Jo kusht për dialog, vjen paralajmërimi ndaj BE-së, ja pse vizat nuk bën të përfshihen në bisedimet me Serbinë

Politika

Jo kusht për dialog, vjen paralajmërimi ndaj BE-së, ja pse vizat nuk bën të përfshihen në bisedimet me Serbinë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 15 qershor 2021 Në ora: 21:05
Ilustrim

Përfaqësuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka deklaruar se nëse liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës, atëherë të njëjtit do të pranojnë më lehtë kompromiset e dialogut. 

Për këtë ka pasur reagim nga kryekuvendari Glauk Konjufca, i cila ka thënë se është lajm i keq nëse vizat vendosen si kusht për dialogun.

Sipas tij, nuk do të ishte mirë që liberalizimin e vizave ta lidhin me dialogun sepse Kosova ka përmbushur kriteret për plotësimin e të gjitha kushteve për liberalizimin të vizave, Kosova i ka përmbyll më 2017. 

“Do të ishte mirë që institucionet tona mos me lidh liberalizimin e vizave me dialogun që ka të bëjë me Serbinë. Kushdo që e pranon që ka një kauzalitet mes sjelljes në dialog dhe liberalizimit të vizave, ia ka bërë një keqpërdorim të madh procesit të liberalizimit të vizave. Pse? Meqenëse procesi i liberalizimit të vizave ka qenë tërësisht i ndarë prej këtij dimensioni politik, që është dialogu me Serbinë dhe Bashkimi Evropian deri tash ka arritur goxha mirë që me mbajt si proces të ndarë liberalizimin e vizave me atë çka ndodh në dialog me Serbinë. Pra, nëse dikush mendon që liberalizimin e vizave duhet me vendos si kusht shtesë për Kosovën në relacion me dialogun me Serbinë, atëherë mendoj se ky do të ishte lajm shumë i keq për Republikën e Kosovës, meqenëse kriteret për plotësimin e të gjitha kushteve për liberalizimin të vizave, Kosova i ka përmbyll më 2017. Prej vitit 2018, çdo zyrtar evropian, edhe nga Komisioni Evropian, kanë thënë se Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave. Tash, pas këtij konkludimi se Kosova i ka plotësuar kushtet, me na zhvendos liberalizimin në avancimin se sa mirë po ec dialogu me Serbinë, është degradim për liberalizimin e vizave”, ka thënë Konjufca.

Por, a do të duhej të përfshihen vizat me dialogun, derisa edhe Demarkacioni ishte kushtëzuar me liberalizimin e vizave, gjë që më pas nuk ndodhi nga ana e BE-së.

Qarri: Me liberalizimin e vizave nuk guxon të manipulojë më askush madje as BE

Image
Gani Qarri

Lidhur me këtë, analisti politik Gani Qarri, për “Bota sot” ka thënë se Qeveria e Kosovës është ajo e cila do të duhej ta vinte kusht liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, për rifillimin e bisedimeve. Madje, sa i përket liberalizimit të vizave thuhet se nuk vendos BE, por shtetet anëtare veç e veç.

“Në fakt, sa i takon liberalizimit të vizave, Qeveria e Kosovës do duhej ta vinte paraprakisht liberalizimin e vizave dhe lëvizje e lirë të qytetarëve të vet si kusht, për rifillimin e bisedimeve, por megjithatë edhe nëse vet Viola von Cramon, kujdeset ta vendos si prioritet liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, në shenjë të gjestit të mirë, nga ana e BE-së, ndaj shtetit dhe Qeverisë së Kosovës, për rifillimin e bisedimeve, ky do të ishte një akt i mirëseardhur, sado që pa filluar arrestimi i të korruptuarve dhe figurave të inkriminuara politike në korrupsion e krim të organizuar, të cilët kanë zhvatur këtë vend për 20 vite me radhë dhe grumbulluar milionat për vete, në shtetin më të vogël e më të varfër në Ballkan, është tejet vështirë të besohet se njëmend qysh tani, do të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën. Madje arrestimi i ish-pushtetarëve të inkriminuar në korrupsion e krim të organizuar, ka qenë kërkesë e kamotshme e BE-së, që vazhdon së paku për një dekadë me radhë t’i përsëritet Kosovës, ndaj dhe deklarata e zonjës Viola von Cramon, se nëse liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës, atëherë të njëjtit do të pranojnë më lehtë kompromiset e dialogut, është një oportunizëm më vete, për vet faktin se për vizat nga vet përfaqësuesit e BE-së, thuhet gjithnjë se nuk vendos BE, por shtetet anëtare veç e veç. Për aq më tepër, kompromise në kurriz të vendit tonë të vogël, as që guxojnë më të ndodhin sepse Kosova ka humbur dhe pësuar aq shumë, në dhjetë vite të bisedimeve me Serbinë, sa që nuk ka më mundësi as kapacitete edhe ta rimarrë veten, se lëre më tu mbijetojë kompromiseve të reja. Madje si zonja Cramon ashtu edhe vet BE e di mirë se Kosova me shkas dhe arsye e ka humbur tërësisht besimin në premtime të tilla paushalle, nga të cilat njëherë edhe është djegur keq dhe zhgënjyer rëndë duke i falur Malit të Zi mbi 8300 hektar tokë pikërisht me premtimin e BE-së, se po të pranohej ky akt, do të liberalizoheshin vizat për Kosovën, por që tash e atëherë liberalizimi as që ka ndodhur fare”, është shprehur ai. 

Sipas Qarrit, me liberalizimin e vizave nuk guxon të manipulojë më askush e madje as BE. 

“Ndaj liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, o duhet të ndodhë para se të rifillojnë bisedimet ose nuk guxon të manipulojë askush më nga BE, se me të njëjtat premtime të pa mbajtura, që të mashtrohen edhe një herë udhëheqësit dhe qytetarët e Kosovës për ta shkatërruar shtetësinë e vet. Kështu që kësaj "oferte" në erë, me të drejtë i është kundërpërgjigjur edhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, i cili ka thënë se nëse vizat vendosen si kusht për dialogun, ky është lajm i keq, i cili përveçse nuk e joshë më askënd, ai edhe bllokon tërësisht bisedimet, ngase Kosova jo vetëm që nuk mund të bëjë kompromise por as të besojë në premtime të tilla, pa mbulesë, që pas publikimit të disa “Non-Paperve” me radhë, vije si një shantazh i ri edhe më i rëndë për Kosovën, qysh para rifillimit të negociatave, i cili bllokon paraprakisht procesin e dialogut”, ka thënë Qarri. 

Në fund, analisti ka thënë se nëse Kosovës tentohet t’i vendosen vizat si kusht, atëherë nga Qeveria e re duhet të vijë një kundërpërgjigje shumë më e fortë dhe e vendosur. 

“Madje, nëse zonja Cramon mendon se pas gënjeshtrës së parë për liberalizim, me ç`rast Kosova e hëngri karremin dhe fali mbi 8300 hektarë tokë të veten Malit të Zi, me gënjeshtrën e dytë, BE do ta gjunjëzojë Kosovën ta shkatërrojë edhe rregullimin e brendshëm kushtetues duke krijuar një "republika srpska" të dytë dhe rrezikuar edhe shtetësinë e vet, e ka shumë gabim, sepse përveçse populli i Kosovës është ngopur me lojëra të tilla meskine, tani edhe shteti nuk udhëhiqet më nga matrapazët e shitjes së tokave dhe shkatërruesit e shtetësisë së Kosovës në paqe dhe tryezën e bisedimeve, por ata tani disa gjenden në burg, e ndonjë tjetër mund t’i pasojë së shpejti, nëse ligji gjen fakte se ishin pjesë e akteve të tradhtisë ndaj shtetit dhe popullit të Kosovës. E nëse megjithatë Kosovës tentohet t’i vendosen vizat si kusht, atëherë nga Qeveria e re, duhet të vije një kundërpërgjigje shumë më e fortë dhe e vendosur, sepse ajo e Konjufcës nuk mjafton, për vet faktin se, me këtë akt vet BE po e pamundëson qëllimisht, rifillimin e dialogut dhe përjashton apriori Kosovën nga bisedimet, e cila nuk e ka luksin, as mundësinë, për kompromise të mëtejme edhe nëse BE, sheh ëndrra se serish, do ta mashtrojë Kosovën me premtime false dhe përralla për gjumë, si dikur, kur pazarxhinjtë e tokave të Kosovës ishin shtet dhe pushtet”, ka deklaruar Gani Qarri për agzetën “Bota sot”.

Mehazi: Liberalizimi i vizave është problem evropian, e dialogu është problem i dy shteteve Kosovë-Serbi 

Image
Sulejman Mehazi

Kurse, profesori Sulejman Mehazi ka thënë se është se pakuptueshme dhe e palogjikshme të lidhet liberalizimi i vizave me dialogun me Serbinë. 

“Intervista e përfaqësueses së Parlamentit Evropian, Viola von Cramon është në disfavor të Kosovës për shkak të disbalancës së liberalizimit të vizave me dialogun me Serbinë, është e pakuptueshme dhe e palogjikshme të lidhet liberalizimi i vizave me dialogun me Serbinë. Pajtohemi plotësisht me reagimin e Kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufcës, drejtuar intervistës se Viola von Cramon, "se është lajm i keq nëse vizat vendosen si kusht për dialogun, ky është degradim që po i bëhet këtij procesi.", ka thënë Mehazi. 

Sipas tij, liberalizimi i vizave është problem evropian, e dialogu është problem i dy shteteve fqinje, mes Kosovës e Serbisë. 

“Nuk mund ta kuptojmë zonjën e Evropës, Viola von Cramon, se kush ia dha e nga e nxori këtë tezë kushtëzuese të liberalizimit të vizave me dialogun me Serbinë? Liberalizimi i vizave është problem evropian, kurse dialogu është problem i dy shteteve fqinje, Kosovë-Serbi. Plus zonja e Evropës, Viola von Cramon, thotë se liberalizimi i vizave do ta lehtësonte kompromisin e dialogut me Serbinë, nuk kërkon kompromiset serbe ndaj Kosovës, po kompromiset kosovare ndaj serbëve. Zonja e Evropës, sa e "mençur" po na del,  nga serbët nuk kërkon asgjë, gjersa nga ana kosovare vendos liberalizimin e vizave si kusht për dialogun me Serbinë. Evropiania, Viola von Cramon, le të lirë Serbinë e Vuçiqit, kurse me parakushte të liberalizimit të vizave ngushton Kosovën e Albin Kurtit?! Pse Viola von Cramon nuk e bën të kundërtën, të ngushtojë Serbinë me parakushte për mos ekzistencën e Asociacioneve serbe në Kosovë?! Si duket Kosova nuk është në hall vetëm prej Serbisë, po edhe prej evropianëve që nuk guxojnë edhe një liberalizim të vizave të ju japin qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Sulejman Mehazi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat