Parashikimi për dialogun: Ja pse Kosova mund të marr garanci nga SHBA, Albin Kurti po bindet që...

Politika

Parashikimi për dialogun: Ja pse Kosova mund të marr garanci nga SHBA, Albin Kurti po bindet që...

Nga: P.R Më: 18 maj 2021 Në ora: 20:32
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell

Ani pse thoshte se dialogu me Serbinë nuk është as në mesin e pesë prioriteteve të tij, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti po ballafaqohet me presionin ndërkombëtar për rifillimin sa më të shpejtë të dialogut.

E fundit që e ka bërë këtë është ndërmjetësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ka pritur sot në Bruksel në një takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Përbrenda margjinave të eventit jo-formal të Ballkanit Perëndimor, më erdhi mire që takova kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, me të cilin bisedova për hapat e ardhshëm të dialogut [Kosovë-Serbi]”, shkroi Miroslav Lajçak në postimin e tij në twitter.

E për krejt këtë, publicisti dhe analisti Rexhep Shahu, thotë se për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi vendos Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Image
Rexhep Shahu

“Albin Kurti kryeministër është thjeshtë një numër, një aktor, një njeri që në raport me Kosovën, të ardhmen e sigurinë e saj, në raport me bisedimet me Serbinë nuk ka asgjë në dorë të vet. Është i pazoti të bëjë ndonjë gjë vetë, por vetëm ka detyrë të bëjë çfarë i thonë ndërkombëtarët, amerikanët, investitorët e mëdhenj të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Nuk e pyet askush Albinin dhe nuk është asgjë në dorë të tij për bisedimet, t’i bëjë apo të mos i bëjë, por ai është i detyruar të bëjë siç i thonë garantët e lirisë e të pavarësisë së Kosovës”, thotë Shahu për “Bota sot”.

Sipas tij, Albin Kurti po bindet tani në postin e kryeministrit, se agjendën e bisedimeve e përcakton dikush tjetër.

“Kosova është përtej çdo Albini dhe përtej çdo politikani sado gjel të shfaqet e të këndojë maje grumbujve të plehut në katundet e Kosovës. Në raport me bisedimet me Serbinë, Albini nuk ka fuqi të vendosë apo të diktojë kushte, nuk ka fuqi as ta falë as ta dënojë ai Serbinë, ai ka detyrë të ulet ku t’i thonë e të flasë çfarë i thonë mbrojtësit e garantët e lirisë e të pavarësisë së Kosovës. Kur them Albini them për çdo Albin, por z. Kurti u shfaq si vendosës dhe sikur ishte në dëshirën e tij se kur do të donte ai të bisedonte për Kosovën. Albini tashmë dita ditës po kupton se nuk është ai që vendos prioritetet e agjendat derisa Kosova mbrohet e sigurohet e garantohet nga ata që sponsorizuan lirinë e pavarësinë e saj me ushtarët e tyre, me mundin e tyre me armët e avionët e tyre”, shprehet Shahu.

Publicisti Rexhep Shahu shton se Kosova mund të marr garanci drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Sot bota demokratike po vjen në një pikë që nuk mund ta tolerojë më tej tangerllekun serb, qejfet e dëshirat serbe, ndikimet e diktimet serbe në rajon apo në BE. Sepse Kosova nuk është me çështje oreksesh të serbëve apo të vendeve që nuk e njohin Kosovën në BE. Kosova me bllokimet serbe, me ndërkëmbëzat serbe e të vendeve refuzuese të BE, të paaftësisë për vendosje të BE, mund të marrë garanci e lidhje të drejtpërdrejtë me Amerikën, mund të bëhet prioritet i shpallur e i paprekshëm amerikan dhe të shohin pastaj fqinjët dhe Evropa Kosovën”, deklaron Shahu.

“Ndaj Kosova e çështja e saj është përtej fuqisë së Albin Kurtit, sepse u bë gjatë zhagitja nga Evropa dhe sponsori kryesor i lirisë e Pavarësisë së saj Amerika, nuk mund te toleroje asnjë njeri delirant e asnjë shtet delirat që nga Serbia, Rusia apo Kina”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti dhe publicisti Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat