhe me 28 maj të vitit 2019, kur zyrtari rus me makinë  të UNMIK-ut, i kishte bllokuar rrugën policisë së Kosovës, për ta penguar misionin saj, përderisa policia e shtetit kishte urdhër të bastiste disa lokacione dhe arrestonte individ të dyshuar për lidhje me kontrabandën në Veri të Kosovës, përfshi edhe zyrtar dhe oficer të policisë së Kosovës, nga komuniteti serb, për përfshirje në kontrabandë, e cila u detyrua që fillimisht ta arrestonte zyrtarin rus në fjalë, të kamufluar me uniformë dhe makinë të UNMIK-ut, në ditë vikendi, kur ai nuk kishte të drejtë ti përdorte njërën as tjetrën dhe nuk guxonte as të gjendej në terren dhe për aq më tepër të bëhej edhe pengesë për policinë duke barrikaduar rrugët” theksoi ai. 

Në fund, Qarri tha se Vuçiqi po tenton që ta eliminojë shuarjen e UNMIK-ut, pasi ky i fundit nuk e njeh statusin e shtetin tonë të pavarur. 

Ai tregoi edhe rastet kur shtetit serb i konvenon qëndrimi dhe prania e UNMIK-ut në Kosovë.  

“Ndaj qëllimi kryesor i Vuçiqit, me deklarata të tilla, mu në prag të rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi, është që ta eliminojë, pikërisht vendosjen në tavolinë si temë të bisedimeve në Bruksel, shuarjen e UNMIK-ut, dhe mbajtjen e këtij kuazi-misioni të panevojshëm edhe më tej të pranishëm në Kosovë, vetëm pse si mision i Këshillit të Sigurimit, UNMIK-u, ende nuk e njeh statusin e shtetit tonë të pavarur, gjë që i konvenon Serbisë. 

Madje mos-njohja e pavarësisë së Kosovës nga UNMIK-u si mision i Këshillit të Sigurimit, jo vetëm që i konvenon por edhe lehtëson barrën e Serbisë në  bisedime, mu në kohën kur nga të gjitha qendrat më të fuqishme ndërkombëtare, kërkohet nga ajo, që përfundimisht ta njohë pavarësinë e shtetit të Kosovës të legjitimuar qysh me 22 korrik të vitit 2010 edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat