Osmani ia bëri të qartë Borrellit: Pse duhet kundërshtuar Asociacioni i pranuar nga Mustafa e Thaçi

Politika

Osmani ia bëri të qartë Borrellit: Pse duhet kundërshtuar Asociacioni i pranuar nga Mustafa e Thaçi

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 20 qershor 2021 Në ora: 18:54
Josep Borrell dhe Vjosa Osmani

Gjatë qëndrimit në Turqi, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Joseph Borell, me të cilin ka biseduar për dialogun me Serbinë.

Gjithashtu, Osmani ka folur për gatishmërinë e Kosovës për të marrë pjesë në dialogë.

“Lidershipi i ri i vendit ka prioritet reformat e nevojshme për ta çuar përpara procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ne kemi treguar gatishmëri të marrim pjesë në dialog, por në një proces të përgatitur mirë, i cili do të rezultojë me marrëveshje përfundimtare për njohjen e ndërsjellë dhe do ta respektojë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës”, ka thënë Osmani gjatë takimit.

Gjatë këtij takimi, Osmani i ka bërë të qartë se Kosova ka hyrë në dialog si palë e barabartë.

“Faza e re e dialogut, në të cilën po hyjmë duhet të udhëhiqet nga parimi i trajtimit të barabartë të palëve dhe të sigurojë se do t’i përfshijë çështjet të cilat janë në interes të qytetarëve tanë”, ka potencuar Osmani.

Sa i përket kësaj deklarate të Osmanit, analistët kanë pohuar se presidentja i ka bërë të qartë Borell-it se për çfarë arsye ka pranuar Kosova vazhdimin e dialogut. Gjithashtu, ata kanë theksuar se çështja e Asociacionit nuk mund të anashkalohet lehtë, por pala e Kosovës nuk duhet ta pranojë një gjë të tillë.

Hartica: Asociacioni në kundërshtim me Kushtetutën

Lidhur me këtë, analisti politik, Ali Hertica, në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se Osmani ia ka bërë të qartë Borell-it se Kosova ka hyrë në dialog si palë e barabartë.

Image
Ali Hertica

“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në samitin e Turqisë dhe me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Joseph Borell, ku i ka bërë të qartë se Kosova ka hyrë në dialog si palë e barabartë dhe se do t’i përshihen çështjet të cilat janë në interes të qytetarëve tanë”, ka thënë ai.

Më tepër, Hertica është shprehur se çështja e Asociacionit nuk është obligim ndërkombëtar dhe se kjo është çështje e rregullimit të brendshëm kushtetues.

“Politikanët dhe qytetarët duhet të dinë se marrëveshja për “Zajednicën” nuk është obligim ndërkombëtar, nuk ka garantues, sepse Serbia dhe Kosova nuk kanë njohur njëra- tjetrën dhe ligji ndërkombëtar nuk parasheh marrëveshje në mes të shteteve qe nuk janë anëtare të OKB-së, edhe për faktin qe BE nuk e njeh Kosovën si shtet. Zajednica pra është çështje e rregullimit të brendshëm kushtetues. Të gjithë ata që mendojnë ndryshe nuk kanë njohuri elementare se si funksionon bota. Serbia e ka ende Kosovën pjese të saj, në pjesën hyrëse të Kushtetutës. Ne në Kushtetutë nuk e kemi futur as vendimin e GJND-së... Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe që nga viti 2013 vazhdon të jetë temë debati në Kosovë, Serbi dhe në mesin e pranisë ndërkombëtare e ndërlidhet ngushtë me dialogun Kosovë-Serbi”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Hertica ka theksuar se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur pika në marrëveshjen e nënshkruar për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

“Kosova në vitin 2013 nënshkroi marrëveshjen e parimeve për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti që shumë pika të kësaj marrëveshje janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Që nga ajo kohë, asgjë nuk është bërë në këtë drejtim pos, kërkesës së vazhdueshme të Serbisë që Prishtina zyrtare ta themelojë Asociacionin dhe kundërshtimi i vazhdueshëm i Prishtinës zyrtare që nuk lejojnë Asociacion në vija etnike”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Më tej, ai ka theksuar se për këtë çështje kryeministri nuk duhet të pranojë që kjo të hedhet në diskutim.

“Çështja e Asociacionit nuk duhet trajtuar fare, mendoj se këtë çështje e ka adresuar Gjykata Kushtetuese, andaj i vendim i obligon të gjithë që ta respektojnë dhe kryeministri nuk duhet të pranojë që kjo të hedhet në diskutim, dhe shpresoj që ka guxim që të adresojë një çështje të tillë”, ka deklaruar Ali Hertica për “Bota sot”.

Bytyçi: Asociacioni, fundi i shtetësisë së Kosovës

Ndërkaq, opinionisti Adem Bytyçi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, është shprehur se përkundër që Osmani i ka bërë me dije Borell-it, çështja e asociacionit nuk mund të anashkalohet.

Image
Adem Bytyçi

“Çështja e asociacionit nuk është edhe aq lehtë për t'u anashkaluar edhe pse presidentja Osmani ia ka bërë me dije Borelit me plot të drejtë se nuk do të këtë Asociacion një etnik. Asociacionin e kanë pranuar Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, në negociatat e Bruksel me palën Serbe, pa llogaritur pasojat që mund t'i këtë për funksionimin e brendshëm kushtetues - juridike dhe politik të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Bytyçi ka theksuar se Osmani dhe Kurti janë në sinkron kundër Asociacionit, por çështje e rëndësishme është edhe qasja e BE-së ndaj këtij qëndrimi të udhëheqësve shtetëror të Kosovës.

“Ajo që tanimë dihet botërisht Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti, të dytë janë në sinkron kundër Asociacionit një etnik të komunave me shumicë serbe të pakicës serbe në Kosovë. Se sa do ta pranojë BE-ja një qëndrim të tillë të dy figurave më të larta shtetërore të Kosovës kundër Asociacioni, varet edhe çfarë qëndrimi do të marrin edhe SHBA-të, ndaj një çështje kaq të rëndësishme për Kosovën”, është shprehur ai.

Sipas Bytyçi, pala e Kosovës nuk duhet ta Asociacion, pasi do të ishte fundi i shtetësisë të Kosovës.

“Gabimin më të pafalshëm e ka bërë Qeveria Mustafa - Thaçi, që kanë pranuar për tu negociuar me palën serbe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të pakicës serbe në Kosovë, në Bruksel... Tani sido që të veprohet, pala kosovare absolutisht nuk duhet të pranojë Asociacion një etnik të komunave serbe në Kosovë, me kompetenca ekzekutive, ky mendoj unë do të ishte fundi i shtetësisë të Kosovës, për çka Serbia ka investuar shumë në diplomacinë Euro- Amerikane”, ka deklaruar ai.

Në fund, ai ka potencuar se pozita dhe opozita duhet ta kuptojnë se ndodhën para një dilemë të madhe.

“Politika aktuale Kosovare: pozitë - opozitë, krerët më të lartë shtetit të Kosovë, kur bëhet fjalë për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë të pakicës serbe me kompetenca eventualisht ekzekutive, duhet ta kuptojnë se ndodhën para një dilemë të madhe për ta pranua njërën nga dy opsionet, njëra nga të cilat mund të jetë fatale për shtetin e Kosovës, pra të pranojnë që Kosova të jetë shtet vërtetë sovranë, apo të jetë jo shtet i tillë, që nënkupton se pakica serbe do ta këtë në shtetin e saj në Kosovë”, ka përfunduar Adem Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat