Rreziku nga rikthimi i Serbisë në Kosovë, nga Amerika vjen alarmi për Asociacionin – ja si duhet të veprojë kryeministri Kurti

Politika

Rreziku nga rikthimi i Serbisë në Kosovë, nga Amerika vjen alarmi për Asociacionin – ja si duhet të veprojë kryeministri Kurti

Nga: A.Morina Më: 20 qershor 2021 Në ora: 22:15
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq - ilustrimi Bota sot

Që nga rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi, kryeministri i vendit, Albin Kurti po përballet me presione për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Reagimeve të shumta të diplomatëve ndërkombëtare, lidhur me asociacionin iu është bashkuar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett

Ambasadori Kosnet u shpreh se Kosova duhet të lëshojë pe në lidhje me formimin e këtij asociacioni.

“Ne besojmë se vendet e kanë detyrim t’i respektojnë marrëveshjet dhe obligimet e ndërmarra më parë”, ka thënë Kosnett.

Krahas, të gjitha këtyre presioneve kryeministri Kurti po vazhdon të qëndrojë i vendosur në qëndrimin e tij, se Kosova nuk mund të ketë Asociacion mbi baza etnike.

Kurse, profesori dhe analisti politik nga Amerika, Binak Maxharraj në një prononcim për gazetën “Bota sot” temën e formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe e sheh si një nyje që duhet zgjidhur.

Mirëpo, sipas tij është vështirë të zgjidhet ky ‘lëmsh’, pasi nuk i dihet fija e tij.

Image
Analisti politik nga Amerika, Binak Maxharraj

“Kohët e fundit e sidomos kur rinisi dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, ani pse ende nuk është shtruar mbi tavolinë të bisedimeve, çështja e Asociacionit është bërë temë dite, është bërë shprehimisht mollë sherri, apo edhe më ashpër është ‘Thembra e Akilit’ apo edhe më keq është bërë nyje e Gordit e cila duhet të zgjidhet.

Po si të zgjidhet kur kjo nyje është bërë lëmsh që si gjendet fija?!”, deklaroi ai.

Sipas Maxharrajt, fajtorë kryesor për çështjen e formimit të asociacionit janë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, të cilët në të kaluarën zhvilluan dialog me Serbinë, pa asnjë platformë dhe pa transparencë.

“Asociacioni i lidhur nyje është bërë si mollë sherri, apo edhe më ashpër si kopil që ia lanë Kosovës te dera Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, te cilët shkuan ne dialog me duar në xhepa pa kurrfarë platforme për dialogun, pa kurrfarë transparence me askënd nga institucionet, bile as me Parlamentin. Gjatë dialogut këta dy nuk i mbrojten interesat e shtetit, por dialoguan në dëm të shtetit dhe për interesa të tyre personale, duke shkel ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, me ç’rast edhe bënë krim ndaj shtetit për të cilin duhet të dënohen nga drejtësia”, theksoi ai.

Njohësi i çështjeve politike, Thaçin e Mustafën e cilësoi si “Don Kishot’, të cilët përmes lëshimeve të tyre gjatë negociatave, po e dërgojnë vendin në një konflikt të përhershëm.

“Është fjala për formimin e Asociacionit një etnik në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Këta dy kalorës të vetmuar, këta dy Don Kishot të mjeruar gjatë dialogut bënë lëshime ligjore krye në vete, kur Hashim Thaçi me 2013, si kryeministër i atëhershëm dhe i përsëritur nga kryeministri Isa Mustafa me 2015. Sipas nënshkrimit të këtij Asociacioni më kompetenca ekzekutive nga liderët e papërgjegjshëm Thaçi dhe Mustafa, na del se në Kosovë do te formohet nje “Republika Srpska” brenda Kosovës me një llojë autonomie edhe me kompetenca ekzekutive i cili dërgon në konflikte te përhershme”, u shpreh Maxharraj.

Në vazhdim, ai vlerësoi se formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe është një sulm mbi sovranitetin territorial dhe integritetin e Kosovës. Ai tha se në rast të rikthimit të Serbisë në Kosovës, fajtorë kryesor për këtë do të jenë Thaçi me Mustafën.

“Ky është një sulm i paprecedent në sovranitetin territorial dhe integritetin e Kosovës, sepse formimi i një asociacioni të këtill ia mundëson Serbisë te jetë e pranishme në Kosovë, që do të thotë se këta dy tradhëtarët e kombit Thaçi dhe Mustafa do të ishin përgjegjësit për kthimin e Serbisë në Kosovë. Zatën ky është edhe insistimi i Vuçiqit në këtë dialog, që në njëfarë dore të bëhet hisedar në Kosovë. E dihet, për ata që dëgjojn me veshë e shohin me sy, se për 10 vite të dialogut, Serbisë dhe Vuçiqit nuk i interesojnë serbët e veriut e as përmirësimi i pozitës së tyre, por ata i kanë si mjete manipulimi që Serbia të futet dhe të qëndroj shumë gjatë në Kosovë. Për këtë arsye edhe e kishte formuar te ashtuquajturën”Lista Srpska”, që për formimin e saj kishte ndikim dhe ndihmë te madhe edhe Hashim Thaçi”, nënvizoi analisti.

Maxharraj nga Amerika, reagoi edhe ndaj ambasadorit amerikan, Philip Kosnett, për deklaratën e tij lidhur me formimin e asocicionit.

Ai ia rikujtoi Kosnettit se Gjykata Kushtetuese gjeti defekte dhe mangësi në ligjshmërinë e këtij asociacioni një etnik.

“Lidhur me Asociacionin u deklarua edhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnetts i cili tha haptas se Asociacioni duhet të formohet, sepse është obligim ndërkombëtar që ëshe nënshkruar nga dy kryeministrat e Kosovës, kuptohet në krye në vete.

Ti e di fare mirë z.ambasador se Asociaciacioni duhet që të formohet sipas ligjeve te Kosovës dhe te mos jetë në kundërshtim me Kushtetutën. Për ligjshmërinë e këtij Asociacioni, Gjykata Kushtetuese gjeti defekte dhe mangësi duke konstatuar se ky Asociacion një etnik është në 23 nene kundër Kushtetutës se Kosovës”, e përmendi ai.

Tutje, analisti u shpreh se ambasadori Kosnett nuk duhet të kërkojë të merret një vendim në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, pasi ai vjën nga një vend mik me demokraci te lartë, ku ligjet dhe Kushtetuta zbatohen me përpikmëri.

“Prandej, z.ambasador Philip Kosnett ju nuk keni të drejtë të kërkoni të zbatohet diçka që është kundër Kushtetutës së Kosovës, ashtu siç e nxori Gjykata Kushtetuese e Kosovës me 23 nene antikushtetuese, sepse ju vini nga një vend mik me demokraci te lartë ku ligjet dhe Kushtetuta zbatohen me përpikmëri, sepse në formën e tillë është fortë i rrezikshëm për Kosovën. Pse, atëherë kërkoni që Kosova përkitazi me Asociacionin të vepron kundër ligjeve dhe Kushtetutes se vetë. Në vend qe ju të reagoni që ky Asociacion i nënshkruar nga Thaçi dhe Mustafa me 23 nene antikushtetuese, ju kërkoni zbatimin e tij. Kjo nuk ju shkon përshtati z.Ambasador, dhe me të drejtë shtrohet pyetja se a është ky qëndrim i Departmenit të SHBA që Kosova ta shkelë Kushtetutën e vet, për të ua bërë qejfin atyre që na vranë dhe bënë gjenocide shekullor mbi shqiptarët”, deklaroi Maxharraj.

Krejt në fund, ai tha se qeveria aktuale e cila ka marrë besimin e mbi 50 për qind të qytetarëve nuk duhet të marrë vendim në dëm të vendit.

Po ashtu, analisiti tha se tani ka ardhur koha që Serbia të të çlirohet nga Kosova, ti thuhet ik, se nuk ke se çfarë kërkon edhe më tej nga shqiptarët.

“Por gjithsesi, Qeveria e Kosovës e votuar me mbi 50% nga populli i Kosovës, nuk ka asnjë të drejtë që të vepron diçka në dëm të Kosovës, siç është Asociacioni me kompetenca ekzekutive. Daniel Server analist dhe funksionar i lartë ka te drejtë kur thotë se “Kosova ka të drejtën të kundërshton qoftë edhe Amerikën kur është ne pyetje dëmtimi i sovranitetit dhe integritetit të saj”, dhe ka të drejtë sepse SHBA-të nuk e ndihmuan çlirimin e Kosovës, për ta coptuar atë përsëri, për ta rikthyer Serbinë përsëri në Kosovë, por është koha që pasi që njëherë Kosova u çlirua nga Serbia, tani Serbia e ka radhën të çlirohet nga Kosova, ti thuhet ik, shko paqavër e vjetër vrastare se nuk ke se çfarë kërkon edhe më tej nga Kosova”, përmbylli Binak Maxharraj, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat