Shumë ‘zhurmë’ për asgjë/ Vjen paralajmërimi për opozitën: Kujdes mund të fundoseni!

Politika

Shumë ‘zhurmë’ për asgjë/ Vjen paralajmërimi për opozitën: Kujdes mund të fundoseni!

Nga: A.Morina Më: 14 qershor 2021 Në ora: 18:48
Kuvendi i Kosovës

Përplasje pozitë-opozitës, janë bërë më se të zakonshme ditëve të fundit.

Ato nuk po arrijnë të gjejnë mirëkuptim dhe marrëveshje në disa tema të caktuara, madje as në ato tema që janë me interes të madh për vendin, siç është dialogu me Serbinë.

Krahas debateve të tyre, u përfol edhe mundësia për shkarkimin e qeverisë aktuale, ku madje kryeministri Kurti edhe paralajmëroi opozitën, nëse tentojnë të marrin një vendim të tillë.

E natyrisht, pavarësisht kësaj deklarate të Kurtit, partitë opozitare nuk i ndalen kritikat dhe akuzat e tyre ndaj qeverisë.

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot” kritikoi veprimet e partive opozitare në Parlamentin e Kosovës.

Sipas tij, opozita po e kritikon qeverinë vetëm për arsye elektorale, pasi tani dihet se zgjedhjet lokale janë shumë afër.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri

“Përderisa në këtë mandat qeverisës, e gjithë barra e përgjegjësisë bie mbi vet pozitën aktuale, e cila e ka shumicën absolute në Kuvend, ndërsa opozita mund të jetë vetëm kujdestare e vlerësimit të punës dhe veprimeve të saj, që mjerisht jo gjithmonë e bënë në mënyrën e duhur dhe e përdorë vetëm për çështje elektorale, sidomos tani kur edhe data e hapjes së fushatës për zgjedhjet lokale, po afrohet me të shpejtë dhe nuk është më edhe aq larg, diskutime të tilla si ato të seancës së fundit në Kuvend, sidomos nga opozita, i shoh pothuajse të zhvilluara fare kot dhe pa asnjë nevojë dhe interes për vendin”, deklaroi Qarri.

Sa i përket përplasjeve pozitë-opozitë në seancën e fundit parlamentare, analisti e cilësoi si tejet qesharake, ku në njërën anë kryeministri Kurti, filloj pothuajse të tallej me partitë e dështuara opozitare, e në anën tjetër edhe Lumir Abdixhiku iu kthye në të njëjtën mënyrë.

“Për aq më tepër, seanca e fundit me kuasi përplasje mes pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës, pothuajse u kthye në skenë tragjikomike, për të mos thënë tërësisht qesharake dhe lojëra të thjeshta fëmijësh, ku në njërën anë kryeministri Kurti, filloj pothuajse të tallej me partitë e dështuara opozitare, duke "lutur" opozitën që mos ta rrëzojnë prej qeverisë, ngase rezultati për to mund të jetë edhe më denigrues e katastrofal, duke marrë një përgjigje pothuajse gati të njëjtë kurtuazie nga Lumir Abdixhiku i LDK-së, se askush nuk do ta rrëzoj, por Qeveria mund ta rrezojë veten, gjë që edhe është e vërtetë, nëse ajo nuk punon si duhet”, theksoi ai.

Në vazhdim, Qarri paralajmëroi se subjektet opozitare mund të bëjnë një sabotim të qëllimshëm brenda organit legjislativ, ku po tentojnë ta vazhdojnë ende avazin e vjetër.

“Kjo për vet faktin se megjithëse mund të ketë edhe sabotim të qëllimshëm nga partitë opozitare brenda legjislativit të vendit dhe tabori i degjeneruar i tyre, që tenton për ta vazhduar avazin e vjetër, shihet qartë se në kohën e shkurtër të Qeverisë Kurti-2, veçanërisht disa ministri dhe institucione nuk e kanë as për së afërmi vullnetin dhe guximin e mjaftueshëm, për të punuar seriozisht dhe zbatuar ligjin, në mënyrë që ti përmbushin obligimet e veta ligjore dhe përgjegjësitë institucionale për çka edhe paguhen nga shteti, duke harruar faktin se vetëm agjenda legjislative për vitin 2021 është e barabartë me hiq më pak se 192 ligje të cilat, presin të trajtohen me kohë dhe dërgohen në afat të paraparë, për miratim në Kuvend, gjë që nuk shenja se edhe do të ndodhë së shpejti”, potencoi analisti.

Krejt në fund, ai u shpreh se mundësia për rrëzimin e Qeverisë Kurti jo vetëm që nuk është serioze, por edhe është vetëm një ‘zhurmë’ e kot politike nga ana e opozitës.

Madje, ai tha se nëse ndodhë mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare për një kohë kaq të shkurtër, atëherë disa subjekte politike do të ‘fundoseshin’ nga pragu zgjedhor.

“Ndaj debatet lidhur me mundësinë e rrëzimit të Qeverisë Kurti, për momentin, jo vetëm që nuk janë serioze, por në mungesë të ideve dhe propozimeve avangarde politike opozitare, opozita e dështuar vetëm sa po bën kot shumë ‘zhurmë’ për asgjë, në vend se të fokusohet në atakimin e neglizhencës dhe mosveprimit të sektorëve dhe ministrive të caktuara, pasi që siç dihet Qeveria aktuale ka shumicën absolute të ulëseve në parlament dhe mbajtja edhe e një palë zgjedhje të reja, në kohë kaq të shkurtër, do ti fundoste përfundimisht disa subjekte buzë pragut zgjedhor dhe gati edhe ashtu të shuara opozitare”, përmbylli Gani Qarri, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat