Vjosa Osmani ia bën të qartë Serbisë, ky është paralajmërimi në prag të dialogut

Politika

Vjosa Osmani ia bën të qartë Serbisë, ky është paralajmërimi në prag të dialogut

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 13 qershor 2021 Në ora: 13:53
Vjosa Osmani

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të mbahet më 15 Qershor.

Derisa edhe shumë pak ditë na ndajnë për këtë takim, opsionet se çfarë mund të presim nga ky dialog po vazhdojnë të jenë të shumta.

Se a do të ketë një marrëveshje finale së shpejti, mbetet të shihet mirëpo ajo se çfarë dimë tani për tani është se qeveria e Kosovës po vazhdon të përgatitet për temat që do të diskutojë me Serbinë.

Ishte presidentja Osmani ditë më parë që ka marrë pjesë në një diskutim virtual të organizuar nga organizata amerikane Atlantic Council, që merret me çështje të sigurisë ndërkombëtare.

Në këtë takim ajo tha se Kosova do të ulet në dialog me Serbinë për të arritur marrëveshje që përmbyllet me njohje reciproke.

Osmani tha se përveç njohjes reciproke, Serbia duhet të hap arkivat e saj për të kthyer të zhdukurit e luftës.

“Në këtë proces, tani do të ketë një takim, Kosova është e përgatitur që të shkojë në bisedime për të arritur një marrëveshje reciproke që ka në qendër të saj njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Unë mendoj se do të varet se si do të sillet Serbia në dialog, dhe se çfarë mendon me të vërtetë për anëtarësimin e e saj në BE- teksa bashkëpunon ushtarakisht dhe ekonomikisht me Rusinë. Unë si presidente e Kosovës, mendoj se vlerat multi-etnike janë duke u implementuar në të gjitha sferat në vend dhe jam krenare për këtë”, ishte shprehur ditë më parë në një deklaratë Osmani.

Ajo ritheksoi që të zhdukurit janë një temë e rëndësishme dhe e ndjeshme për Kosovën për këtë arsye në tavolinën e bisedimeve do të ketë edhe hapje të arkivave për të zhdukurit.

“Është koha që Serbia të vendosë se çfarë dëshiron, Kosova gjithmonë ka shfaqur konstruktivitet dhe kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit. Ne jemi ulur në tavolinën e bisedimeve edhe pse Serbia nuk ka kërkuar asnjëherë falje. Ne kemi qenë gjithmonë fqinj i mirë”, tha Osmani.

Njohësit e çështjeve politike për “Bota sot”, u shprehen se kjo deklaratë e Osmanit për njohje reciproke dhe për të hapur arkivat e të zhdukurve është një kërkesë e duhur dhe duhet të merret parasysh edhe nga Serbia.

Ata shpresojnë që ky dialog do të jetë më dobiprurës se të gjithë të tjerët.

Mehazi: Osmani dhe Kurti nuk do t'i nënshtrohen Serbisë as edhe për një kërkesë

Image
Sulejman Mehazi

Në lidhje me këtë temë, profesori dhe njëherësh analisti politik, Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka thënë se Osmani dhe Kurti kanë arritur të ndryshojnë rrjedhjen e dialogut me Serbinë duke i vënë kërkesa që të mos e prekin Kosovën.

Ai përmend takimin e Osmanit që ceku kërkesën e saj duke e quajtur një guxim dhe hap shumë të rëndësishëm të saj dhe duke e vënë Serbinë në një situatë ku nuk mund të kërkojë më asgjë Kosovës.

“Është e qartë se presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti kanë ndryshuar rrjedhën e dialogut me Serbinë, se ky rifillim bisedues do jetë sa i vështirë për Kosovën, po aq i vështirë edhe për Serbinë e cila nuk është mësuar me këto tempo të kërkesave e kushtëzimeve të Kosovës. Sa më shumë që mendojmë se do vije fundi i dialogut me njohje reciproke, dita ditës aq më shume ndizen zjarret e deklaratave konfliktuoze, sa më shumë që shpresojmë për dialog paqësor, aq më shumë shtohen ngatërresat politike në mes dy palëve dhe na duket se dialogu Kosovë-Serbi do jetë konfliktuoz e jo paqësor. Diskutimi virtual i presidentes Vjosa Osmanit organizuar nga organizata amerikane Atlantic Council që merret me çështje të sigurisë ndërkombëtare tha "se Kosova do të ulet në dialog me Serbinë për të arritur marrëveshje që do të përmbyllet me njohje reciproke." Përveç kësaj kërkese Vjosa Osmani shkon dhe më tej duke kushtëzuar "që përveç njohjes reciproke, Serbia duhet të hap arkivat e saj për të kthyer të zhdukurit e luftës”, ka thënë se profesori.

Mehazi ka shtuar se sa më afër dialogut, politika e Kosovës po vazhdon të jetë këmbëngulëse ndaj temave që duhet të vendosen në tavolinën e bisedimeve.

Sipas profesorit, diskutimi i Vjosa Osmanit në organizatën amerikane "Atlantic Council" më shumë ishte kushtëzuese, duke ia bërë me dije Serbisë që ose do të ketë njohje ose gjetjen e të zhdukurve dhe se pa këto nuk do të ketë marrëveshje finale.

“Favoret politike të Vjosa Osmanit e Albin Kurtit kanë detyruar që dhe Serbia të rritë kërkesat e saja për të kyçur në dialog edhe kishën ortodokse serbe brenda Kosovës. Pra, sa më shumë që afrohet data e dialogut aq më shumë rriten inatet e kërkesave ndaj palëve, elita politike e Kosovës pranon dialogun pa asnjë centimetër tokë serbe në Kosovë, pa Asociacione serbe në Kosovë, gjetja e të vrarëve e të zhdukurve të luftës nga Serbia që më shumë janë kushtëzime. Diskutimi i Vjosa Osmanit ne organizatën amerikane "Atlantic Council" më shumë ishte kushtëzuese, Vjosa Osmani, kërkesave politike serbe për Asociacionet serbe ju kundërvihet me kushtëzime shtetërore, ose Kosova e pavarur me tërësi territoriale të plotë, ose gjetjen e të zhdukurve të luftës ose s'ka dialog me Serbinë. Se dimë pse të dy shtetet para dialogut po përforcohen ne armë te sofistikuara, Serbia armatoset nga Rusia, kurse Kosova nga SHBA, mos ndoshta dialogu anakronik mund të kthehet në konflikt”, ka potencuar Mehazi për “Bota sot”.

Kelmendi: Z. Kurti duhet të kërkojë përgjegjësi penale të shtetit serb!

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” u shpreh se në takimin mes Kosovës dhe Serbisë duhet të parashtrohen në vazhdimësi kërkesat që prekin vendin tonë.

Tema kryesore sipas profesorit duhet të jetë Asociacionit serb në Kosovë mirëpo përveç saj duhet të theksohen edhe temat e tjera, ndër to është edhe Asociacioni për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

“Takimi është i përgatitur nga ana e UE dhe të SHBA-së. Natyrisht se ky takim nuk hynë në takimin e parë që bëhet midis Kosovës dhe shtetit serb. Në takim do të kemi vazhdimësi të dialogut të mbetur më herët. Të dy palët do të shkojnë me tema të ndryshme. Ndërsa, tema kryesore e filluar dhe e vendosur me marrëveshjet e hershme, është Asociacioni serb në Kosovë. Dhe, mu kjo e obligon z Kurti të dalë në temat esenciale të Kosovës. Serbët nuk janë duke u zhdukur në Kosovë. Ata i kanë të drejtat plus më të theksuara dhe më të privilegjuara në botë. Këtu kërkohet që të kërkohet Asociacioni për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Bazë e saj është padrejtësitë që po bëhen mbi shqiptarët në Preshevë, në Bujanoc dhe në Medvegjën e asimiluar”, është shprehur profesori.

Ai përmend katër temat kryesore që duhet gjithsesi të vihen në pah nëse duan reciprocitet, e para është gjetja e të zhdukurve, e dyta dëmet materiale dhe morale, e treta përgjegjësinë për gjenocidin që kanë kryer serbët në Kosovë dhe e katër rikthimin e mjeteve financiare që i kanë vjedhur.

Profesori thekson që Asociacioni serb është çështje që prin por që temë e papërfunduar është edhe të zhdukurit.

“E tërë kjo temë duhet të shtrohet në bazë të parimit të reciprocitetit. Por, këtu në takim nuk duhet lënë pa shkuar nga temat tjera. Ato janë: 1. Gjetja e të zhdukurve tash e 21 vjet më parë nga Qeveria serbe. 2. Dëmet materiale dhe morale, përkatësisht reperacionet nga lufta. 3. Përgjegjësinë penale të shtetit serb për gjenocidin e bërë. 4. Rikthimin e mjeteve të vjedhura financiare etj. Ka shumë tema që duhet të vihen në tavolinë nga ana e z. Kurti. Bashkimi Evropian i ka temat e përcaktuara më herët. Natyrisht se prinë Asociacioni serb, pastaj çështja e marrëveshjeve të përfunduar, gjetja e të zhdukurve etj”, ka theksuar ai.

Ndër të tjera, Kelmendi përmend edhe femrat të cilat janë të përdhunuara nga serbët e që duhet të ketë përgjegjësi të lartë penale, pastaj është edhe shqiptarët e dëbuar me dhunë e terror në vitet 1998/99.

Ai potencon që nuk duhet të vazhdohet me tema të tjera nëse nuk përmenden ato që shërojnë Kosovën.

“I theksova dhe Kosova pret nga z.Kurti të merret me temat që e mbulojnë rëndë Kosovën. Vendi i ynë i ka mbi 20 mijë femra të përdhunuara nga kriminelët e kalibrit të Vuçiqit dhe të Daçiçit serbë. Ky është një krim i lartë dhe që tërheqë përgjegjësi të lartë penale. Janë gjithashtu mbi 1 milion shqiptarë të dëbuar me dhunë e terror e vitet 1998/99 nga shteti serb etj. Këto janë tema që e mundojnë ashpër Kosovën. Por këto nuk po shtrohen në tavolinë për diskutim. Megjithatë, nuk duhet të ecet në temën e Asociacionit apo me temat tjera jo relevante, pa temat që e shërojnë Kosovën në kuadër të gjenocidit që e ka bërë Serbia. Evropës dhe Kosovës i duhet një përgjegjësi penale nga Serbia. Këtu nuk ka pardon”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat