Kërkesa e Kosnett/ Serwer: Ja kush mund ta fus “fijen në gjilpër” për Asociacionin

Politika

Kërkesa e Kosnett/ Serwer: Ja kush mund ta fus “fijen në gjilpër” për Asociacionin

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 19 qershor 2021 Në ora: 20:43
Daniel Serwer

Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka thënë se Kosova ishte dakord me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

Por, ai ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk e di se si mund të bëhet kjo në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit, më 23 dhjetor 2015 kishte marrë vendim që Asociacioni të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, në mes të Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, Kushtetuesja kishte bërë të ditur se disa pjesë të marrëveshjes së fundit për krijimin e AKS, nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

E sipas Serwer, zgjidhjen për këtë çështje mund ta ketë Bashkimi Evropian.

“Kosova ishte dakord, por unë ende nuk po shoh se si mund të bëhet kjo në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ndoshta BE, non-paper-i i së cilës ka rrjedhur, mund ta fus këtë fije në gjilpër”, ka deklaruar profesori amerikan për “Bota sot”.

Ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett, ka thënë së fundmi se Kosova e ka detyrim ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ai ka theksuar se Kosova dhe Serbia e kanë për detyrë të respektojnë marrëveshjet e nënshkruara më parë.

“Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua Qeveria e Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin t’i respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më parë… Unë e di që disa njerëz kanë thënë që ne kemi bërë mjaft kompromise, i takon dikujt tjetër të bëjë kompromis. Nuk është një mënyrë shumë produktive për të ecur përpara”, ka deklaruar ambasadori Kosnett.

Por, themelimin e tij po e kundërshton kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Ai këmbëngul që nuk mund të ketë Asociacion një etnik në vend.

“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por, asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015”, ka thënë Kurti./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat