Vjen mbështetja e fuqishme për kryeministrin Kurti – ja çfarë fshihet pas kërkesës së ‘komandantëve’ për fshehjen e krimeve

Politika

Vjen mbështetja e fuqishme për kryeministrin Kurti – ja çfarë fshihet pas kërkesës së ‘komandantëve’ për fshehjen e krimeve

Nga: A.Morina Më: 27 maj 2021 Në ora: 16:54
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Vendi po përballet me shumë zhvillime të ndryshme politike, ku tani veçse opozita ka filluar një ‘luftë’ politike ndaj Qeverisë Kurti II.

Opozita pakënaqësitë e tyre politike po tentojnë të i zmbrapsin në kryeministrin Albin Kurti, përmes akuza dhe kritikave të ndryshme, drejtuar atij.

Së fundmi, kishim akuza të ndryshme, duke filluar nga deklarata e Ramush Haradinajt në të cilën kryeminstrin Kurti e cilësoi si agjent serb, e deri të kritikat lidhur me deklarata e këtij të fundit në darkën e Brukselit.

Partitë e dalura nga lufta, u preken nga thirrja e Kurtit që të zbardhen të gjitha krimet e bëra në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi ata donin që vetëm Serbia të gjykohet për një gjë të tillë dhe krimet në shtetet e rajonit, përfshirë edhe Kosovën të mbesnin nën harresë.

Analisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një prononcim për gazetën “Bota sot” vlerësoi se kryeministri Albin Kurti premtimet gjatë fushatës së fundit zgjedhore i kishte shumë të matura dhe të realizueshme për dallim nga partitë e PAN-it, të cilat bënë premtime paushalle.

Sipas tij, vendosja e reciprocitetit është gjëja më normal në mes dy shteteve, madje ai u befasua nga qëndrimet pro Serbisë, nga disa shtete të QUINT-it.

Image
Analisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj

“Kryeministri Kurti, në fushatën parazgjedhore, premtimet i ka pasur të matura, të realizueshme. Sepse kishte parandjerë fitoren dhe nuk donte të futej në obligime kuturu. Ndërsa partitë e PAN-it, të vetëdijshme për humbjen, bënë premtime paushalle, deri në marrëzi!

Gjëja më normale në marrëdhëniet bilaterale, në mes shteteve është reciprociteti. Është paradoksale që disa shtete të Quintit dhe të tjera, mbajnë anën e Serbisë dhe këshillojnë e presionojnë "për mos nxitim të vënies të reciprocitetit ndaj Serbisë!" Paradoksale! Veprimet, pagesat, pengesat që përjetojnë shtetasit e Kosovës, në kufijtë e Serbisë, janë përtej kriminales, janë rrugaçëri cinike! Andaj, kësaj anomalie duhet dhënë fund”, deklaroi Zeqiraj.

Ai tha së gjëja më e keqe që i ka ndodhur Kosovës është fakti se pushtetarët e saj ishin të shantazhuar nga Serbia, për krimet e tyre të luftës. Derisa, Kurti po përgatit padi ndaj shtetit serb, kjo tregon edhe faktin se kryeministri aktual është i pashantazhueshëm dhe, assesi i rekrutueshëm nga Serbia.

“E keqja e madhe e Kosovës ka qenë se pushtetarët dhe shtetarët e saj ishin të shantazhuar nga Serbia, për krimet e tyre të luftës dhe të pasluftës. Disa drejtues të tjerë, sidomos ata të LDK-së, ishin të shantazhuar nga SHIK-u, jo për krime vrastare, por, për batakçillëqe dhe interesa personale e grupore korruptive. Prandaj, e kanë heshtur gjenodicin serbo-sllavë.

Ndërsa Albin Kurti, Vjosë Osmani, Donikë Gërvalla, Glauk Konjufca me shokë, deri tani, janë të pastër, rrjedhimisht, të pashantazhueshëm. Përndryshe, Kurti do ta heshte gjenocidin, ashtu siç e kanë heshtur krerët e PAN-istë, prej dy dekadash, rrast të shantazhuar nga Serbia. Edhe kjo është një dëshmi mfaft domëthënëse, se Albin Kurti është i pashantazhueshëm dhe, assesi i rekrutueshëm nga Serbia ose ndonjë gjykatë vendore apo ndërkombëtarë”, theksoi analisti.

Në vazhdim, Zeqiraj përmendi se disa komandantë dhe politikanë, disa prej tyre që gjende në Hagë, kundërshtuan hetimin e vrasjeve politike pas vitit 200.

Sipas tij, ky fakt është vetë denoncim se implikimi i komandantëve në makabritetin e vrasjeve serike e numerike të ushtarakëve të FARK-ut të Ibrahim Rugovës

“Çuditërisht, janë komandantët dhe politikanët, disa syrësh tani në Hagë, të cilët kanë reaguar thekshëm e vrazhdët, të mos shtrihet hetimi i vrasjeve politike tej vitit 2000!?! Këto veprime janë vetëdenoncim se implikimi i komandantëve në makabritetin e vrasjeve serike e numerike të ushtarakëve të FARK-ut të Ibrahim Rugovës, veprimtarëve të LDK-së, të kuadrove të hershëm të LPK-së dhe të dëshmitarëve, është faktik, domethënës e vetë folës”,nënvizoi ai.

Analisti mbështeti deklaratat e kryeministrit Kurtit në darkën politike të organizuar në Bruksel, sipas tij ato janë në plotni, të pranueshme për opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar.

“Reagimet korale të krerëve partiakë të PAN-it, ndaj deklaratës të drejtpërdrejtë e brilante të kryeministrit Albin Kurtit, në darkën politike, të organizuar nga përfaqësuesi i BE-së në Bruksel, janë, në plotni, të pranueshme për opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar.

Thirrja e Kurtit se "i gjithë Ballkani duhet liruar prej kriminelëve të luftës dhe kriminelëve të paqës", është mëlmesa e asaj darke supër të veçantë në kryeqytetin e Evropës, Bruksel. Kurti shkon edhe më tej, duke "kërkuar largimin nga skena politike të kriminelëve të luftës dhe penalizimin e dënimin e tyre, ashtu siç e mëtojnë"”, potencoi Zeqiraj.

Tutje, ai tha se anëtarët e PAN-istëve po tentojnë fshehjen dhe heshtjen e krimeve, përmes deklaratave të dëmshme ndaj Kurtit.

“PAN-istët, tashmë, në opozitë, e konsiderojnë të gabueshme dhe të dëmshme deklaratën e Kurtit, me arsyetimin e marrëzishëm "pse duhet Kurti ta zgjerojë hartën e krimeve, jo vetëm në luftë, por, edhe në paqe?! Pra, kërkojnë fshehjen dhe heshtjen e krimeve!

Në një protestë, të mbajtur në Prishtinë, nga familjarë dhe qytetarë të tjerë, për të pagjeturit, të zhdukurit nga Serbia. Por, një prind, në mesin e protestueseve, deklaroi se "djalin nuk na e mori Serbia, por, na e morën nga shtëpia ushtarët e UÇK-së! Ata na thanë se kemi një bisedë dhe do ta kthejmë përsëri djalin në shtëpi. Dhe djalin nuk na e kthyen kurrë!"”, deklaroi ai.

Analisti përmendi edhe kërkesat e bëra nga shumë familjarë drejtuar udhëheqësve të shtetit për zbardhjen e vrasjeve politike dhe ndëshikimine kriminelëve.

“Janë shumë qindra kërkesa, të bëra nga familjarët, për Presidenten, Kryeparlamentarin, Kryeministrin, ministren e Jashtme, ministren e Drejtësisë, ministrin e Brendshëm, që porositësit, ekzekutorët e njerëzve të tyre, të cilësuara si vrasje politike, të zbulohen, të hetohen dhe të ndëshkohen si kriminelë lufte dhe paqeje.

Secili nga këta krye-shtetarë, pushtetarë, qeveritarë, kanë premtuar se do t`i zbulojnë, hetojnë dhe dënojnë kriminelët e luftës dhe të paqes. Prandaj, deklarata e kryeministrit Kurti, në darkën politike të Brukselit, është konfirmim i premtimit të dhënë botërisht”, u shpreh ai.

Në fund, Zeqiraj tha se duke u bazuar në argumentet e lartpërmendura, del të jetë se jo vetëm Serbia, por edhe rajoni i Ballkanit del të jetë i ngulfatur nga kriminelë politikë dhe ordinerë.

“Nga kjo dhe shumë qindra dëshmi të tjera, rezulton se Ballkani është ngulfatur nga kriminelë politikë dhe ordinerë, të cilët vazhdojnë të jenë në politikë aktive, kuadro të subjekteve politike, në shtet e pushtet, madje, jo vetëm në Serbi, por, kudo në Ballkanin e trazuar dhe katrahurë. Krimet në paqe rëndojnë më shumë, se sa ato në luftë. Sepse janë krime të ngeshme, të parashikuara, të listuar dhe për pikë të qejfit. Pikërisht, nga këto krime, i janë shtuar jetimët Kosovës!”, përfundoi Idriz Zeqiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat