Liturgjia serbe në kampusin e Universitetit alarmon ekspertin e sigurisë: Ky është kulmi i dështimit të AKI-së dhe Kosovës

Politika

Liturgjia serbe në kampusin e Universitetit alarmon ekspertin e sigurisë: Ky është kulmi i dështimit të AKI-së dhe Kosovës

Nga: N.Sh. Më: 15 qershor 2021 Në ora: 16:39
Pamje nga liturgjia serbe në Kosovë

Ditë më parë, në kampusin e Universitetit të Prishtinës, konkretisht në Kishën Ortodokse serbe është mbajtur një liturgji serbe.

Për këtë, policia e Kosovës kanë thënë se, nuk ka pasur asnjë njoftim për mbajtje të liturgjisë në objektin e Kishës Ortodokse serbe.

Kështu ka thënë drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti duke shtuar se objekti kishës nuk është në mesin e objekteve të cilat ruhen 24 orë nga Policia e Kosovës.

“Nuk kemi qenë të njoftuar fare për aktivitet kishtar, Policia e Kosovës këtë objekt nuk e ka në listën e objekteve që i siguron 24 orë. Ne nuk kemi pasur asnjë njohur që në këtë objekt do të mbahet ndonjë liturgji”, ka thënë drejtori i policisë.

E për këtë çështje ish-zëvendësminsitri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, thekson se, Kisha Ortodokse Serbe për shqiptarët është një objekt irritues, simbol i nacionalizmit serb të politikës së Millosheviqit gjenocidial, dhe si e tillë është e ndërtuar në kohën sa ishte në pushtet Millosheviqi.

Sipas tij, ajo është ndërtuar pa leje të organeve kompetente, mu në qendrën e qytetit të Prishtinës, e sidomos në pjesën universitare studentore!

Image
Hajrullah Tërnava

“Kur është ndërtuar kjo kishë, e ka pasur qëllimin irritues dhe nxitës të urrejtjes në ato kohërat e nacionalizmit serb, prandaj për këtë kishë lirisht mundë të thuhet se është kishë provokuese shoveniste Serbe qysh nga ato kohëra. Prandaj edhe tani shtrohet pyetja për këtë kishë, pse nuk është gjendur mënyra ligjore e shkatërrimit të sajë deri me tani? Në mënyrën se si është mbajtur kjo liturgji, pa u lajmëruar  apo marrë leje nga institucionet e shtetit të Kosovës, është për tu habitur, prandaj me këtë dëshmohet mos  funksionimi i shtetit të Kosovës, sepse me u mbajt kjo liturgji pa e ditur askush, bëhet pyetje se çfarë pune dhe detyra kryen shërbimi sekret AKI, shërbimi policor, qendra studentore me aq numër të madhe të studentëve të pranishëm”, thotë Tërnava.

Sipas tij, institucionet e Kosovës në përgjithësi mund të thuhet se u gjetën në befasi me meshën e organizuar në atë kishë, prandaj nga kjo del se të gjitha institucionet u gjetën krejtësisht të përgjumura, e sidomos organet e sigurisë.

“Mbajtja ilegale e liturgjisë fetare ortodokse në Kishën në qendër të Prishtinës, në kampusin universitar, padyshim se është përpjekja më e rëndë e Shërbimeve Sekrete serbë – UDB e BIA, për ta provokuar një acarim të ri të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, pikërisht në prag të pritjes për vazhdimin e dialogut mes dy vendeve javën që vjen. Dhe me këtë edhe faktori ndërkombëtar tani e ka të qartë shtetësinë e brisht të Kosovës. Kisha Ortodokse serbe e mbajti liturgjinë në Kishën Ortodokse politike të ndërtuar në hapësirën e UP, “Hasan Prishtina” në Prishtinë, kishë kjo e mbetur akoma jo funksional dhe e pa përfunduar, pasi që ishte filluar së ndërtuari në kohën e okupimit serb dhe uzurpimit të dhunshëm të hapësirës universitare nga regjimi serb dhe në bazë te ligjeve diskriminuese”, shprehet ai.

Tërnava shton se, përball këtij provokimi shovenist të kishës shoviniste Serbe, në këtë situatë lirisht mund të thuhet se dështoi shteti, dështuan studentët, dështuam ne si shoqëri, dështuan institucionet e shtetit, prandaj shtrohet pyetja pse gjithë kjo heshtje sikur nuk ka ndodhur asgjë.

“Ky dështim flet për nevojën e madhe që kemi për edukim në ringjalljen e frymës kombëtarë. Qeveritarët duhen ta marrin këtë çështje si tepër shqetësuese, dhe të ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj përgjegjësve të institucioneve që kanë përgjegjësi për këto lëshime, që në të ardhmen t’iu shërbeje si argument se kush nuk i kryen detyrat konfrom ligjit gjithsesi se duhet të dënohet. Në këtë rast kemi të bëjmë me situatën skandaloze të dështimit të zbatimit të ligjit dhe ballafaqimit për shkelje ligjore, e sidomos ndaj armikut tonë të përbetuar, nga i cili ende nuk na u kanë mbyllur plagët e shkaktuara nga ta”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat