Kryeministrit i vjen mbështetja e fuqishme: Ja çfarë di ambasadori Kosnett për Albin Kurtin

Politika

Kryeministrit i vjen mbështetja e fuqishme: Ja çfarë di ambasadori Kosnett për Albin Kurtin

Nga: P.R Më: 17 qershor 2021 Në ora: 21:41

Në takim e tyre “kokë më kokë”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti paraqiti katër propozime që çojnë përpara dialogun, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi se delegacioni i Kosovës kishte shkuar që të mos pajtoheshin për asgjë.

Gjatë takimit në Bruksel, Kurti dhe Vuçiq shprehën qëndrime të kundërta lidhur me dialogun mes dy vendeve.

E me tu kthyer në Kosovë, kryeministrit Kurti i ka ardhur në mesazh i qartë nga ambasadori i shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.

“Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua Qeveria e Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin t’i respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më parë… Unë e di që disa njerëz kanë thënë që ne kemi bërë mjaft kompromise, i takon dikujt tjetër të bëjë kompromis. Nuk është një mënyrë shumë produktive për të ecur përpara”, ka deklaruar ambasadori i SHBA-së, Philip Kosnett.

Lidhur me takimin e Brukselit dhe mesazhin e Kosnett, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Prej tri ditësh në Kosovë e përtej saj po diskutohet për takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ishte takimi i parë ky dhe si i tillë do të sillte furtunë diskutimesh. Por nuk pritej që disa përfaqësues të opozitës të kishte reagime të tilla. Fatkeqësisht në PDK dhe nga disa eksponentë konservatorë dhe klanorë të Lidhjes Demokratike u bënë deklarata në përkrahje të qëndrimeve të Aleksandër Vuçiq dhe kundër qëndrimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Skënder Hyseni, Isa Mustafa, Lutfi Haziri e ndonjë tjetër ishin të kësaj linje. Po ashtu të gjithë ata që reaguan nga Partia Demokratike”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, Albin Kurti në Bruksel tentoi që t’i tejkaloi lëshimet që janë bërë nga qeveritë e kaluara, me theks të veqantë Asociacionin e Komunave serbe.

“Këtyre në fakt u erdhi në ndihmë edhe ambasadori amerikan, Kosnett, kur kërkoi që të miratohet Asociacioni si pjesë e trashëgimisë së bisedimeve të kaluara mbi 10 vjeçare me Serbinë. Ndërkohë Albin Kurti u përpoq me kërkesat dhe qëndrimet e veta në Bruksel, të martën e kaluar të tejkalojë këtë lloj trashëgimie. Nuk flas për ambasadorin Kossnet, se vëllai i madh ka të drejtë të japë këshilla. Ashtu si vëllai i vogël (Kosova) ka të drejtë t’ia kundërshtojë ndonjëherë fjalën. Por flas për deklarimet kritike e madje të ashpra të opozitarëve thacistë të Albin Kurtit. Këta, përfshirë dhe dy ose tre eksponentë të LDK-së, nëse nuk kanë ndonjë lidhje me presidentin e Serbisë dhe Beogradin, duan që të justifikojnë lëshimet e veta ndaj Serbisë në bisedimet e shkuara. A duhen justifikuar ato lëshime?!”, shton Bytyçi për “Bota sot”.

Ai thotë se qeveria e Albin Kurtit ka ardhur në pushtet për ta çmontuar politikën e pazareve politike kundër Kosovës në shërbim të pushtetit.

“Të gjithë e dinë se qëndrimet e Thaçit, Mustafës, Hysenit etj kanë qenë qëndrime që i kanë shërbyer pushtetit të tyre dhe jo Kosovës. Nuk ka mundësi që politikanët t’i shërbejnë edhe pushtetit, edhe interesit të vendit! Është e pamundur kjo”, shprehet Bytyçi.

Sipas tij, edhe ambasadori amerikan Kosnett e di që Albin Kurti dallon nga paraardhësit e tij.

“Unë mendoj se edhe ambasadori amerikan Kosnett e di faktin se Albin Kurti është ndryshe nga ish-udhëheqësit e mëparshëm plaçkitës dhe autoritarë. Edhe Kurti mund të bëhet i tillë, Nuk e përjashtoj këtë. Por unë do ta vlerësoj zotin Kurti nga raporti që ai do të ketë me karrigen e tij si kryeministër dhe me interesin e Kosovës. Ai e di se kundërshtia ndaj Asociacionit, veçmas kur në favor të tij është shprehur Palmer e tani Kosnett, i kushton karrigen. Por mban anën e Kosovës. Është e drejta e tij ta bëjë këtë. Është e drejta e tij t’i thotë ndonjëherë JO edhe vëllait të madh. Ndryshe nuk i bëhet mirë Kosovës”, thekson Bytyçi.

Profesor Bytyçi thotë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte ai që e bindi Thaçin që të bashkëpunonte me Vuçiqin për destabilizimin e rajonit, ndaj dhe përfundoi në Hagë.

“Opozitarët, ndër ta edhe ndonjë profesor, fascinohet kur Kurti kundërshton këshillën e Kosnett. Në fakt këta kritikë të Kurtit, kur u janë cenuar interesat personale nuk kanë pyetur ndonjë herë këshillat e amerikanëve. Por e përdorin qëndrimin amerikan për opozitarizëm. Të kujtojmë kur Thaçi thoshte se “Unë luaj l..es me amerikanët“! Por nuk e pësoi për këtë. E pësoi se deshi ta destabilizojë rajonin e Ballkanit dhe Evropën me idetë e tij të çmendura për ndryshimin e kufijve. Në fakt Kosova dhe shqiptarët duhet të dinë se ai është viktimë e Edi Ramës dhe jo e Aleksandër Vuçiq në aventurën e tij të ndryshimit të kufijve. Sepse ishte Rama që e futi në vallen e tillë. Rama e bindi që të bashkëpunonte me Vuçiqin për destabilizimin e rajonit, ndaj dhe përfundoi në Hagë”, deklaron Bytyçi.

Ai shton se qëndrimi i kryeministrit Kurti është në pajtim me interesat e Kosovës, dhe jo me interesat e karriges së tij.

“Këta opozitarët, kritikë të Albin Kurtit, po harrojnë shpejt. Por nuk harrojmë ne të tjerët. Me dakordësinë e Thaçit me Serbinë ai mendoi se “do të marrë çmimin Nobel” e do të bëhej i përjetshëm në pushtet. Madje do bëhej president i Shqipërisë së Bashkuar, pa veriun e Kosovës! Etja për pushtet ia “hëngri kokën”! Tahmaja e madhe të le pa gjë, thuhet në popull. Kurti ende nuk duket se ka tamahe për pushtetin e tij. Ai thjesht po zbaton programin e prezantuar gjatë fushatës elektorale. Qëndrimi i tij është në pajtim me interesat e Kosovës dhe jo me interesat e karriges së tij. Prandaj ai duhet mbështetur. Nuk është se Vuçiq do t’i pranojë kushtet dhe kërkesat e Albin Kurtit. Por është detyrim i Albinit të mbrojë Kosovën nga një “Serbi e vogël në Kosovë“! Ndërsa këta opozitarët pro- Vuçiq në Kosovë i kundërvihen këtij qëndrimi të kryeministrit në vend që ta mbështesin atë”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat