Analistët “thumbojnë” rëndë Enver Hoxhajn, tregojnë qëllimin e tij ndaj Kurtit

Politika

Analistët “thumbojnë” rëndë Enver Hoxhajn, tregojnë qëllimin e tij ndaj Kurtit

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 8 qershor 2021 Në ora: 08:38
Albin Kurti dhe Enver Hoxhaj, foto ilustrim "Bota sot"

Që kur LVV fitoi zgjedhjet, PDK ende nuk po mund të pranojë realitetin e hidhur për të.

Ajo në vazhdimësi po “sulmon” qeverinë Kurti, duke u munduar që të prish imazhin dhe ta largojë nga qytetarët e saj.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, pothuajse në çdo deklarim publik që bën ka në fjalimin e tij një “thumb” për Kurtin.

Ai së fundmi teksa po zyrtarizonte kandidaturën e Agim Aliut për kryetar të komunës së Ferizajt, kritikoi ashpër kryeministrin Albin Kurti për mashtrimin që po u bën qytetarëve të Kosovës.

Hoxhaj tha se Kurti dhe vartësit e tij janë mohues të lirisë e pavarësisë, të cilët për 20 vjet kanë akuzuar të tjerët për tradhti, sidomos Presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin Kadri Veseli, sa herë që Kosova ka dashur ta mbyllë marrëveshjen me Serbinë.

“Mos e takoni Vuçiqin pa kërkuar falje Serbia për krimet gjenocidiale në Kosovë dhe pa i kthyer të pagjeturit, thoshte Albin Kurti.E sot jo vetëm po e takon pa ndodhur asnjëra nga këto, por ai i është nënshtruar Serbisë dhe Vuçiqit pa kushte dhe po e përgatitë ndarjen e Kosovës. E këtij mashtruesi do t’i themi ndal kur të vjen koha.”, theksoi Hoxhaj.

Ai tha se këtë klimë të urrejtjes dhe modelin e mashtrimit e të rrënimit e ka krijuar Albin Kurti, i cili çdo ditë po zhgënjen edhe votuesit më besnik të tij, duke u shfaqur qesharak kur po i arsyeton pa fije turpi punësimet familjare e nepotike.

“Çka bënë daja për nipin? E shtin në punë. Ky është model i kësaj qeverie ku fatkeqësisht është provuar në komunat si Prizreni dhe Prishtina e do ta përjetojmë edhe në nivel qendror së shpejti”, tha Hoxhaj.

Deklaratat e tilla të Hoxhajt janë bërë të shpeshta duke mos lënë hapësirë për një bashkëpunim në të ardhmen mes dy partive dhe pozitë opozitë.

Hoxhaj vazhdimisht “sulmon” Kurtin, mirëpo ky i fundit në asnjë moment nuk bie pre e këtyre sulmeve, duke përdorur heshtjen dhe punën si kundërpërgjigje.

Bytyçi: Propaganda e Hoxhajt ndaj Kurtit, e tmerrshme dhe neveritshme

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Adem Bytyçi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, në lidhje me deklaratat që Hoxhaj vazhdimisht po lëshon kundër Kurtit, ka thënë janë të neveritshme dhe po tenton në këtë mënyrë të largojë popullin nga Kurti.

Image
Adem Bytyçi

Sipas tij, qytetarët tashmë e dinë se sa ka kontribuar Hoxhaj së bashku me partinë e tij, kështu që hutia tek qytetarët mbetët vetëm tentativë.

“Enver Hoxhaj i PDK-së jo vetëm me këtë rast, por që nga fitorja e zgjedhjeve të parakohshme e partisë Kurtit dhe humbja katastrofale e partisë së Enver Hoxhaj, e ushtron një propagandë të tmerrshme po aq edhe neveritëse kundër Kurtit dhe qeverisë Kurti, me të vetmin qëllim për të krijuar huti të qytetarët kinse Enver Hoxhaj dhe partia tij PDK, po të vijnë në pushtet do të jetë më të dobishme për vendin, një përrallë kjo shumë e mirë për Enver Hoxhajn, por jo edhe për qytetarët e Kosovës. Qytetarët e Kosovës e dinë shumë më mirë se Enver Hoxhaj, sa ka kontribuar 20 vite në pushtet partia tij dhe figurat e larta politike në funksione të rëndësishme shtetërore dhe shoqërore të partisë tij”, ka thënë ai.

Bytyçi ka shtuar se Hoxhaj nuk mund të akuzojë Kurtin që është mohues i lirisë, pasi që ai vetë është në gjendje të bashkëpunojë më këdo vetëm që të rikthejë pushtetin që PDK kishte.

“Deklarata e Enver Hoxhaj se Kurti na qenka mohuesi kryesor i lirisë së Kosovës nuk mund të jetë asgjë tjetër veçse pjellë e një mendje të sëmurë të një politikani i cili është në gjendje të bashkëpunojë edhe me djallin dhe të shpifë e etiketojë kundërshtarin e tij politik në mënyrën më monstruoze, vetëm e vetëm për t'iu rikthyer përsëri pushtetit”, ka theksuar Bytyçi.

Nga ana tjetër, analisti ia përmend Hoxhajt rehatinë që kishte gjersa Kurti torturohej në burgjet e Serbisë për liri të Kosovës.

Ai shton se mënyra e PDK-së për ta rikthyer elektoratin është e gabuar.

“Nëse ka harruar Enver Hoxhaj, qytetarët e Kosovës nuk kanë harruar. Në periudhën e luftës kur në Kosovë masakroheshin shqiptarët nga regjimi fashist i Millosheviqit dhe z.Albin Kurti torturohej me metoda drakonione në kazamatët serb, Enver Hoxhaj shëtiste në korza të Austrisë duke studiuar me lekët e fondit të 3% ‐shit. E sot të thotë se Albin Kurti qenka kundër lirisë Kosovës, këtë mund ta besojnë vetëm njerëzit të sëmurë mendor. Me mënyrën siç ka filluar PDK t’i qaset luftës kundër qeverisë Kurti dhe vetë Kryeninistrit Kurti, e ka të pamundur të krijojë simpati të qytetarët për ta besuar përsëri qeverisjen e vendit”, ka deklaruar Adem Bytyçi për “Bota sot”.

Mehmeti: Hoxhaj me deklaratat kundër Kurtit po tenton të mbajë për vete Thaçin dhe Veselin

Në anën tjetër, analisti politik Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, e ka quajtur servil Enver Hoxhajn, duke u shprehur se në këtë formë po mundohet të mbajë afër vetës Thaçin dhe Veselin.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, është e paarsyeshme të akuzojë Kurtin për marrëveshjet që PDK ka bërë mbi 12 vjet.

“Enver Hoxhaj është servil i dëshmuar, si i tillë po vazhdon të veprojë. Hoxhaj po mundohet që me lavdërimet ndaj Hashimit dhe Kadriut të mbetet në krye të partisë. Enveri e di se s’ka peshë në PDK, andaj po flet dhe vepron si servil. Të akuzosh Albini për marrëveshjet e dështuara me Serbinë, kur ato i ka udhëheq PDK për mbi 12 vjet, është turp i madh”, u shpreh Mehmeti.

Më tej, ai ka shtuar se vetëm një politikan i papërgjegjshëm siç është Hoxhaj, mund të bëjë këto lloj deklaratash, duke u shprehur se në këtë mënyrë po e shfaq një imazh të keq të politikanit.

“Kjo mungesë e pa përgjegjësisë është karakteristikë e njerëzve të PDK-së. Nuk qëndron deklarata e Enverit, vetëm një politikan i papërgjegjshëm mund të bëjë deklaratë të tillë. Enveri është ai që ka akuzuar UÇK-në, tani çuditërisht shtiret si mbrojtës. Ky servil i përbetuar është imazhi i keq i një politikani”, ka përfunduar Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat