Përkrahet ‘dëbimi’ i Agim Veliut – përflitet mundësia për rikthimin e disa figurave në LDK

Politika

Përkrahet ‘dëbimi’ i Agim Veliut – përflitet mundësia për rikthimin e disa figurave në LDK

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 qershor 2021 Në ora: 18:59
Agim Veliu

Që nga zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së re, tani kanë filluar të vërehen reformat në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Vetëm disa ditë më parë, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës morën vendim për shkarkimin e Agim Veliut nga kreu i degës së LDK-së në Podujevë.

Lidhur me këtë çështje, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se Agim Veliu nuk ka shprehur interesim për të rikandiduar.

Mirëpo, këto deklarata të kryetarit Abdxhikut i ka hedhur poshtë vet Agim Veliu. Ky i fundit në një deklaratë ka thënë se është kundër këtij vendimi dhe se marrëveshja është bërë pa pëlqimin e tij.

Madje, këtë vendim Veliu e ka cilësuar edhe ilegal.

“Është bërë një marrëveshje pa pëlqim. Kemi qenë duke diskutuar me e bë një marrëveshje të madhe e më i ka tejkaluar të gjithat. Ata sot paskan marrë vendim ilegal, ilegjitim për mua. Është në kundërshtim me statutin e LDK-së. Nuk ka të drejtë askush pa proces me e ndryshu kryetari, me zgjedhë, shkarku ose me e ngarku. Për këtë punë Kuvendi është”, ka thënë Veliu.

Ndërsa, tani të gjitha kompetencat e degës së LDK-së në Podujevë i kanë kaluar kandidatit të kësaj partie për kryetar të kësaj komune, Ekrem Hysenit.

Kjo është konfirmuar nga kryetari Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se ky ka qenë vendim i kryesisë.

“Me vendim të kryesisë, kandidati për kryetar të Podujevës nga LDK është Ekrem Hyseni. Kryesia e LDK-së i ka kaluar të gjitha kompetencat e degës dhe shtabit zgjedhor dhe të garës në Podujevë. Vendime të njëjta do të jenë pothuajse në secilën komunë. Kjo me qëllim të reformimit edhe të degëve. Kompetencat i kanë kaluar kandidatit për kryetar të komunës së Podujevës, nuk ka të bëjë me individ”, ka thënë ai.

Kurse, analistët politik e duartrokiten vendimin për shkarkimin e Veliut nga dega e LDK-së në Podujevë, duke thënë se ky është një hap i madh drejt reformave të brendshme në këtë parti.

Kapiti: Agim Veliu një dështak i madh!

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Kapiti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, e mirëpriti shkarkimin e Agim Veliu nga kreu i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë.

Shkarkimi sipas Kapitit ishte më se i nevojshëm pas humbjes në zgjedhjet e kaluara lokale në Podujevë.

Image
Skënder Kapiti

“Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës me shumë të drejtë e kanë shkarkuar Agim Veliun nga kreu i Degës së LDK-së në Podujevë, pasi atij i faturohet humbja në zgjedhjet vendore të parakohshme, humbje e cila i meritohet kryesisht dhe personalisht atij si një dështak i madh së bashku më ish-kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa”, deklaroi ai.

Madje, analisti u shpreh se shkaku i politikanëve si Veliu, LDK pësoi humbje të madhe në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. Sipas tij, në Kosovë është bërë e zakonshme që politikanët të mos i pranojnë shkarkimet nga postet politike, si në rastin e Agim Veliut dhe ish-ambasadorit Gjergj Dedaj.

“Edhe në zgjedhjet e fundit te parakohshme parlamentare te 14 Shkurtit 2021, LDK-ja mori ndëshkim të ashpër kryesisht prej këtij këllëpi politikanësh si Veliu të cilët e kishin uzurpuar dhe kapur LDK-në. Tani është bërë e modës në Kosovë mospajtimi dhe mos largimi i dështakëve nga postet politike partiake dhe atyre shtetërore ashtu sikurse ditë më parë edhe ish-ambasadori i Kosovës Dedaj nuk donte që të largohej nga detyra e Ambasadorit, ashtu pra edhe Agim Veliu nuk pajtohet me shkarkimin si ish-kryetar i Degës së LDK-së për Podujevën”, theksoi Kapiti.

Tutje, ai tha se përjashtimet e ‘gardës së vjetër’, Isa Mustafës dhe Agim Veliut nga LDK, po e përmirësojnë atë politikisht.

“Në fakt si “dëbimi” apo largimi i Isa Mustafës ashtu edhe i Agim Veliut dhe i gardës së vjetër nuk është se e dëmtojnë LDK-në , por përkundrazi vetëm sa e shërojnë dhe e shëndoshin politikisht Lidhjen Demokratike të Kosovës”, nënvizoi analisti.

Në fund, Kapiti potencoi se largimi i Veliu, iu ka dhënë mundësi të rikthehen e të vijnë shumfish herë më shumë individë të duhur në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Edhe po qe se largohet krejt nga LDK-ja Agim Veliu, largohet një individ apo edhe ndonjë shok i tij, por ama kjo ka efektin tjetër të madh, atë se do të rikthehen e do të vijnë shumëfish herë më shumë individë të tjerë të cilët janë larguar apo kanë kaluar në indiferentizëm politik prej zhgënjimeve, prej lidhjeve me korrupsionin dhe me matrapazllëkun korruptiv për interesa personale individët e tillë si Veliu dhe ata te gardës se vjetër e LDK-së”, përmbylli Skënder Kapiti.

Krasniqi: LDK ka filluar reformat duke e larguar ‘gardën e vjetër’

Njëjtë mendon edhe analisti politik, Islam Krasniqi. Ai u shpreh se shkarkimi i Veliut ishte më se i nevojshëm, shkaku se ai ka qenë fajtori kryesor i rezultatit të zgjedhjeve të fundit parlamentare të LDK-së.

Image
Islam Krasniqi

“Po LDK -ja ka filluar reformat duke e larguar nga pak gardën e vjetër, e cila e kishte privatizuar partinë por njëkohësisht edhe e kishte dëmtuar atë për interesa të disa individëve brenda partisë.

Shkarkimi i z.Veliu nga kryesia e LDK-së në komunën e Podujevës ishte shumë i nevojshëm, pasi që ai ishte fajtori kryesor i rezultatit të zgjedhjeve të fundit, ku LDK-në e ndëshkuan elektorati për veprimet e z.Veliu”, deklaroi ai.

Në vazhdim, Krasniqi tha se Veliu është dashur të jap dorëheqje, në momentin e humbjes së zgjedhjeve lokale në Podujevë.

“Ish kryetari i komunës së Podujevës, z.Veliu në momentin e humbjes së zgjedhjeve është dashur të jep dorëheqje nga të gjitha strukturat e partisë e jo të pret që të tjerët ti'a caktojnë rrugën duke e larguar nga partia’, nënvizoi analisti.

Në fund, ai potencoi se me këtë veprim garda e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nis reformat brenda saj.

“Tani garda e re e LDK-së ka filluar reformat në brendësinë e saj, duke i dërguar një pjesë që zhvaten partinë në pension për të fuqizuar partinë ashtu siç ishte dikur”, përmbylli Islam Krasniqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat