Kërcënimet nga Serbia, vjen paralajmërimi për ç’njohjet ndaj Kosovës, ja si duhet të veprojnë institucionet

Politika

Kërcënimet nga Serbia, vjen paralajmërimi për ç’njohjet ndaj Kosovës, ja si duhet të veprojnë institucionet

Nga: A.Z Më: 7 qershor 2021 Në ora: 16:24
Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca

Nuk ka sinjale që Serbia e ka ndalur fushatën për të siguruar ç’njohjet nga vendet që tashmë e kanë njohur Kosovën, thonë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Qeverisë së Kosovës.

Këto deklarata të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës vijnë pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili pretendon se ekzistojnë shtete që janë të gatshme që të tërheqin njohjet e Kosovës.

Lidhur me këtë, analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se nuk kanë të ndalura kërcënimet e shtetit serb ndaj Kosovës, madje as fushatat për ç’njohjen nga vendet që e kanë njohur Kosovën.

Qarri thotë se ç’njohjet ndaj Kosovës kanë filluar që nga atëherë kur Thaçi me kërkesë publike ka kërkuar ndarjen e kufijve të Kosovës dhe sipas Qarrit, nëse tani Qeveria e re nuk i shfuqizon këto ligje madje edhe atë të asociacionit serb, atëherë do të ketë çnjohje ndaj Kosovës.

“Mjerisht shteti hegjemonist i Serbisë së Aleksandër Vuçiqit, jo vetëm që nuk pushon duke dërguar hapur dhe në çdo moment, kërcënime publike kundër Kosovës, por siç shihet, as që ka sinjale se Serbia ka ndaluar ndonjëherë fushatën për të siguruar çnjohje nga vendet që tashmë e kanë njohur Kosovën edhe pse sipas marrëveshjes së Uashingtonit, nuk do duhej të guxonte që të paktën, para përfundimit të atij afati njëvjeçar, të merrej me një fushatë të tillë të egër anti-Kosovë. Në fakt, ç‘njohjet e Kosovës kanë filluar dhe marrë hov menjëherë pas kërkesës publike të kuislingut Hashim Thaçi drejtuar për ndihmë faktorëve ndërkombëtar me 25 korrik të vitit 2018 në Alpbach të Austrisë, për ndarjen dhe lëvizjen e kufijve të Kosovës të njohur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, nga vende të largëta të Oqeanisë dhe shtete afrikane, ndaj dhe duket se nëse Qeveria e re dhe legjislatura aktuale e Kuvendit të Kosovës nuk i shfuqizon me një ligj të veçantë të gjitha vendimet e kundërligjshme dhe marrëveshjet kundër kushtetuese të Hashim Thaçit, përfshirë atë të Asociacionit një etnik serb dhe eksterritorialitetin e kishave ortodokse me të cilat Serbia po bën propagandë kudo në botë, ç‘njohjet ndaj Kosovës do të vijojnë me ritëm vërtetë të frikshëm për shtetin tonë të brishtë”, ka theksuar ai.

Më tej, ai ka shtuar se janë të pakta vendet që mund ta tërheqin njohjen e Kosovës dhe kjo ndodh edhe për arsye se vendet që e kanë mbështetur Kosovën, tani kur shohin ndikimin politik të hoxhallarëve, po tmerrohen andaj nuk po e mbështesin më edhe po e shohin Kosovën si Bosnjë të dytë.

“Ndaj, siç thonë edhe zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Qeverisë së Kosovës, në prononcimet e tyre të cilat vijnë pas deklaratave të Aleksandër Vuçiq, mund të jenë të paktën, qoftë edhe pjesërisht ashtu siç pretendon presidenti kriminel i Serbisë, se ekzistojnë shtete që vërtetë janë të gatshme të tërheqin njohjet e Kosovës. Kjo edhe për faktin se siç përflitet, me të drejtë gati çdo ditë në diasporë edhe ish zyrtarët e huaj të cilët dikur mbështetën pa asnjë rezervë çlirimin dhe krijimin e shtetit të pavarur evropian të Kosovës, sot kur shohin numrin mbi proporcional të xhamive dhe ndikimin e tepruar politik të hoxhallarëve në Kosovë, po tmerrohen nga ky ndryshim trishtues, ndaj po tërhiqen nga mbështetja që i dhanë në vazhdimësi Kosovës dhe kanë filluar ta shohin Kosovën si Bosnje të dytë, e cila meriton ndarjen dhe faljen e pjesëve më vitale të saj, Serbisë, siç ka filluar përveç Lajçakut, të sillet me dyshim, mjerisht edhe vet Mathew Palmer, nga vendi më i madh mik i Kosovës, SHBA-të, gjë që duhet të na shqetësojë seriozisht të gjithë neve”, ka përfunduar Gani Qarri Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat