Kërcënimi nga Vuçiq, kritikohet ashpër Lajçak, kështu duhet të veprojë Kosova

Politika

Kërcënimi nga Vuçiq, kritikohet ashpër Lajçak, kështu duhet të veprojë Kosova

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 7 qershor 2021 Në ora: 10:43
Aleksandar Vuçiq dhe Miroslav Lajçak

Dialogu Kosovë-Serbi pritet të rifillojë në këtë muaj. Arritja e një marrëveshje mes dy shteteve shihet të jetë pak e realizueshme, shkruan “Bota sot”.

Kësaj radhe përballë Vuçiqit do të jetë kryeministri Kurti, i cili gjithmonë ka qenë i zëshëm në lidhje me kritikat ndaj qeverive të kaluara.

Mirëpo, edhe pse ky dialog pritet të fillojë shumë shpejt, deklaratat e hapura kërcënuese ndaj shtetit të Kosovës po vazhdojnë të jetë prezent.

Së fundmi, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq lëshoi një deklaratë pas takimit me emisarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer dhe emisarin special të BE-së, për dialogun, Miroslav Lajçak.

Vuçiq tha se ai bisedoi me Lajçak dhe Palmer për faltoret serbe në Kosovë dhe për situatën me energjinë elektrike në veri, duke paralajmëruar reagim të ashpër të serbëve nëse dikush do të provojë të bëjë lojëra me këto çështje.

“Ne biseduam për vendet e shenjta, për Valacin, situatën e energjisë elektrike dhe pozicioni im ishte shumë i qartë. Shpresoj se dikush nuk do të luajë me stabilitetin e rajonit për atë çështje, sepse reagimi i popullit serb, në Kosovë dhe kudo, do të ishte jashtëzakonisht i fortë. “dhe askujt nuk i duhet kjo”, tha Vuçiç kur u pyet nëse ka folur me Lajçakun dhe Palmerin rreth mbrojtjes së kishave dhe manastireve serbe.

Kjo deklaratë erdhi menjëherë pas takimit të emisarëve ndërkombëtar, duke mos lënë fare hapësirë për deklarata të tjera të shëndosha.

Në lidhje me këtë temë, njohësit e çështjeve politike për “Bota sot”, u shprehën se Vuçiq duhet të jetë më mirëkuptues në lidhje me Kosovën dhe të lënë anash deklaratat kërcënuese.

Rifillimi i dialogut duhet të jetë një hap drejt normalizimit dhe jo keqkuptimeve thonë analistët.

Qarri: Deklaratat e Vuçiçit të paarsyeshme dhe tendencioze

Image
Gani Qarri

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se presioni i Vuçiqit ndaj Kosovës po vazhdon të jetë prezent dhe kjo po vjen për arsye se Kurti u shpreh se nuk do të ketë Asociacion një etnik dhe rrëzoi marrëveshjen që vite më parë Thaçi dhe Mustafa kanë nënshkruar.

Sipas tij, takimet që zhvilluan me emisarët ndërkombëtar kanë ngritur dilemat që po keqpërdoren duke u bërë këto deklarata menjëherë pas takimeve të tyre.

“Përveç kërkesës së përditshme nga BE, e cila po rrit trysninë gjithnjë e më tepër ndaj Kosovës duke kërkuar nga Qeveria e re, themelimin e Asociacionit një etnik serb, sipas marrëveshjeve kundërkushtetuese të Hashim Thaçit e Isa Mustafës të nënshkruar dy herë, nga të dy ata, në mënyrë të kundërligjshme në Bruksel, presionit ndaj Kosovës, i është bashkuar edhe Serbia dhe krimineli Aleksandër Vuçiqi i cili ka filluar të kërcënojë hapur për trazira dhe reagim të fuqishëm të të gjithë serbëve, vetëm pse z.Kurti me të drejtë deklaron se në Kosovë nuk mund të ketë Asociacion një-etnik serb, ngase është akt i kundërligjshëm që e ndalon Kushtetuta, siç e ka hedhur poshtë edhe vet marrëveshjen e Thaçit dhe Mustafës për themelimin e tij, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, si organi më i lartë juridik në vend. Për aq më tepër, vizita e fundit e dy politikanëve të lartë perëndimorë, të ngarkuarit të BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak dhe Zëvendës ndihmës sekretarit Amerikan të Shtetit, Matheë Palmer vetëm pak javë para se të rinisin bisedimet Kosovë-Serbi, përveç profilimit si përgatitje e takimit të parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiqit, ka ngritur edhe shumë dilema e reagime, duke u keqpërdorur edhe për kërcënime të hapura nga krimineli dhe bashkëpunëtori i kasapit Millosheviq, Aleksandër Vuçiqit, në Adresë të Qeverisë së re të vendit dhe vet Republikës së Kosovës”, ka thënë analisti.

Vuçiç nga paniku po bën deklarata kërcënuese

Nga ana tjetër, analisti thotë se deklaratën që Vuçiq lëshoi në prani të Lajçakut do të duhej të nxiste reagim nga ky i fundit, pasi që ishte një kërcënim i hapur, derisa shton se është e paarsyeshme kjo deklaratë e tij, pasi qeveria vazhdimisht punon edhe për veriun e vendit, vlen të cekët edhe heqja e shpenzimeve së fundmi nga qeveria.

“Pas takimit me emisarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer dhe emisarin special të BE-së, për dialogun, Miroslav Lajçak, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, përveç "informimit" të opinionit se me Lajçakun dhe z.Palmer kanë diskutuar edhe për faltoret "serbe" dhe gjendjen e furnizimit me energji elektrike në Veri të Kosovës, ai kërcënoi edhe një herë publikisht se nëse dikush provon të bëjë lojëra me këto çështje, do të ketë reagim të ashpër të serbëve kudo, akt i palejuar ky, i cili do duhej kritikuar menjëherë nga Lajçak e Palmer, për vet faktin se me deklaratë tilla, Vuçiq jo vetëm që acaron situatën edhe ashtu të nderë, ndërmjet të dy vendeve, por tërthorazi, ai bënë thirrje edhe për trazira të bandave serbe në Veri të vendit. Madje, Vuçiq duke shfrytëzuar heshtjen e BE-së, megjithëse Qeveria e re ka ndarë mbi 11 milionë euro, për t`ia paguar rrymën minoritetit më të privilegjuar jo vetëm në Ballkan dhe Evropë, por në gjithë botën, siç gudulisen serbët në Veri të Kosovës tash e mbi 22 vite me radhë, pa paguar asgjë dhe pa pasur asnjë lloj detyrimi a obligimi ndaj shtetit, të cilëve edhe përkundër gjendjes së rëndë financiare shteti i Kosovës, u heq të gjitha shpenzimet, serish akuzoi pa shkas as arsye se nëse shqiptarët luajnë me stabilitetin e rajonit, reagimi i popullit serb, në Kosovë dhe kudo, do të ishte jashtëzakonisht i fortë”, shprehet analisti.

Qarri ndër të tjera shton se deklarata e Vuçiqit ishte e drejtpërdrejt, duke tentuar edhe të përzihet në çështjet e brendshme të Kosovës.

Gjithashtu. ai përmend edhe rastin që Vuçiq po bën drejt qytetarëve në Kosovën Lindore duke i lënë pa dokumente valide as shtetësi.

“Një deklaratë e tillë, jo vetëm se është një kërcënim i drejtpërdrejtë i Vuçiqit dhe përzierje flagrante e Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës, por edhe trysni ndaj shqiptarëve në Kosovën Lindore të cilëve ua ka hequr të gjitha të drejtat kombëtare e njerëzore dhe çdo ditë vazhdon edhe ti çregjistrojë ata, si banorë autokton të trojeve të veta në ato pjesë, duke i lënë edhe pa dokumente valide as shtetësi, në mënyrë që të ikin nga vatrat e veta dhe shpërngulen në Kosovë, vetëm për të realizuar spastrimin e tërësishëm të shqiptarëve nga ato pjesë të truallit tonë autokton etnik, përderisa në anën tjetër vazhdon kolonizimin e Veriut të Kosovës me ardhacak serb edhe nga Bosnja e Kroacia”, ka deklaruar Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

Kelmendi: Nga tandemi Vuçiq-Daçiç nuk priten qëndrime konstruktive

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi në lidhje me këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se Vuçiq dhe Daçiç i takojnë grupit që kanë përgjegjësi për gjithë gjenocidin që është kryer në Kosovë.

Sipas Kelmendit, të njëjtit duhet të dënohen mirëpo edhe kriminelët e tjerë serbë, duke shtuar që në lidhje me këto deklarata dhe qëndrime të Serbisë, Kosova duhet të jetë e përgatitur karshi tyre dhe duhet të kërkojë vazhdimisht qartësi në zbulimin e krimit dhe gjenocidit serb.

“Vuçiq dhe Daçiç vijnë nga një plejade e politikanëve serb me pikëpamje shoviniste dhe ata nuk ndryshojnë në raport me Kosovën. Këta i takojnë grupit që mban përgjegjësi për dhunën e terrorin serbomadh mbi shqiptarët dhe si i tillë kërkohet dhe duhet të dënohet si kriminel. Por, jo vetëm këta të dy kriminelë, por edhe Vulin, me shumë të tjerë në pushtet. Këta janë kriminel të padënuar dhe nuk pritet që këta të ndryshojnë. Këta nuk resocializohen. Këtej nuk mund të priten deklarata dhe qëndrime tjera nga klani kriminal i Vuçiqit. Kosova kërkohet që të përgatitet për qëndrimet dhe veprimet shoveno-fashiste serbe. Në çdo takim kërkohet qartësi të qeveritarët nga Kosova në fushën e luftimit të krimit dhe të gjenocidit serb”, është shprehur profesori.

Kelmendi më tej thotë se duhet të kërkohet të tërhiqet diagonalja për shqiptarët në Luginën e Preshevës me kërkesat serbe në Kosovë për ndonjë Asociacion.

Ai thotë se nuk duhet më të lejohet të humbet Kosova popull ose tokë pasi ka humbur mjaftueshëm në kohën e luftës andaj shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të jetë i Kosovës andaj qeverisë i kërkohet të qartësoj karakterin e pushtetit dyshkallës dhe kurrsesi mos të lejojë elemente të ndonjë shteti të ri serbomadh në Ballkan.

“Çdo kund duhet të kërkohet përgjegjësi penale dhe civile në fushën e dëmit të shkaktuar, sikundër edhe financiare nga shteti serb. Qartë kërkohet të tërhiqet diagonalja për shqiptarët në Luginën e Preshevës me kërkesat serbe në Kosovë për ndonjë asociacion. Diagonalja e tillë tregon se Kosova ka reciprocitet dhe se populli shqiptar nuk është një popull pa vlera dhe që duhet asimiluar, siç po veprohet nga Beogradi në Luginën e Preshevës. Shqiptarët kanë humbur mjaftë gjatë historisë dhe kurrsesi nuk lejohet që edhe tash të humbin tokë dhe popull. Nuk janë shqiptarët popull i kategorisë së dytë a të tretë. Shqiptarët janë popull i formuar dhe për atë shkak duhet të sillet Qeveria e Kosovës ndaj kujtdo. Kjo vlen edhe në raportet me shtetin kriminal serbomadh etj. I takon Qeverisë të qartësoj karakterin e pushtetit dyshkallës dhe kurrsesi mos të lejoj elemente të ndonjë shteti të ri serbomadh në Ballkan. Çka është mjaftë është mjaftë”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat