Dështoi me LDK-në, kritika të ashpra ndaj Mustafës për deklaratën për Ramën, ja çfarë i kërkohet

Politika

Dështoi me LDK-në, kritika të ashpra ndaj Mustafës për deklaratën për Ramën, ja çfarë i kërkohet

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 7 qershor 2021 Në ora: 18:39
Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa

Gara për kryetarin e ardhshëm të Prishtinës veçse ka filluar.

Ani pse zgjedhjet lokale do të mbahen në tetor të këtij viti, kjo nuk po i pengon partitë të nisin garën qysh tani.

Mirëpo, ajo se çfarë mori vëmendjen nga këto kandidime është kandidimi i Përparim Ramës nga LDK.

Ai është arkitekt i cili ka jetuar jashtë por që synon që ta udhëheqë Prishtinën, shkruan “Bota sot”.

Ditë më parë, Rama tha se është kandidat apartiak dhe se punën e kryetarit të komunës e sheh më shumë si menaxhim, por më pas deklaroi se kandidon për LDK-në.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar edhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili u shpreh se nuk po e kupton logjikën e ish-partisë së tij për kandidimin e një personi që shprehet haptazi që është apartiak.

“Kryetari i Prishtinës nuk është vetëm menaxher; para së gjithash është politikan. Është njeri që zbaton orientimet politike të LDK-së në drejtimin e kryeqytetit. Prandaj është kandidat i partisë, jo i bizneseve të caktuara apo i shoqërisë civile. Unë do të preferoja njerëz të LDK-së, si psh. Besnik Berisha, Arban Abrashi, Vlora Dumoshi, Besnik Krasniqi…. ka shumë; secili i përgatitur dhe i lidhur me LDK-në. Sigurisht se asnjëri nga këta nuk do të mburrej se është apartiak, por do të mburrej se është LDK”, ka thënë Mustafa për media.

I pyetur për ndikimin negativ që mund të japin deklaratat e Ramës në elektoratin e LDK-së në këtë komunë, Mustafa tha se “vendimi dhe përgjegjësia i takon Kryesisë aktuale të LDK-së”.

Ndërsa, njohësit e çështjeve politike për “Bota sot”, u shprehën se Mustafa nuk duhet të jap kritika e aq më pak këshilla për LDK-në, pasi është ai që solli dështimin e saj.

Sipas tyre, Abdixhiku solli një frymë të re në partinë e tij.

Kapiti: Mustafa të distancohet nga LDK-ja

Image
Njohësi i çështjeve politike, Skënder Kapiti

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Kapiti, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se Mustafa nuk duhet të flasë më për LDK-në, pasi është i njëjti që solli rënien e saj.

Sipas Kapitit, një kryetar dhe lider i mirë hulumton për të gjetur zgjidhje siç po bën edhe Abdixhiku duke u dhënë shansin kuadrove të reja, derisa shton se Mustafa duhet të pensionohet.

“Ish - kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka dalë kundër ish-partisë së tij për kandidimin e Përparim Ramës për Kryetar të Prishtinës. Është mirë që ai as mos të jetë dhe as mos të dëgjohen fjalët e dështakut Isa Mustafa, këtij “strategu” të madh të humbjeve dhe të rënies së LDK-së, pasi ky si dështaku dhe humbësi i madh, të mos mendojë ndokush se ai, ia dëshiron dikujt tjetër suksesin. Nuk është kryetar dhe as lider i mirë ai i cili nuk mendon se si të fitojë më i miri brenda partisë kandidaturën për Kryekomunar, por nuk është lider i mirë kurrë as ai i cili nuk hulumton për të gjetur e zgjedhur edhe njerëz të aftë e potentë për t’i ofruar dhe dhënë atyre shansin për të kandiduar në shërbim të të mirës publike përfaqësuese parlamentare, qeverisë qendrore, diplomaci dhe të drejtimeve të punëve vendore. Si ish-kryetar i LDK-së, Mustafa është mirë që të pensionohet , pasi ai ka të hipotekuar vetëm dështimin dhe tradhtinë ndaj LDK-së”, është shprehur Kapiti.

Mustafa shembull i dështimit

Më tej, analisti ka thënë se Mustafa është shembulli i dështimit dhe degradimit të LDK-së dhe se Abdixhiku nuk duhet të ekspozojë Mustafën aspak, sidomos afër zgjedhjeve lokale të vendit.

Sipas Kapitit, ata që nuk janë pjesë e LDK-së duhet të mbesin jashtë saj.

“Mustafa është shembulli dhe autori i dështimit dhe degradimit të LDK-së së Kosovës. Unë nga Durrësi si ndjekës i politikës si në Shqipëri dhe në Kosovë do t’i sugjeroja z. Abixhiku dhe drejtuesve të tjerë të degëve të LDK-së që të mos e ekspozojnë shumë Isa Mustafën dhe mos ta pyesin për asgjë, sepse kjo vetëm dëm do t’i bënte LDK-së. Dhe ta marrin si shembull atë se në Shqipëri në zgjedhjet e 25 Prillit 2021, pavarësisht shitjes e blerjes së votës nga pushteti, humbja e Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës i erdhi edhe nga Sali Berisha, të cilin opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar madje e perceptonin si lider de fakto të PD-së. Pra ishët le të shkojnë e të mos përzihen dhe më keq akoma kur ata edhe janë dështakët e kohës së vet si p.sh. Mustafa i LDK-së”, ka vlerësuar analisti.

Tutje, ai ka shtuar se koha moderne kërkon persona të aftë dhe profesionistë dhe Rama mund të jetë njëri ndër këta persona që mund t'i sjellë ndryshime vendit.

“Kohët moderne kërkojnë në drejtim individë të cilët duhet të jenë më shumë të aftë, profesionistë, teknicientë, pra të aftë për punët administrative dhe menaxheriale se sa individë politikë e fanatiko- partiakë. Duke qenë i tillë kandidati p.sh. si rasti i z. Përparim Rama, kjo i shërben më së miri publikut dhe qytetarit, por që i shërben shumë dhe i rrit autoritetin, besimin dhe simpatinë publike edhe partisë politike për meritën e saj në përzgjedhjen e individëve që do menaxhojnë, drejtojnë dhe mirëqeverisin Prishtinën në rastin në fjalë, por edhe kandidatët e tjerë në komunat e tjera të Kosovës”, ka deklaruar Skënder Kapiti për gazetën “Bota sot”.

Mehazi: Kritikat e Mustafës për Abdixhikun të pabaza

Image
Profesori Sulejman Mehazi

Ndërsa, profesori dhe njëkohësisht njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka thënë se kritikat e ish-liderit të LDK-së ndaj Abdixhikut nuk janë të qarta dhe nuk duhet as të komentojë më në lidhje me LDK-në.

Ai ka shtuar se tashmë për LDK-në vendos Abdixhiku dhe jo Mustafa dhe se çdo fjalë e këtij të fundit, ndikon negativisht në LDK.

“Të kota janë kritikat e ish-liderit të LDK-së, Isa Mustafës ndaj zëvendësit të tij Lumir Abdixhikut, fatkeqësisht Mustafa ende nuk e ka të qartë se shkoi e iku koha e tij e askush nuk e pyet në LDK, se me largimin e Isa Musafës të preferuarve të tij: Besnik Berishës, Arban Abrashit, Vlora Dumoshit, Besnik Krasniqit jo vetëm që ju bën dëm e ua humb autoritetin si e ka humbur vetë aq sa rëndë plagosi LDK-në gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare. Në LDK tani vendos Abdixhiku se cili do udhëheq Prishtinën e jo Isa Mustafa. Çdo fjalë e çdo propozim i tij ndikon negativisht në LDK për shkak se është bërë i neveritshëm”, ka thënë Mehazi.

Më tej, profesori ka theksuar se Rama mund të jetë kandidat i suksesshëm për Prishtinën, për këtë arsye Mustafa duhet të hesht karshi këtij vendimi, derisa ka shtuar se me Ramën, LDK-ja do të jetë më e qëndrueshme se sa me Arban Abrashin, që së bashku me Mustafën kanë dalë në pensionim.

“Shumë më i suksesshëm për Prishtinën do jetë arkitekti i njohur apartiak, Perparim Rama, që e ka propozuar Lumir Abdixhiku se sa personat që do Ish-kryetari i dështuar i LDK-së, Isa Mustafa. Abdixhiku edhe sikur të kishte propozuar ndonjë anëtar të LDK-së nuk do kishte sukses përballë Përparim Ramës, i cili si jo partiak gjatë balotazhit të zgjedhjeve lokale me LVV-në, për Prishtinën, do ishin pajtuar edhe partitë opozitare PDK-ja e AAK-ja të cilat për inat të LVV-së se Kurtit do votonin Përparim Ramën. Pra, LDK-ja e Abdixhikut për të fituar Prishtinën shumë më e fortë do jetë me Përparim Ramën se sa me Arban Abrashin e Isa Mustafës së pensionuar. Deklaratat e Mustafës janë aq të pa autoritetshme, sa që qytetarët e deklasuan gjatë zgjedhjeve parlamentare. Prandaj i propozojmë që të hesht e ta mbyllë gojën nëse e do LDK-në, për shkak se nuk e dëgjon kush pensionistin e LDK-së, Isë dështak Mustafën”, ka përfunduar Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat