“I detyruar ta mirëpres”, a u rregulluan marrëdhëniet mes Kurtit e Ramës në Samitin e liderëve?

Politika

“I detyruar ta mirëpres”, a u rregulluan marrëdhëniet mes Kurtit e Ramës në Samitin e liderëve?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 13 qershor 2021 Në ora: 09:19
Pritja e Rames per Kurtin

Pjesëmarrja në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor që është mbajtur me 6 qershor në Tiranë, ka qenë vizita e parë zyrtare e Albin Kurtit në Shqipëri, në mandatin e tij të dytë si kryeministër.

Në mandatin e parë, Kurti kishte respektuar traditën që ishte krijuar nga krerët institucionalë në Kosovë që pas pranimit të detyrës, vizitën e parë jashtë vendit ta bëjë në Tiranë. Por, një gjë të tillë nuk e bëri në mars, kur nisi mandatin e dytë, pavarësisht se pati një ftesë nga shefi i ekzekutivit të Shqipërisë.

E për këtë, si shkak po përmenden raportet jo edhe aq të mira të tij me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Analistët politikë në Kosovë dhe Shqipëri thonë se raportet mes dy vendeve janë në pikën më të ulët.

Por, në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Tiranë, kryeministrat shqiptarë u panë të afërt me njëri tjetrin, derisa u panë të buzëqeshur bashkë e madje bujë bëri dhe fotografia e tyre ku ishin të përqafuar.

Mirëpo, nga partia e Kurtit thanë se raportet në mes tij dhe Ramës nuk janë rregulluar.

Lidhur me atë se a mund të ndikojnë raportet personale të Kurtit dhe Ramës në bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri, për gazetën “Bota sot” kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

“Qëllimi i Samitit në Tiranë, bashkim i ideve ekonomike"

Analisti dhe profesori, Sulejman Mehazi, në një prononcim për gazetën "Bota sot", ka potencuar se Rama ka qenë i detyruar ta mirëpres Kurtin, sepse ka qenë takim liderësh dhe takimet diplomatike kanë disa rregulla që ndryshojnë nga takimet politike, andaj është i detyruar të sillet njësoj me liderët, pra përfshirë edhe Bërnabiq-in.

Image
Sulejman Mehazi

“Mikpritja e kryeministrit Rama ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Tiranë, ka qenë e detyruar sepse ka të bëjë me takime liderësh, diplomatësh e jo idesh e kundërshtimesh politike, tamam puna që si nikoqir i Samitit të liderëve të Ballkanit, Edi Rama, të mos kishte respektuar Albin Kurtin. Rregullat e takimeve diplomatike ndryshojnë nga ato politike, Rama edhe politikanët me ide më ekstreme e armiqësore duhet të mirëpres si nikoqir i samitit të liderëve e jo më vëllanë Albin Kurtin. Edi Rama nuk mund të jetë më afër me Ana Bërnabiq, ama si mikpritës është i detyruar të sillet njësoj me të gjithë liderët e ftuar në Tiranë”, ka thënë Mehazi.

Tutje, ai është shprehur se takimi i liderëve në Tiranë ka për qëllim çështjen ekonomike të këtyre shteteve dhe pas këtij Samiti, këta liderë prapë do të kthehen tek idetë e kundërta politike, pra përfshirë edhe Ramën i cili nuk do të pajtohet me qeverinë Kurti dhe as Kurti me qeverinë e Ramës.

“Samiti i liderëve për Ballkanin Perëndimor në Tiranë nuk ka takuar vetëm Ramën me Kurtin, por edhe Kurtin me Bërnabiqin, tubimet e liderëve në Tiranë kanë të bëjnë me çështje marrëdhëniesh ekonomike e strategjike ndërshtetërore ballkanike e jo politike, pas mbarimit të Samitit në Tiranë, të gjithë liderët e këtyre shteteve ballkanike do të kthehen me idetë e tyre të kundërta politike, edhe pas këtij takimi Rama nuk do pajtohet me qeverinë e Kurtit, por as Kurti nuk do të pajtohet me politikën e qeverisë së Ramës. Qëllimi i Samitit në Tiranë është për bashkimin e ideve ekonomike për të mirën e këtyre shteteve e jo unifikimin e politikave shtetërore të tyre”, ka deklaruar Mehazi për "Bota sot".

“T’i lënë anash inatet personale, të punojnë drejtë BE-së”

Ndërsa, analisti Islam Kransiqi, ka theksuar se Kurti dhe Rama duhet t’i lënë inatet dhe të punojnë së bashku për ta bërë më të lehtë punën drejt BE-së, madje për t’i lehtësuar edhe procedurat për qytetarët e të dy vendeve.

Sipas tij, Kurti është dashur të niste mandatin me vizitë në Tiranë, kështu duke i larguar edhe barrierat që janë pengesë për qytetarët.

“Gjatë kohës së fushatës në vendin tonë dhe në Shqipëri kanë qenë raportet e acaruara mes liderit të VV-së dhe kryeministrit shqiptar, të cilët patën shkëmbyer edhe akuza mes vete. Kryeministri Kurti dhe z.Rama duhet t'i lënë anash inatet personale dhe të punojnë së bashku për të lehtësuar rrugën drejt BE-së, pasi që ne kemi nevojë për ndihmën e shtetit shqiptar. Dy kryeministrat shqiptarë duhet t'i bashkojnë veprimet e tyre për t’i lehtësuar procedurat për qytetarët e dy vendeve, e jo të mbajnë inate që iu kushtojnë të gjithëve. Z.Kurti është dashur të vazhdojë traditën institucionale duke nisur mandatin me vizitë në Tiranën zyrtare, duke përgatitur edhe takime të dyja qeverive, për t'i larguar të gjitha barrierat që janë pengesë për qytetarët e të dyja vendeve”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

“Kurti me arsye të forta që nuk ka udhëtuar për Tiranë”

Në anën tjetër, analisti politik, Gani Qarri, duke folur për gazetën "Bota sot" për këtë temë, ka thënë se raportet e forta në mes Ramës dhe Vuçiq, kanë bërë që shumë banorë të Kosovës ta shohin si kryeministër më të diskredituar Ramën.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, Kurti ka pasur arsye të mos shkonte në Tiranë, sepse arsyet kanë qenë qëndrimet e Ramës në raport me Kosovën, si dhe lojërat e tij me Vuçiqin.

“Madje lidhjet kaq të forta të Ramës me Vuçiqin dhe përbuzja e Kosovës nga ana e tij, përderisa Serbia ende vazhdon të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe mohon krimet e kryera nga forcat pushtuese serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, kanë bërë që nga shumica e banorëve të vendit tonë Edi Rama të shihet si kryeministri më i diskredituar, që nga rënia e diktaturës komuniste në Shqipëri. Ndërsa, duke pasur parasysh qëndrimet e Edvin Kristaq Ramës në raport me shtetin e Kosovës, i cili i pari pati nisur edhe lojërat e fshehta me Aleksandër Vuçiqin dhe Hashim Thaçin për ndarjen e saj, nga të cilat Rama vetëm ka ndërruar metodologjinë, por ende nuk ka hequr dorë, z. Kurti kishte arsye të forta që të mos udhëtonte për Tiranë në mars kur nisi mandatin e dytë, pavarësisht se pati një ftesë nga shefi i ekzekutivit të Shqipërisë, i cili sa i takon Kosovës, lë përshtypjen se qysh moti, ka hyrë në shërbim të plotë të presidentit serb Aleksandër Vuçiq”, ka thënë ai.

Më tej, analisti ka potencuar se pas këtij vendimi të Biden, nënkupton edhe mos ndryshimin e kufijve të Kosovës, prandaj nuk duhet t’i kushtohet rëndësi raporteve në mes Kurtit dhe Ramës, sepse Rama është vetëm një megaloman, kështu që SHBA nuk mund të krahasohet me asnjë shtet tjetër.

“Për aq më tepër, pas vendimit më të ri të presidentit të SHBA-ve, i cili përcakton qartë pozicionin e Administratës së z.Biden kundër riorganizimit territorial të shteteve në Ballkanin Perëndimor, sipas pretendimeve të Serbisë dhe Vuçiqit, akt jetik ky që nënkupton edhe mos ndryshimin e kufijve të Kosovës, është Edi Rama ai i cili duhet tu kërkojë falje Kosovës dhe SHBA-ve, si garantuese e pavarësisë dhe shtetësisë së shtetit tonë të ri. Kështu që, në këto momente as që ka kohë të mendohet shumë për raportet e Kurtit me Ramën, edhe për faktin se përveç megalomanisë së sëmurë të tij karshi Kosovës, Edi Rama nuk është Joe Bideni i Evropës, as qendra e botës, por vetëm një udhëheqës i dështuar megaloman, i cili asnjëherë nuk ka arritur të sigurojë qetësi, as të garantojë një jetë normale për qytetarët në Shqipëri. Ndaj pesha dhe rëndësia e vendeve mike si SHBA, që mbështetën dhe mbështetin në vijimësi Kosovën, madje edhe në përplasjet më të mëdha gjeopolitike, lindje-perëndim, është e pazëvendësueshme dhe nuk mund të krahasohet me asnjë shtet tjetër”, ka shtuar Qarri.

Ai po ashtu ka theksuar se asnjë kryeministër i vendit nuk duhet të mashtrohet nga Rama, e kursi i kësaj është kurs euro-atlantik dhe i sinqertë perëndimor sepse është i rëndësishëm për Kosovën.

Madje ai ka thënë se nëse Rama vazhdon kështu me Vuçiqin, do të dënohen nga SHBA-të, në bazë vendimit të Biden.

“Për aq më tepër Shqipëria nuk kufizohet askund me Serbinë, por Kosova e cila edhe vazhdon të ballafaqohet me të gjitha problemet e ardhura prej saj, ndaj z. Kurti as cilido kryeministër i vendit nuk guxon të mashtrohet tek Edi Rama, as të luajë me shumë letra, por kursi i saj, duhet të mbetet kurs i sinqertë perëndimor dhe euro-atlantik që është me rëndësi ekzistenciale për Kosovën dhe garanton mbijetesën e shtetësisë së saj, edhe nëse Edi Rama vazhdon të luaj me kartat e Vuçiqit dhe planet sorosiane e serbo-ruse, të cilat pas vendimit më të ri të presidentit të SHBA-ve, z. Joe Biden, së shpejti pritet ta marrin dënimin e merituar bashkë me autorët e tyre”, ka përfunduar Gani Qarri për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat