Flet ish-diplomati britanik: SHBA nuk është e interesuar për Asociacionin, por ky është qëllimi i saj

Politika

Flet ish-diplomati britanik: SHBA nuk është e interesuar për Asociacionin, por ky është qëllimi i saj

Nga: A.Zhushi Më: 17 qershor 2021 Në ora: 22:01
Ish-diplomati britanik në Bosnje e Hercegovinë Timothy Less

Ish-diplomati britanik në Bosnje e Hercegovinë Timothy Less, nuk beson që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të jetë kusht për arritjen e një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë.

Duke komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë Philip Kosnett, se Kosova e ka detyrim të formojë Asociacionin, Less ka thënë se nuk do të ketë ndonjë marrëveshje mes të dyja vendeve.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se qëllimi i Serbisë është shkëmbimi i territorit të veriut të Kosovës, për Republikën Srpska.

“Kam mendime të ndryshme për këtë. Përgjigja e shkurtër është jo, por kjo është, sepse nuk mendoj se do të ketë ndonjë marrëveshje. Qëllimi i Serbisë është të shkëmbejë territorin me Kosovën (minus veriun) për Republika Srpska, e cila nuk është e mundur për momentin për shkak të kundërshtimit ndërkombëtar ndaj ndarjes së Bosnjës”, ka thënë Less.

Udhëheqësi i projektit “Studimet e Shpërbërjes” të Qendrës për Gjeopolitikë dhe Strategji në Universitetin e Cambridge, ka treguar dy qëllimet e Serbisë.

“Beogradi po e përdor dialogun me Prishtinën për të fituar koncesione, kryesisht autonome për serbët, dhe për tu dukur si një partner konstruktiv. Sidoqoftë, autonomia për serbët është një qëllim dytësor, i rëndësishëm vetëm për sa kohë që Serbia nuk mund të arrijë qëllimin e saj kryesor, që është integrimi i serbëve të veriut në vetë Serbinë”, është shprehur më tej ish-diplomati.

Sipas tij, Amerika nuk është e interesuar në vetvete për Asociacionin, mirëpo nëse Kosova pranon themelimin e tij, Serbia nuk do të ketë më justifikime për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës.

“SHBA nuk është e interesuar për Asociacionin e Komunave Serbe në vetvete. Ajo për të cilën kujdeset është vendosja e pavarësisë së plotë të Kosovës dhe e sheh themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe si mjetin për ta arritur këtë. Nëse Kosova e bën këtë koncesion, beson Uashingtoni, Serbia atëherë nuk do të ketë asnjë justifikim për të mos njohur Kosovën dhe SHBA dhe BE do të bënin presion ndaj Serbisë për ta bërë këtë”, ka deklaruar Timothy Less.

Ai ka shtuar se Prishtina e ka për detyrim themelimin e Asociacionit, për shkak të marrëveshjes në Bruksel.

“Kosova është e prekshme sepse nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit, e cila mandaton krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Për sa kohë që Prishtina i reziston kësaj, ajo duket si partneri jokonstruktiv dhe SHBA dhe BE duhet të pranojnë argumentin e Serbisë se nuk mund ta njohë ende Kosovën. Është një përgjigje e komplikuar për një pyetje të thjeshtë, por nuk ka asgjë të thjeshtë në lidhje me këtë problem”, ka përfunduar ish-diplomati britanik në Bosnje e Hercegovinë Timothy Less.

Ambasadori Kosnett dje ka deklaruar se Kosova dhe Serbia e kanë për detyrë të respektojnë marrëveshjet e nënshkruara më herët.

“Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua Qeveria e Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin t’i respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më parë… Unë e di që disa njerëz kanë thënë që ne kemi bërë mjaft kompromise, i takon dikujt tjetër të bëjë kompromis. Nuk është një mënyrë shumë produktive për të ecur përpara”, ka deklaruar Kosnett./Botasot

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat