Kur do të arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë? ‘Zbulohet’ qëllimi kryesor i SHBA-ve me Kosovën

Politika

Kur do të arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë? ‘Zbulohet’ qëllimi kryesor i SHBA-ve me Kosovën

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 19 qershor 2021 Në ora: 08:22
Takimi në Bruksel

Pas takimit të fundit në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ka shpresë që marrëveshje midis dy shteteve mund të arrihet brenda disa muajve. Parashikime të tilla ka pasur në vazhdimësi.

Së fundi është eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, i cili ka parashikuar se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet brenda disa muajve.

“Është për t’u lavdëruar që ndodhi [takimi], por nuk është mirë që ata duhet të flasin për njëri-tjetrin në një kontekst negativ. Kjo nuk kontribuon rezultatit përfundimtar, për çfarë do të duhej ata të ndryshojnë”, ka deklaruar eksperti Serwer.

“Dialogu vazhdoi dhe ky ishte një takim brenda këtij procesi. Albin Kurti nuk ishte i përfshirë më parë në procesin me të cilin po përpiqet të njihet dhe të përcaktojë se si idetë e tij përshtaten në kontekst. Për presidentin Vuçiq, kjo është një histori e gjatë. E konsideron jetike për përparimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian – një rrugë që është shumë e ngadaltë”, u shpreh Serwer.

Për dallim nga eksperti Serwer çfarë parashikojnë analistët. Njohësit e çështjeve politike janë të mendimit se SHBA-ja nuk do bëjë presion për një marrëveshje këtë vit, mirëpo sipas tyre, do t’i japë kohë Kosovës të paktën që të ndryshojë imazhin e saj nga një shtet i dështuar në një shtet në zhvillim.

Kuçi: Marrëveshja sa ma shpejt që bëhet, është më mirë për Kosovën

Politologu, Gurakuç Kuçi, fillimisht ka folur për letrën e presidentit Biden drejtuar presidentit Vuçiq, ku kërkohet decidivisht njohja e Kosovës.

Image
Gurakuç Kuçi

Kuçi për gazetën “Bota sot”, ka shpjeguar se kërkesa sikurse kjo e Biden nënkupton që po kërkohet të zbatohet brenda mandatit të Presidentit.

“Në letrën e dërguar nga Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, drejt Aleksandër Vuçiqit për ditën kombëtare të Serbisë, aty i kërkonte decidivisht njohjen e Kosovës. Zakonisht kërkesa të tilla nga superfuqi të mëdha si SHBA-ja kur bëhen nënkupton që po kërkohet të zbatohet brenda mandatit të Presidentit i cili e ka dërguar letrën. Mirëpo, një superfuqi nuk është që i merr gjërat të realizohen me gjithë shpejtësinë, sepse ka komoditetin e një superfuqie dhe aftësinë e planifikimit dhe realizimit afatgjatë”, tha politologu Kuçi, për “Bota sot”.

Ndërsa, shprehet se duke e parë interesimin e SHBA-ve për Ballkanin edhe në punët e brendshme, Kuçi ka dyshime që shteti më i fuqishëm i botës insiston për një marrëveshje brenda këtyre muajve.

“Duke pasur parasysh që SHBA-ja interesat e veta në Ballkanin Perëndimor nuk po i shtrinë më vetëm në politikën e jashtme, por edhe në punët e brendshme, duke kërkuar luftimin e korrupsionit dhe zhvillim ekonomik, atëherë dyshoj që SHBA-ja insiston për një marrëveshje brenda këtij viti. Këta të fundit e dinë që një shtet i fortë nga brenda, është më i fortë edhe në tavolinën e bisedimeve dhe i jep edhe autoritet SHBA-së që ta mbrojë Kosovën në arenën ndërkombëtare me terma modern, ndërsa një shtetet të dështuar nuk do rrezikonte as SHBA-ja njollosjen e autoritetit të saj”, është shprehur ai.

Politologu Kuçi krejt në fund ka thënë se nuk pret që të ketë marrëveshje finale gjatë vitit 2021, mirëpo pritjet e tij janë që kjo të ndodhë brenda mandatit të parë të presidentit të SHBA-ve.

“Duke pasur parasysh këto fakte, SHBA-ja nuk do bëjë presion për një marrëveshje këtë vit por do i japë kohë Kosovës të paktën që të ndryshoj imazhin e saj nga një shtet i dështuar në një shtet në zhvillim. Andaj, nuk besoj që do ketë marrëveshje finale këtë vit por pres që brenda mandatit të parë të Presidentit Biden. Kjo lidhet më faktin edhe të ndryshimeve tjera gjeopolitike që rrjedhin nga skadimi i marrëveshjeve 100 vjeçare të pas-Luftës së Parë Botërore dhe frymës së re të përplasjeve që mundëm të i kuptojmë edhe më qartë nga Samiti i NATO-së, G7 dhe takimeve tjera në kontinent. Sidoqoftë, marrëveshja sa ma shpejt që bëhet është më mirë për Kosovën, pa e përjashtuar atë që ka thënë z. Serwer”, ka thënë krejt në fund, politologu Gurakuç Kuçi.

Shahu: Lutem dhe shpresoj që të mos na braktisin amerikanët

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se pavarësisht gjithçkaje, lutet dhe shpreson që shqiptarët të mos braktisen nga amerikanët.

Image
Rexhep Shahu

Madje, Shahu, pas zhvillimeve të fundit, shprehet se diplomacia serbe është ne avantazh, mirëpo, mendon se për shkak të dashamirësisë amerikane, Kosova vazhdon të jetë pjesë e negociatave.

“Pavarësisht ekspertit amerikan dhe pavarësisht gjithçkaje që po ndodh aktualisht me bisedimet e rreth bisedimeve, lutem dhe shpresoj që të mos na braktisin amerikanët, por të vazhdojnë të na duan e mbështesin ne shqiptarëve në fatin tonë. Diplomacia serbe është ne avantazh dhe vetëm falë dashamirësisë amerikane në vazhdojmë të jemi në negociata”, ka thënë Shahu, për “Bota sot”.

 

Ai gjithashtu potencon se kryeministri aktual nuk ka pse marrë përsipër punët e KFOR-it, as të Amerikës, dhe as të atyre që e çliruan dhe e mbrojnë dhe ia garantojnë sigurinë.

 

“Kosova dhe Serbia nuk u krijuan sot, as problemi nuk u krijua sot se erdhi në krye Albin Kurti. Problemet janë tërheqë zvarrë. Albini nuk i udhëheq as i drejton bisedimet, ai vetëm të flasë me pak e të jetë i pranishëm për të mos i prishë punë Kosovës të cilën do zoti nuk e lenë vetëm amerikanët që e konsiderojnë Kosovën investim të tyre politik e ushtarak”, tha ai.

Analisti Shahu mes tjerash ka edhe një thirrje për kreun e Qeverisë së Kosovës, që të mos shkojë në bisedime që t’u flasë votuesve të VV-së nga atje.

Kurse, sa i përket marrëveshjes përfundimtare, Shahu nënvizon se nëse Kosova e ka përkrahjen e amerikanëve, vendi ynë bën dhe jeton edhe pa njohje prej Serbisë.

“Në Bruksel shkohet për të biseduar apo për të fituar. Kosova nuk mund të hyjë sërish në mitrën e luftës e të urrejtjes, nuk mund t’i përsërisë proceset që kanë ndodhë edhe nëse i pëlqejnë apo jo Kurtit e Vuçiqit. Vuçiqi nuk e fal as e njeh Kosovën sepse ai ka luftuar me armë në dorë për Kosovën për të mos e lëshuar. Dhe pyetja folklorike kur do ta njohësh e a do ta njohësh Kosovën është varg kënge. Nëse do të duan amerikanët të cilët po merren në tërësi aktualisht me faktorin shqiptar në rajon, do të arrihet marrëveshje. Nëse nuk duan amerikanët do të ketë zvarritje të gjate. Serbia nuk e sulmon dot Kosovën se e mbron KFOR-i, jo qeveria e Kosovës. Dhe Kosova bën jeton edhe pa njohje prej Serbisë sepse sikur po sillet bota rreth kësaj njohje. Bën Kosova edhe pa Serbinë, nëse ka përkrahje amerikane”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat