“Katastrofë për Serbinë”/ Ky është alarmi për Kosovën: Mos bini në kurthin e kësaj loje

Politika

“Katastrofë për Serbinë”/ Ky është alarmi për Kosovën: Mos bini në kurthin e kësaj loje

Nga: N.Sh. Më: 17 maj 2021 Në ora: 16:10
Non-paperi

Muajt e fundit janë publikuar disa “non-paper” që flasin për ndryshimin e kufijve në Ballkan.

Krejt kjo ka ndodh pak para rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi.

Tash kur Kosova është në një fazë të rëndësishme të historisë së saj, duket qartë se ka ardhur në finishin e realizimit të pavarësisë nga pikëpamja ndërkombëtare.

Edhe bisedimet me Serbinë kanë ardhur në fund të rrugës, po vlerëson prof. Dr. Enver Bytyçi.

Ai thotë se, SHBA dhe BE janë lodhur me dialogun e pafund për çeshtje teknike ose anësore të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Sipas profesorit, ato duan tashmë një marrëveshje përfundimtare, komplementare, me njohje të ndërsjelltë.

“Më të qartë në këtë kërkesë janë Uashingtoni dhe Berlini. Por besoj se edhe Londra e dëshiron përfundimisht këtë përfundim”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, fakti që në opinionin publik lëshohen kaq shumë non-paper dëshmon se fundi i konfliktit shqiptaro-serb është afër.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Loja e non-paperëve është lojë serbe dhe ruse. Ka dy synime kjo lojë: Së pari të provokojë zgjidhje të vazhdueshme pro këtyre dy vendeve dhe nga ana tjetër të bëjë presion për të fituar sa më shumë në përfundim të dialogut. Nuk ka asnjë non-paper, të cilin e kanë hedhur në tregun mediatik shqiptarët ose miqtë e shqiptarëve. Si të tilla të gjitha janë pasqyrë e oreksit për të realizuar projektin e Serbisë së Madhe dhe për të garantuar prezencën ruse në Ballkanin Perendimor”, thotë tutje Bytyçi.

Ai thotë se i tillë është non-paperi për ndarjen territoriale.

“Dhe me të tilla synime u shfaq dje edhe non-paperi i bashkëjetesës midis serbëve e shqiptarëve për 99 vitet e ardhshme. Ky i fundit na kthen te marrëveshja e fillimit të shekullit XX për statusin e Hong Kongut. Por është absurde të ndodhë kjo. Ndryshe shqiptarët edhe për 99 vite do të llogarisin t'i nënshtrohen 5-10 fushatave serbe të spastrimit etnik në Kosovë. Non-paperi i ndryshimit të kufijve dhe krijimit të Serbisë së Madhe gjithashtu është i pamundur të realizohet, jo vetëm se e çon rajonin në konflikte të përgjakshme të reja, por edhe se një Serbi e Madhe do të shndërrohej në territor rus, nga ku kërcënohet Europa dhe Perendimi. Përveçse do të shkaktonte një tronditje tektonike në të gjithë botën sa i përket një lëvizjeje globale të ripërcaktimit dhe rirregullimit të kufijve. Imagjinoni se çfarë do të ndodhte në këtë rast: Një anarki dhe luftë e përbotshme e përmasave të panjohura”, pohon profesori.

Ai thotë se personalisht nuk i sheh këto përpjekje as reale, madje as imagjinare.

“Të tilla non-paper mund të fantazojë Beogradi dhe Moska me shumicë, por janë të parealizueshëm dhe kurrë nuk besoj se ato vihen për diskutim në ndonjë tryezë ndërkombëtare. Prandaj i shoh thjesht si provokime. Inshalla tremben shqiptarët prej tyre dhe bëjnë lëshimet që kërkon Serbia sidomos me Asosacionin e Komunave Serbe në Kosovë! Në përceptimin tim, qeveria dhe institucionet e Kosovës nuk kanë pse shqetësohen përtej arsyes. Mazhoranca dhe opozita duhet të bashkohen sa më shpejt të jetë e mundur që të hartojnë platformën e re të bisedimeve me Serbinë dhe ta kalojunë atë me unanimitet në parlamentin e vendit. Tashmë është plotësisht e mundur që të imponohet një zgjidhje e drejtë nga ana e Kosovës, sigurisht me mbështetjen e ndërkombëtarëve. Ka ardhur koha kur vendet e Ballkanit Perendimor, sidomos Mali i Zi dhe Serbia, ta shohin veten të parat e hyrjes së Bashkimit Europian. Mali i Zi duket se do ta arrijë këtë deri në vitin 2025. Serbia është xheloze për këtë dhe do të synojë të bëhet anëtare e BE-së në të njëjtën kohë me Malin e Zi. Prandaj asaj i intereson shumë zgjidhja e konfliktit me Kosovën. Me këtë konflikt nëpër këmbë ajo mbetet jashtë BE-së”, potencon ai.

Sipas Bytyçit, shumëkush mendon se Serbia mund të heqë dorë nga integrimi në BE për shkak të Kosovës.

“Është thjesht një presion beogradas ky. Çdo politikan në Beograd e di se qëndrimi jashtë BE-së i Serbisë, kur të gjitha vendet e Ballkanit të jenë anëtare të saj, është e do të ishte katastrofë për Serbinë. Nuk është në interesin e Serbisë kjo edhe për faktin që Beogradi në lidhjet ekonomike, teknologjike, arsimore e kulturore historikisht në dy shekujt e fundit është orientuar nga Europa Perendimore, jo nga Rusia. Tani ka ardhur koha që të shkëputet nga Rusia edhe në aspektin gjeostrategjik, që të bëhet pjesë e Europës. Nuk ka rrugë tjetër për Serbinë. Prandaj në Prishtinë duhet të jenë të vendosur në të drejtën e vet. Non-paperët janë lojë e momentit të fundit, me synimin kap çka të kapësh! Mos bini në kurthin e kësaj loje! Kaq!”, përfundon profesor dr. Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat