Skandalet e pro-serbit Miroslav Lajçak, kërkohet përfundimisht largimi i tij – ja si të veprojnë Kurti dhe Osmani

Politika

Skandalet e pro-serbit Miroslav Lajçak, kërkohet përfundimisht largimi i tij – ja si të veprojnë Kurti dhe Osmani

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 qershor 2021 Në ora: 20:57
Kryeministri Albin Kurti dhe Miroslav Lajçak

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, njihet për deklaratat dhe veprimet e tij shumë kontradiktore karshi Kosovës.

Pas hartës në të cilën Kosova paraqitej si pjesë e Serbisë, tani Miroslav Lajçak i cili vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën dhe që përkrah Serbinë, ka befasuar me përgjigjen e tij ndaj një pyetje lidhur me besimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, për premtimet e BE-së.

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak në përgjigjen e tij thotë se nëse por udhëheqësit e Kosovës nuk i besojnë BE-së, atëherë le të shkojnë diku tjetër.

”Është e modës të kritikosh BE në lidhje me liberalizmin e vizave, por udhëheqësit e Kosovës duhet të shkojnë në ato vende që po bllokojnë lirinë e udhëtimit dhe të pyesin se si të veprojnë”- tha Lajçak.

Ndërkohë, kjo deklaratë nxiti reagime të mëdha, duke e cilësuar edhe si arrogancë nga Miroslav Lajçak.

Ish ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku dhe shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari Lila e kanë quajtur arrogant Lajçakun.

Shkaku i këtij deklarimi, analistët gjatë prononcimeve për gazetën “Bota sot” kërkuan urgjentisht nga Bashkimi Evropian që ta largojnë Miroslav Lajçak nga pozita e ndërmjetësuesit në dialogun Kosovë-Serbi.

Ata adresuan edhe disa kërkesa në drejtim të Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës, lidhur me paraqitjen e diplomatit sllovak.

Mehazi paralajmëron Lajçakun, ka një mesazh për të

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka kritikuar ashpër diplomatin sllovak Miroslav Lakçak, lidhur me deklaratën se: "nëse qytetarët e Kosovës nuk i besojnë BE-së, le të shkojnë diku tjetër”.

Sipas tij, Lajçak nuk ka qenë i besueshëm që nga moment i zgjedhjes nga Bashkimi Evropian, pasi ai vjen nga një shtet si Sllovakia, e që nuk e njeh Kosovën.

Image
Sulejman Mehazi

“Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që nga fillimi i zgjedhjes nga BE-ja nuk ka qenë i besueshëm për Kosovën, pasi është nga Sllovakia që se njeh Republikën e Kosovës, ja më në fund u zbulua e i doli djalli i brendshëm e i fshehur në shesh me anë të zvarritjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës i cili deklaroi: "se nëse kosovarët nuk i besojnë BE-së, le të shkojnë diku tjetër”, është shprehur profesori.

Mehazi ia bëri me dije Lajçakut se shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër të Evropës dhe se ata kanë jetuar para se të formohet BE. Madje, ai paralajmëroi se shqiptarët nuk do shkojnë askund, por do të lidhen me SHBA-në për t'u bërë Federatë e SHBA-ve në Ballkan.

“Ia bëjmë me dije zotëri Lajçakut të Sllovakisë se Kosova dhe shqiptarët janë më të vjetrit e Evropës, se në këto troje kanë jetuar den baba, para se të formohet BE-ja që mendon ai. Duhet ta dijë Lajçaku i Sllovakisë se nëse BE-ja sillet keq me Kosovën, shqiptarët nuk do shkojnë diku tjetër, do rrinë këtu, po do lidhen me SHBA-në për t'u bërë Federatë e SHBA-së në Ballkan”, ka theksuar ai.

Në vazhdim, profesori i dërgoi mesazh Lajçakut se Kosova nuk ka nevojë për ju dhe BE-në, pasi dihet se shumë shtete të fuqishme brenda Evropës: Anglia, Zvicra, Norvegjia etj. nuk janë anëtare të BE-së, por jetojnë shumë më mirë.

“Duhet ta dijë Lajçaku se nëse Kosova "shkon diku tjetër", atëherë dhe ai si përfaqësues i BE-së duhet të largohet nga Kosova e le të shkojë diku tjetër me Serbinë e Sllovakinë e tij. Nuk kemi nevojë për ju dhe BE-në tuaj. Duhet ta dijë Lajçaku i Sllovakisë se shtetet më të fuqishme brenda Evropës: Anglia, Zvicra, Norvegjia etj. nuk janë anëtarë të BE-së, por jetojnë shumë më mirë se shtetet e BE-së”, ka nënvizuar Mehazi.

Në fund, ai tha se nëse Bashkimi Evropian vazhdon të bëjë kaq shumë padrejtësi edhe mund të shkatërrohet tërësisht. Kurse, kryeministrit Kurti i tha se në mesin e pikave të propozuara në Bruksel është dashur që ta shtojë edhe një, ku Borrell e Lajçak të shkarkohen e të zëvendësohen me përfaqësues të tjerë

“Lajçaku duhet ta di se nëse BE-ja sillet me kaq padrejtësi së shpejti do shkatërrohet e nuk do ekzistojë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përveç katër pikave në Bruksel është dashur të shtonte edhe një, të pestën, që përfaqësuesit e BE-së për dialogun me Serbinë, Borrell e Lajçak të shkarkohen e të zëvendësohen me përfaqësues special të shteteve evropiane që e kanë njohur Republikën e Kosovës”, ka përfunduar Sulejman Mehazi.

Kelmendi: Lajçak është pro serb!

Njëjtë mendon edhe profesori Muhamet Kelmendi, i cili e cilësoi Lajçakun si një diplomat pro serb.

Ai gjatë prononcimit për gazetën “Bota sot” e përmendi faktin se Lajçak vjen nga Sllovakia dhe si i tillë e kundërshton pavarësinë e Kosovës.

Image
Muhamet Kelmendi

“Lajçak është një personalitet që vjen nga Sllovakia dhe si i tillë ky shtet nuk e ka njohur Kosovën, ku edhe vetë Lajçak është kundër pavarësisë së Kosovës. Natyrisht se kjo del shumë e pritur në raport me afërsinë dhe përkatësinë nacionale që ka Lajçak me shtetin serb”, ka deklaruar ai.

Sipas Kelmendit, shkaku i anshmërisë, duhet kërkuar me ngulm largimi i Lajçakut nga pozita e ndërmjetësuesit në mes Kosovës dhe Serbisë.

Madje, sipas tij deklarata "nëse kosovarët nuk i besojnë BE-së, le të shkojnë diku tjetër”, i kalon të gjitha kompetencat që ia ka dhënë Bashkimi Evropian.

“Natyrisht se duhet kërkuar me këmbëngulje largimi e tij nga ndërmjetësimi në mes Kosovës e shtetit serb, shkaku animi i tij ndaj Serbisë. Deklarata e Lajçakut e thënë në forumin ndërkombëtar i kalon tërë kompetencat që i ka nga UE”, ka theksuar ai.

Tutje, profesori u shpreh se BE nuk e ka caktuar Lajçakun që të deklarojë se ku duhet të jetë Kosova, pasi shqiptarët ishin në Evropë, kur paraardhësit e ‘Lajçakëve’ sllav ishin përtej Karpateve.

“UE nuk e ka caktuar atë që të deklaron se ku do për të shkuar Kosova dhe shqiptarët, kjo edhe për faktin se shqiptarët nuk vendosin me frymën e Lajçakut. Shqiptarët dhe Kosova ishin në Evropë kur paraardhësit e Lajçakut dhe të ‘Lajçakëve’ të tjerë sllavë ishin përtej Karpateve. E nëse dikush dëshiron të shkojë diku, i takon Lajçakut të shkon andej nga kanë ardhur të parët”, ka nënvizuar Kelmendi.

Profesori bëri edhe një thirrje publike për kryeministrin Kurti dhe Presidenten Osmani, që të kërkojnë largimin Lajçakut nga pozita e emisarit për dialogun Kosovë-Serbi.

“Qeveria e Kosovës dhe Presidentja kërkohet që për këtë dhe mbi bazën e një deklarate të tillë t’i drejtohen Këshillit të Evropës, Berlinit, Vjenës, Parisit etj., për ta larguar Lajçkun nga detyra e tillë. E nëse nuk e largojnë duhet të tregohet vendi i ynë i vendosur dhe kudo të kërkojnë rrugëdalje dhe të paraqiten vendime në interes të Republikës dhe të kombit”, ka potencuar ai.

Krejt në fund, Kelmendi bëri apel që Lajçak të injorohet tërësisht nga institucionet e Kosovës, ku madje edhe të refuzohen takimet me këtë diplomat. Pasi, askush nuk ka drejtë ta ofendojë Kosovën dhe kombin tonë.

“Lajçak nuk duhet fare të dëgjohet, ai kërkohet të injorohet nga Republika e Kosovës. Madje as takime mos të mbahen me këtë njeri, kuptohet kur ka mundësi, përveç atyre obligative. Kosova është në të drejtën e vetë dhe askush nuk ka të drejtë të ofendon kombin dhe Republikën tonë, as Lajçak”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat