Protestë jo për Thaçin/Të paarsyeshme kërkesat e veteranëve, ky është qëllimi i tyre

Politika

Protestë jo për Thaçin/Të paarsyeshme kërkesat e veteranëve, ky është qëllimi i tyre

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 16 qershor 2021 Në ora: 08:09
Hashim Thaçi

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ditë më parë ka organizuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, aktivitet protestues përmes artit, për shkak siç thonë fyerjeve që po bëhen ndaj UÇK-së dhe në përkrahje të çlirimtarëve që gjenden padrejtësisht në dhomat e specializuara në Hagë.

“Këtë përvjetor të ditës së çlirimit të Kosovës, po e presim pa prezencën e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj e kemi obligim moral e njerëzor që në këtë ditë të veçantë për vendin tonë, të jemi në përkrahje të tyre. Dil dhe shkruaj mbishkrimin “Me ju çlirimtarë” dhe formo figurat e nismëtarëve të Lirisë”, ka thënë Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së.

Në sheshin “Skënderbeu” u vendosën portretet e secilit prej atyre të cilët po gjykohen në Hagë.

Madje edhe shumë qytetarë që mbanin në duar flamuj të UÇK-së, kanë plotësuar këto portrete, me fjalinë "Me ty Çlirimtar".

Por, pse veteranët kanë protestuar kundër Gjykatës që ka arrestuar ish luftëtarë të UÇK-së, derisa ka qenë ish presidenti Hashim Thaçi ai që ka kërkuar që të votohet Specialja e madje ka bindur dhe deputetë për këtë, duke thënë se ajo nuk është e dëmshme për Kosovën.

Lidhur me këtë protestë, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.

“Ata që protestojnë e kanë për veten e tyre jo për Thaçin”

Lidhur me këtë, analisti Rexhep Shahu, ka thënë se a janë me padrejtësi a po me padrejtësi në Hagë, vendos gjykata. Ai thotë se Thaçi vetë ka insistuar që të krijohet kjo gjykatë, prandaj sado dënim të marrin është nënshkruesi i kësaj.

Image
Rexhep Shahu

Sipas tij, ata që protestojnë apo ata që heshtin nuk e kanë për Thaçin, sepse kanë interesat e tyre dhe duan të hyjnë në histori sepse kanë nevojë.

“A gjenden padrejtësisht në gjykatë në Hagë apo jo padrejtësisht atë e vendos gjykata e jo shoqatat e dala nga lufta apo nga pas lufta. Thaçi ka qenë vetë insistuesi më i madh që të krijohet Gjykata Speciale dhe ai e di më mirë se çdo kush tjetër shoqatë apo jo shoqatë se a është padrejtësisht në Hagë. E shkuara nuk ndryshohet dot. Çfarëdo të ndodhë me fatin e Thaçit, sado dënim të marrë apo pafajësi të marrë, ai ka nënshkruar në historinë e Kosovës, është në historinë e Kosovës dhe për çfarë ka bërë mirë apo keq, atë nuk e nxjerr dot askush prej historie. Të gjithë të tjerët që protestojnë apo heshtin e kanë për veten e tyre jo për Thaçin, kanë hallet e interesat e tyre jo të Thaçit, nuk e bëjnë për Thaçin protestën a revoltën. Sepse Thaçi në fakt nuk ka nevojë, ata që duan të hyjnë në histori kanë nevojë”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Veteranët të dallojnë nga PDK me qëndrime të tjera

Ndërsa, juristi Blerim Burjani, ka thënë se veteranët dhe PDK kanë të njëjtin qëndrim.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, thotë se kjo nuk duhet të ndodhë sepse si PDK ashtu edhe veteranët kanë qëndrime të ndryshme, prandaj duhet të dallohen.

Ai thotë se PDK nuk ka punuar për veteranët dhe protesta ka të bëjnë edhe me politikën dhe se kërkesa për dorëheqjen e Gërvallës, por edhe kërkesat tjera nuk kanë të bëjnë me nevojat e tyre, andaj edhe është brengosëse.

“Po duket se veteranët kanë një qëndrim të njëjtë me PDK, në opozitë realisht nuk do të duhej të ishte në të njëjtën linjë. PDK është parti përderisa veteranët kujdesen për vetën e tyre dhe ndikojnë që të përmirësohet jeta e tyre sociale dhe ekonomike. Veteranët janë çështje tjetër dhe duhet të dallohet nga partia ish në pushtet PDK, me qëndrime tjera. PDK nuk është subjekt që është thirrur shumë në veteranë dhe nuk ka punuar edhe aq shumë për veteranët, protestat e tyre nuk kanë të bëjnë vetëm me të drejtat por edhe me politikën. Kërkesa e tyre që të dorëhiqet Donika Gërvalla dhe kërkesat tjera që kanë, asnjë nuk janë të natyrës sociale dhe për nevojat që mund të kenë, kjo është brengosëse krejt është politike po edhe jo mirëqenie sociale për shumë njerëz të pambrojtur që janë veteranë në kuptimin social dhe ekonomik, përderisa njerëz të PDK janë përfitues dhe janë bërë milionerë disa nga ata”, ka theksuar Blerim Burjani për “Bota sot”.

Protestë pa arsye dhe pa logjikë

Në anën tjetër, analisti Faton Mehmeti, e ka quajtur protestën të pakuptimshme, prandaj edhe ka thënë se nuk ka pasur mbështetje nga populli.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, Thaçi i ka përdorur politikisht veteranët, madje kanë pasur edhe shumë arsye për të mos protestuar.

Ai thotë se ata duhet të protestojnë për gjendjen e vështirë që i ka lënë Thaçi, meqë rast po përdoren nga PDK dhe nuk mbështeten nga qytetarët sa duhet.

“Protesta e veteranëve është krejtësisht e pakuptimshme, kur dihet se Gjykata Speciale është krijuar nga ata të cilët këta thonë se po i mbrojnë. Krejtësisht pa arsye, pa logjikë. Andaj kjo protestë nuk kishte mbështetje popullore, meqenëse është krejtësisht pa logjikë të shëndoshë, andaj edhe është refuzuar nga populli, edhe me të drejtë. Në këtë kuptim duhet theksuar se Hashim Thaçi është e keqja e madhe e Kosovës dhe e veteranëve të luftës, për 12 vjet në pushtet nuk ka bërë asgjë për veteranët, vetëm se i ka përdor politikisht sa herë që ka pasur nevojë. Veteranët kanë mijëra arsye që mos të protestonin dhe asnjë për të protestuar për Gjykatën Speciale. Mirëpo, kanë shumë arsye për të protestuar për gjendjen e tyre të vështirë, të cilët të tillë i ka lënë Hashim Thaçi dhe PDK. Fatkeqësisht veteranët janë përdorur dhe po përdoren nga PDK-ja, andaj edhe nuk gëzojnë mbështetjen e qytetarëve aq sa duhet, sepse kanë lejuar të përdoren politikisht, të anojnë politikisht”, ka deklaruar Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat