“Të harrohet e kaluara”, analistët paralajmërojnë Kosovën dhe Shqipërinë

Politika

“Të harrohet e kaluara”, analistët paralajmërojnë Kosovën dhe Shqipërinë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 10 qershor 2021 Në ora: 20:03
Takimi i Glauk Konjufcës me Ilir Metën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Shqipëri të hënën, ku u takua me homologun e tij Gramoz Ruçi, presidentin Ilir Meta dhe politikanë të tjerë.

Nga takimi me Ruçin, të dy dolën të jenë të kënaqur duke premtuar shumë se do të vazhdojë bashkëpunimi mes dy shteteve, shkruan “Bota sot”.

Ruçi pas takimit ka deklaruar se rezultati përfundimtar i dialogut Kosovë-Serbi duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

Ai gjithashtu e vlerësoi pozitiv edhe qëndrimin dinjitoz të ish drejtueseve të UÇK-së karshi Gjykatës Speciale. Derisa theksoi nevojën e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Ndërsa, Konjufca foli për forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë mbi idenë e një kombi të vetëm.

Ai u shpreh se fokusi i bisedës së tij me Ruçin ishte gjithashtu dialogu me Kosovën.

“Patëm një takim të frytshëm asnjë fjalë nuk mund ta përmbledhë në mënyrën më të plotë kontributin që republika e Shqipërisë ka dhënë për vendin tonë në shtetin tonë ekziston një traditë që vizita e parë e kryetarit të parlamentit të Kuvendit të Kosovës bëhet në Parlamentin e Shqipërisë. Kemi interesa të përbashkëta dhe të njëjta sepse jemi një komb. Të tillë duhet ta kemi edhe politikën edhe artikulimin e interesave tona të përbashkëta. Edhe sfidat i kemi të përbashkëta”, u shpreh ndër të tjera Ruçi në deklaratën e tij për media.

Nga ky takim mund të shohim një “shkëndije” që Kosova dhe Shqipëria të forcojnë edhe më shumë raportet mes vete.

Sipas njohësve të çështjeve politike, këto vizita mes dy shteteve ofrojnë bashkëpunimin dhe lidhshmërinë që duhet të kenë Kosova dhe Shqipëria.

Ahmeti: Bashkëpunimi bilateral ndërton një të ardhme të denjë për shqiptarët

Image
Hidajet Ahmeti

Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se takimet mes dy shteteve janë të rëndësishme për rendin ndërkombëtar dhe duhet që takimet e të kaluarës të mos përsëriten.

“Takimet në mes zyrtarëve të lartë të të dyja shteteve janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e dy shteteve shqiptare dhe fuqizimit të tyre në rendin ndërkombëtar, por uroj të mos përsëritet e kaluara e takimeve të tilla. Takimet formale pa përmbajtje nuk kanë efekte konkrete në ndërtimin e raporteve bilaterale, por më shumë atë anën simbolike siç ka ndodhur në të kaluarën”, është shprehur Ahmeti.

Më tej, ai shton se duhet të ketë takime më të shpeshta mes zyrtarëve të dy shteteve sepse takimet e shpeshta mund të krijojnë një ardhme më të mirë edhe në arenën ndërkombëtare.

“Gjykoj se duhet të ketë takime më të shpeshta e zyrtarëve të lartë të të dyja shteteve dhe të konkretizohet çështja e bashkëpunimit me veprime konkrete e përmbajtësore. Vetëm në këtë mënyrë të bashkëpunimit bilateral mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë për rolin e shqiptarëve në Ballkan dhe rendin ndërkombëtar”, ka thënë analisti.

Ahmeti shprehet se duhet të ketë një strategji të përbashkët mes dy shteteve edhe në mekanizmat ndërkombëtar, duke përfshirë këtu edhe raportet e proceseve.

“Fuqizimi dhe konsolidimi nënkuptojnë veprime konkrete e përmbajtësore përmes një strategjie të përbashkët unifikuese si në raportin e bashkëpunimit, por edhe në raportin e proceseve të anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtar”, ka deklaruar Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

Bytyçi: Ruçi nuk punon kundër vullnetit të Ramës

Image
Adem Bytyçi

Ndërsa, analisti politik Adem Bytyçi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se është vështirë që të normalizohen raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë pa u rregulluar raportet mes Ramës dhe Kurtit.

Sipas tij, Ruçi është dora e djathtë e Ramës dhe është vështirë të punojë kundër vullnetit të tij.

“Është vështirë të thuhet me saktësi që z.Ruçi të anashkalojë vullnetin e Ramës, për të forcuar raportet Kosovë- Shqipëri, ndonëse z.Ruçi jo vetëm që është bashkëpartiak i Kryeministrit aktual të Shqipërisë, por është dora djathtë e Kryeministrit Rama në realizimin e politikave të tij. Përderisa raportet në mes dy Kryeministrave të Shqipërisë Edi Ramës dhe të Kosovës z. Kurti nuk normalizohen, është e pamundur përkundër dëshirës së gjithë shqiptarëve që raportet në mes Shqipërisë dhe Kosovës të ishin të shkëlqyera dhe vëllazërore”, ka potencuar analisti.

Ai ka thënë se Rama është deklaruar pro Thaçit dhe Vuçiqit dhe për këtë arsye është e vështirë që të këtë raporte vllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, botërisht është deklaruar se miq i ka z.Thaçi dhe Presidentin aktual të Serbisë Aleksandër Vuqiq, prandaj përderisa Rama është në krye të Shqipërisë, është e pabesueshme se Shqipëria do ta ndihmojë Kosovën dhe do të kultivojë raporte vëllazërore me Kosovën”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat