Kush do të dorëzojë në emër të Kosovës padinë për gjenocidin serb?

Politika

Kush do të dorëzojë në emër të Kosovës padinë për gjenocidin serb?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 11 qershor 2021 Në ora: 21:52
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Partia Demokratike e Kosovës pas shumë vitesh është kthyer në opozitë, duke dalë e dyta parti në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ata po e bëjnë detyrën e opozitës, duke akuzuar dhe kritikuar qeverinë aktuale në krye me Albin Kurtin.

Kështu, PDK-ja vazhdimisht po akuzon qeverinë se i ka harruar premtimet për krimet serbe të bëra nga Serbia në Kosovë, pavarësisht se Kurti ka paralajmëruar padi ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë.

Ndërsa ministrja Albulena Haxhiu ka thënë se ka pasur tendencë që krimet serbe mos t’i përmenden Serbisë, për shkak të dialogut dhe se që 21 vite, krahu i luftës që ishin në qeveri asnjëherë nuk i adresuan ato dhe nuk bënë asgjë për krimet që u kryen në Kosovë.

Gjenocidi ndaj Serbisë për krimet e kryera nuk është bërë ende as nga qeveritë e mëparshme e as nga Presidentët, edhe tash e 22 vite pas luftës.

Mehmeti: Është e turpshme që PDK-ja për 12 vite sa ishte në pushtet nuk ka bërë asgjë për krimet serbe

Akuzat e PDK-së i kanë komentuar njohësit e politikës në Kosovë. Kështu, Faton Mehmeti ka thënë se është e turpshme që PDK-ja për 12 vite sa ishte në pushtet nuk ka bërë asgjë për krimet serbe.

Image
Faton Mehmeti

“Është e turpshme se si PDK akuzon qeverinë Kurti kur vet që 12 vjet ka qenë në qeveri dhe s’ka bërë asgjë për krimet serbe, tani akuzon dikë tjetër pse s’po bën asgjë në këtë drejtim. PDK me veprimet e veta vetëm sa e pasqyron edhe më shumë imazhin e saj prej një partie zhvatëse, të cilës nuk i ka interesuar kurrë asgjë për popullin”, është shprehur Mehmeti.

Sipas tij, ish lideri i kësaj partie dikur është përqafuar me Vuҫiqin dhe nuk ka pasur kurajo që të flasë për krimet që ata kanë kryer në Kosovë.

“Tani që është në opozitë u kujtua të mendojë për Kosovën, për krimet serbe. Derisa ish kryetari i kësaj partie është përqafuar me Vuçiqin dhe politikanë tjetër serb, s’ka pasur kurajon dhe interesin të flet për krimet serbe. Ky është turp dhe tregon më së miri pse sot PDK është në opozitë, sepse kurrë nuk i ka interesuar asgjë për popullin, për qytetarët e saj. Këto akuza janë krejtësisht të pavend, tendencioze dhe bajate, duke pasqyruar kështu më së miri imazhin e vërtetë të PDK-së se kush janë”, ka deklaruar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Burjani: Nuk dihet fati i padisë së Kosovës për gjenocid serb

Image
Blerim Burjani

Ndërsa Blerim Burjani, njohësi i çështjeve juridike, ka thënë se ndonëse është themeluar Instituti për Krime Lufte, fati i kësaj padie ende nuk dihet se kush do ta marrë përsipër që në emër të Kosovës ta dorëzojë në Gjykatën Ndërkombëtare.

“Është themeluar Instituti për Krime Lufte, kjo qeveri ka këtë prioritet për të hartuar një padi ndaj Serbisë, edhe pse fati i kësaj padie është i panjohur, prej asaj se kush do të marr përsipër që në emër të Kosovës ta dorëzojë në gjykatën ndërkombëtare e Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe nuk mund vet ta padisë Serbinë, e dyta mbledhja e fakteve, provave, dëshmive. Përveç vullnetit që ekziston gjë tjetër nuk dihet”, ka deklaruar Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat