Parashikimi/ Kjo është dëshmia, PDK po shkon drejt ndarjes

Politika

Parashikimi/ Kjo është dëshmia, PDK po shkon drejt ndarjes

Nga: P.R Më: 8 qershor 2021 Në ora: 20:37
Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj

Një luftë e ashpër po zhvillohet brenda Partisë Demokratike të Kosovës, ku shkas është bërë gara për të nominuarin për kryetar në Komunën e Drenasit.

Edhe pse kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se kandidati i kësaj partie për Drenas do të jetë Ramiz Lladrovci, dega e PDK-së në Drenas e dëshiron Driton Ajazin në vend të Ramiz Lladrovcit.

“PDK pas procesit zgjedhor më 14 shkurt e mori një mesazh nga votuesit e saj. Këto diskutime kanë qenë para zgjedhjeve të mbajtura dhe PDK-ja e mori një mesazh se qytetarët duan figura të reja për t’iu prirë proceseve dhe për këtë arsye Dega e PDK-së në Drenas më nominoi mua”, ka thënë Driton Ajazi.

E sipas analistit politik, Gani Qarri, PDK duhet të refermohet pas dënimit që mori në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Image
Gani Qarri

“Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, në të cilat PDK, vërtetë mori dënimin e merituar nga votuesit e vetëdijesuar të Kosovës edhe vet kryetari në detyrë i PDK-së Enver Hoxhaj, do duhej të tërhiqej dhe krijonte mundësitë për freskimin e partisë me kuadro të reja, e jo të këmbëngul siç bën tani, se deshi apo jo nëndega në Drenas, serish kandidati i kësaj partie do të imponohet Ramiz Lladrovci ani se dega e partisë, me vullnetin e vet të lirë, e ka nominuar Driton Ajazin, që është edhe e drejtë demokratike e saj”, thotë Qarri për “Bota sot”.

Sipas tij, PDK e mori mesazhin e qartë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Për aq më tepër, PDK nuk duhet dhe as që mund të harrojë kaq shpejtë, që deshi apo jo, medoemos ka për obligim ta respektoj faktin, se në procesin zgjedhor të 14 shkurtit, edhe ajo ka marrë një mesazh tejet të qartë nga votuesi i saj, i cili dëshmoi se kandidatët dhe kuadrat e vjetra të degjeneruara politike, nuk janë më të mirëseardhur as të dëshirueshëm jo vetëm në kryesinë e partisë, por as të imponojnë zhvillimet nëpër degët e saj, të cilat përfundimisht kanë vendosur për ndryshime”, shprehet Qarri.

Ai shton se Partia Demokratike e Kosovës po shkon drejt ndarjes përfundimtare.

“E nëse megjithatë, figurat e vjetra të kapura fort në postet kryesore dhe kryesinë e kësaj partie, vazhdojnë me avazin e vjetër dhe insistimet që ata të vendosin për çdo gjë, shumë shpejtë, do të shohim të gjithë se PDK do të shkojë definitivisht drejt ndarjes, gjë që edhe vet akti i fundit i nominimit nga dega të kandidatit në Drenas, pa aminin e kryesisë qendrore, dëshmon se kjo është shenjë e një lufte te ashpër brenda partisë, e cila humbës do ti nxjerrë vetëm figurat e vjetra, dhe mund të përfundojë, jo më, vetëm me një goditje të radhës, por tronditje edhe më të madhe për PDK-në, veçanërisht ne zgjedhjet komunale të tetorit të këtij viti”, deklaron analsiti politik, Gani Qarri.

Për fund, Qarri i quan figura të hargjuara Ramiz Lladrovcin dhe Enver Hoxhajn.

“Si Enver Hoxhaj, ashtu dhe Ramiz Lladrovci, janë figura tashmë të konsumuara, diskutime të cilat kanë qenë prezentë në parti edhe para zgjedhjeve të mbajtura, në të cilat PDK-ja e mori porosinë e duhur nga qytetarët, se ata janë të zhgënjyer nga figurat e vjetra dhe duan figura të reja për t’iu prirë proceseve politike jo vetëm në kryesinë qendrore, por edhe nëpër degët e partisë, ndaj pikërisht për këtë arsye Dega e PDK-së në Drenas, nuk e nominoi më "gjeniun" Ramiz Ladrovcin, por kandidatin e ri Ajazi, siç shprehet edhe ai vet, në prononcimin e tij”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat