Provokim ndaj Kurtit e Osmanit, paralajmërohet rreziku nga projektet e këtyre politikanëve shqiptarë

Politika

Provokim ndaj Kurtit e Osmanit, paralajmërohet rreziku nga projektet e këtyre politikanëve shqiptarë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 8 qershor 2021 Në ora: 11:25
Takimi në Golem

Ditë më parë në Golem të Shqipërisë është mbajtur një takim mes krerëve të partive opozitare të Kosovës dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se “Takimi ishte joformal, në një atmosferë miqësore”.

Në takim ishte edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj. Kujtojmë se marrëdhënia mes Ramës dhe Haradinajt nuk ka qenë e mirë, për shkak të padisë së kryeministrit shqiptar ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, por duket se të dy kanë bërë paqe.

Mirëpo, pjesë e kësaj mbledhje nuk ishin kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Analistët vlerësojnë se i gjithë ky takim ishte një provokim për kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani.

Qarri: Takimi Rama, Mustafa, Haradinaj dhe Hoxhaj flet hapur që Kosova ende vazhdon të jetë e rrezikuar nga këta njerëz

Analisti politik, Gani Qarri ka thënë për “Bota sot” se sa i përket takimit mes tyre Ramush Haradinaj po të kishte sadopak burrëri dhe karakter të politikanit të pjekur e serioz, nuk do duhej të lëshohej kaq shpejtë në ordi grupore me Isa Mustafën e Enver Hoxhajn, duke i hyrë sërish pikërisht Edvin Ramës në frymë, për të mos thënë edhe më keq, kur dihet se mu këta injorantë, nuk kanë lënë të keqe pa i bërë Kosovës.

Image
Gani Qarri

“Në fakt, pas padisë prej 30 faqesh që Edi Rama kishte ngritur kundër Ramush Haradinajt se kinse Haradinaj ka shpifur, kur thoshte se Rama do të merrte disa miliarda nga Serbia, për të ndikuar që t’i falej Trepça dhe veriu i Kosovës, i cili në bashkëpunim me Hashim Thaçin kishin parapërgatitur edhe planin e kamufluar si shkëmbim të territoreve që ta ndanin më lehtë Kosovën, me gjithë tërheqjen e padisë nga Rama, Haradinaj, po të kishte sadopak burrëri dhe karakter të politikanit të pjekur e serioz, nuk do duhej të lëshohej kaq shpejtë në ordi grupore me Isa Mustafën e Enver Hoxhajn, duke i hyrë sërish pikërisht Edvin Ramës në frymë, për të mos thënë edhe më keq, kur dihet se mu këta injorant, nuk kanë lënë të keqe pa i bërë Kosovës”, ka thënë ai.

Ai shprehet ende skeptik duke thënë se ky takim flet hapur që Kosova ende vazhdon të jetë e rrezikuar nga këta njerëz dhe projektet e tyre të vjetra e të reja, anti-shtetërore e anti-kombëtare që kërcënojnë hapur vijimësinë e shtetësisë së Kosovës .

“Madje, një takim i tillë i veçuar si ai në Golem, ku nuk ishin të pranishëm edhe politikanët tjerë shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë, të cilët janë kundër ndarjes së Kosovës, por u takuan vetëm Edi Rama, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Enver Hoxhaj, të cilët falën mijëra hektar tokë të vendit, e bën plane dhe kërkuan publikisht edhe ndihmën e ndërkombëtarëve për ndarjen e Kosovës, flet hapur, se Kosova ende vazhdon të jetë e rrezikuar nga këta njerëz dhe projektet e tyre të vjetra e të reja, antishtetërore e antikombëtare që kërcënojnë hapur vijimësinë e shtetësisë së Kosovës”, ka deklaruar Qarri.

Ai më tej thekson se këta të cilët janë takuar me Ramën ka vite nëse jo edhe më se një dekadë, që bëjnë çmos për ta baltosur e shkërmoqur sa më rëndë Kosovën.

“Për aq më keq, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa, Hashim Thaçi e pse jo edhe Enver Hoxhaj, ka vite nëse jo edhe më se një dekadë, që bëjnë çmos për ta baltosur e shkërmoqur sa më rëndë Kosovën, jo vetëm me hajni, zhvatje, korrupsion dhe krim të organizuar, por duke shkuar deri atje sa në kohën e qeverisjes së PAN-it, me kryeministër Ramush Haradinajn, nga ministrja për integrime evropiane në qeverinë e tij, dhe këshilltarja e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, Dhurata Hoxha të paguheshin me dhjetëra mijëra euro të taksapaguesve të vendit, edhe firma të huaja si ajo franceze "MAJORELLE PR & EVENT", për promovimin e ndarjes së Kosovës edhe në botë. Dhe përkundër të gjitha këtyre akteve, asnjëherë deri më sot, kurrë nuk kanë dhënë shpjegime, as nuk janë marrë në përgjegjësi ligjore, për rrezikimin e tërësisë territoriale të vendit dhe shuarjen e shtetësisë së Kosovës, asnjëri prej tyre, madje Ramush Haradinaj as që është deklaruar ndonjëherë publikisht mbi këto akte tradhtie, ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës”, ka potencuar analisti.

Derisa Qarri thotë se Haradinaj është kukull e PDK-së, Hashim Thaçit e Isa Mustafës e kjo sipas tij dëshmohet edhe me faktin se si ai u përdor edhe për faljen e 8300 hektarëve tokë Malit të Zi.

“Se Ramush Haradinaj është vetëm një kukull në duar të PDK-së, Hashim Thaçit e Isa Mustafës etj, për realizimin e prapaskenave dhe pisllëqeve të tyre, e dëshmon edhe fakti se si ai u përdor edhe për faljen e 8300 hektarëve tokë Malit të Zi, duke hyrë në koalicion edhe me Listën serbe dhe bërë zëvendëskryeministër të parë kriminelin Goran Rakiq, vetëm për të marrë përkohësisht karrigen e kryeministrit, të cilën pas dëmit të pakrahasueshëm që i shkaktoi Kosovës duke e zvogëluar edhe për mese 8300 hektar, nuk arriti ta mbante as dy vjet”, është shprehur ai.

Në fund, Qarri deklaron se kjo dëshmon edhe njëherë se, kur janë në pyetje pazaret me tokat e Kosovës dhe realizimi i projekteve për ndarja e saj dhe kjo flet më së miri se pse pjesë e atij takimi nuk mund të ishin edhe kundërshtarët e ndarjes, që nga Presidentja Dr. Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i ri i LDK-së Lumir Abdixhiku.

“Ndaj, kjo dëshmon edhe njëherë më tepër se kur janë në pyetje pazaret me tokat e Kosovës dhe realizimi i projekteve për ndarja e saj, Haradinaj është në gjendje të koketojë me secilin, madje t’i rregullojë raportet edhe me Edvin Kristaq Ramën dhe të ulet në të njëjtën tavolinë me Isa Mustafën e Enver Hoxhajn, për tu bërë pjesë e projekteve të reja, apo realizuar ato të vjetrat, të nisura shumë vite më parë prej tyre për ndarjen e Kosovës, gjë që flet më së miri se pse pjesë e atij takimi nuk mund të ishin edhe kundërshtarët e ndarjes, që nga Presidentja Dr. Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i ri i LDK-së Lumir Abdixhiku”, ka përfunduar Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

Mehazi: Takimi ishte një provokim ndaj kryeministrit Albin Kurti, Vjosa Osmanit e Glauk Konjufcës

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se Edi Rama ka injoruar Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin kur ata kanë vizituar më parë Tiranën, andaj ky takim ishte një provokim duke mohuar edhe takimin me kryeparlamentarin e Kosovës duke ateruar në Hungari.

“Raportet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndaj Albin Kurtit e Vjosa Osmanit janë të njohura që para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani dihet që më parë vizituan Tiranën, po pa pritje të krye nikoqirit Edi Rama i cili jo që nuk donte të takohej, po dhe i injoroi rëndë me deklaratat e tij ndaj Kryeministrit Kurtit dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit. Që simbolika e ironisë së Ramës të jetë më e madhe ndaj qeverisë së Kosovës vërehet edhe me vizitën e Kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufcës në Tiranë, zotëri Rama një ditë para se të vijë Konjufca në Shqipëri, në Golem provokon duke u takuar e selfijosur me kundërshtarët politik të tij, Isa Mustafën, Enver Hoxhajn e Ramush Haradinajn, në anën tjetër Rama mohon takimin me kryeparlamentarin e Kosovës duke ateruar në Hungari”, ka thënë Mehazi.

Sa i përket Ramush Haradinajt, Mehazi thotë se është për t’u habitur duke parë proceset gjyqësore të njërit ndaj tjetrit, derisa shton se i gjithë takimi ishte një provokim ndaj kryeministrit Albin Kurti, Vjosa Osmanit e Glauk Konjufcës.

“Është për t'u habitur me Haradinajn, nga u bë aq i afër me Ramën duke parë proceset gjyqësore të njërit ndaj tjetrit. Takimi në Golem i Ramës me liderët e partive opozitare, Isa Mustafën, Haradinajn e Hoxhajn s'kanë të bëjnë për çështje politike, por vetëm për të provokuar Albin Kurtin, Vjosa Osmanin e Glauk Konjufcën, se dimë se pse në Golem ka munguar edhe kryetari i LDK-së Abdixhiku?, ndoshta Abdixhiku nuk është ftuar për shkak Isa Mustafës i cili është zemrëuar pse LDK-ja votoi Vjosa Osmanin për presidente të Kosovës”, ka përfunduar Sulejman Mehazi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat