E acaroi Vuçiqin në Bruksel por kritikohet, kjo është arsyeja pse Haradinaj nuk mund ta kritikojë Kurtin

Politika

E acaroi Vuçiqin në Bruksel por kritikohet, kjo është arsyeja pse Haradinaj nuk mund ta kritikojë Kurtin

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 18 qershor 2021 Në ora: 18:58
Foto nga takimi në Bruksel

Të martën në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi, me përfaqësuesin Miroslav Lajçak dhe shefi i diplomacisë së BE, Josep Borrell, që ishin në rolin e ndërmjetësuesve në këtë takim.

U raportua dhe për takim me mjaft tensione, ku ishte Kurti ai që e pyeti Vuçiqin se kur do ta njohë Kosovën, i përmendi padinë për gjenocid dhe të pagjeturit, ndërsa që nuk deshi të fliste për Asociacionin.

Kryeministri Albin Kurti në tavolinën e bisedimeve prezantoi katër propozime, nga të cilët tri u refuzuan.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq pas takimit u shpreh se nuk ka pasur ndonjëherë takim më të vështirë.

Mirëpo, pavarësisht se Kurti u përkrah për paraqitjen në Bruksel dhe u lavdërua për atë, pati dhe mjaft kritika në drejtim të tij.

Ish kryeministri dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj që e kritikoi Kurtin.

Haradinaj e konsideron të rrezikshme e te gabuar qasjen e kreut të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në procesin e dialogut me Serbinë.

Ai ka thënë se në takimin përballë palës serbe në Bruksel, Kurti është dashur të shkojë me vetëm një pikë, njohjen reciproke.

Sipas Haradinajt, Kurti po e rikthen dialogun në fillim dhe po kërkon të krijojë marrëdhënie të re ekonomike me Serbinë, më të avancuar se nisma e njohur si Minishengen.

Kujtojmë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë për herë të parë në takim përballë presidentit serb, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Mehazi: Kurti me anë të katër pikave heshti Vuçiqin në tryezën e bisedimeve

Image
Profesori dhe analisti politik, Sulejman Mehazi

Profesori dhe analisti politik, Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, i sheh të paarsyeshme akuzat e Haradinajt kundrejt Kurtit.

Sipas tij, Kurti I kërkoi njohjen Serbisë por e njëjta e refuzoi por që katër pikat që kryeministri i vendosi la pafjalë edhe ndërmjetësuesit ndërkombëtar.

“Albin Kurti në Bruksel jo një herë, po dhjetë herë ia ka cekur Vuçiqit njohjen e Kosovës nga Serbia, këtë e deklaroi edhe Vuçiqi: "se Kurti radhazi më kërkoi që ta njohim Kosovën, e ne sa herë i thoshim "kurrë", përgjigja "kurrë" e Vuçiqit para BE-së tregoi se cila palë është për dialog e cila palë jo. Deklarata e Ramush Haradinajt nuk zë vend, vetëm për të folur diçka e hiç më shumë. Katër pikat e Albin Kurtit e detyruan Vuçiqin që vetvetiu të ulet në bankën e të akuzuarve për krimet e bëra serbe në Kosovë, katër pikat e Albin Kurtit, Vuçiqin e lanë të nemitur e pa fjalë. Katër pikat e kryeministrit të Kosovës i lanë të habitur edhe përfaqësuesit evropianë Borrell e Lajçak sa që dhe ata s'dinin se si të veprojnë. Katër pikat e Albin Kurtit, i nderuar Ramush, ishin sa diplomatike, aq dhe politike e akuzuese jo vetëm ndaj Serbisë, por edhe ndaj BE-së e cila pranon kriminelët e Serbisë Vuçiq e Velko Odalloviq të marrin pjesë në dialog”, ka potencuar profesori.

Mehazi tutje thotë se me anë të katër pikave, Kurti i dëshmoi Serbisë se nuk do të bisedohet pa u mësuar ata që bënë gjenocid në vendin tonë.

“Albin Kurti me anë të katër pikave ua bëri me dije evropianëve se të kota janë përpjekjet e dialogut me kriminelë fashistë e gjenocidiale. Albin Kurti, i nderuar Ramush Haradinaj, paralajmëroi BE-në se lufta në mes Kosovës e Serbisë nuk ka mbaruar, se "kurrë" kriminelët nuk duan dialog, se nuk bisedohet me ata që janë mësuar të vrasin, dhunojnë, dëbojnë e përdhunojnë dhe se këta kurrë nuk janë paqësorë, po agresorë”, është shprehur ai.

Nga ana tjetër, profesori thotë se fuqia fizike nuk i mjafton Haradinajt, pasi që Kurti ka fuqi në mendjen e tij e një mendje e tillë i duhet një kryeministri të vendit tonë që të na përfaqësojë.

“Haradinaj duhet ta ketë të qartë e ta pranojë se mendja e Albin Kurtit është më e fuqishme sesa e tij, sikurse Haradinaj qe e ka trupin fizik të fuqishëm, për diplomaci e politik Kosovës i duhet mendja e Albin Kurtit e jo fuqia fizike e Haradinajt! I nderuar Ramush Haradinaj a më lehtë është t'u përgjigjesh katër pikave apo njërës si thoni ju?”, ka deklaruar Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Krasniqi: Haradinaj me kritika të pabazuara

Image
Njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi

Njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se kritikat që Haradinaj i ka bërë Kurtit është e paarsyeshme, pasi që Serbia për ta njohur Kosovën kërkon akoma dëmshpërblim nga ndërkombëtarët.

Ai thekson se e gjithë opozita ka qenë në tavolinën e bisedimeve, kështu që kanë pasur mundësi të jenë dobiprurës për vendin dhe tani nuk iu takon të kritikojnë.

“Po këtë kërkesë për të cilën citon z.Haradinaj të gjithë e thonë por është e parealizuar sepse Serbia akoma kërkon dëmshpërblim nga bashkësia ndërkombëtare lidhur më dialogun në Bruksel, sepse ajo me dinakërinë e saj arriti t’i hap dyert e saj duke e afruar Serbinë afër BE-së dhe duke e shfrytëzuar paaftësinë e politikës tonë. Të gjithë e kanë pasur rastin që të jenë pjesë e tryezave të tyre ku për kryeneqësinë e tyre pasojat i kanë bartur qytetarët tanë”, u shpreh analisti.

Më tej, ai thotë që Kurti është një lider që sheh më larg se të gjithë politikanët e tjerë dhe se kritika e Haradinajt është e paarsyeshme, pasi që ai dhe të tjerët dështuan gjatë kohës kur ishin në pushtet.

“Liderët tanë kalojnë kufijtë e Evropës të gjithë sepse e kanë pajisur veten me pasaporta shqiptare, gjersa qytetarët tanë nuk e gëzojnë këtë të drejtë fatkeqësisht kanë mbetur të izoluar. Z.Kurti është njeri vizionar i cili sheh më larg se z.Haradinaj apo liderët tjerët por një fjalë e urtë thotë së vlerësimin e një individi mund të bëjë vetëm ai që ka kualifikime të njëjta më të. Liderët opozitarë po mundohen të jenë aktiv duke mos thënë asgjë, ata që dështuan në politikë mundohen t'i fajësojnë të tjerët duke kritikuar pa thënë asgjë”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat