Akuzat ndaj Qeverisë, çfarë po synon opozita dhe kë po e kopjon

Politika

Akuzat ndaj Qeverisë, çfarë po synon opozita dhe kë po e kopjon

Arife Morina Nga Arife Morina Më 21 qershor 2021 Në ora: 08:03
Qeveria e Kosovës

Ç'kapja e shtetit është një nga sfidat më të mëdha të Qeverisë Kurti II, gjatë këtij mandat qeverisës.

Mirëpo, krahas punës dhe planeve për ç’kapje të shtetit, qeveria aktuale po akuzohet për kapje të shtetit, nga partitë opozitare.

Këto akuza për kapje të shtetit, janë rrjedhojë e vendimit të fundit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga posti i kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por edhe vendimet e tjera të Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e bordeve.

Këto veprime opozita në Kosovë po i cilëson si përpjekje për kontroll total të të gjitha institucioneve të pavarura.

Mirëpo, në Qeverinë e Kosovës thonë se institucionet e kapura janë trashëgimi e keqe e qeverive të kaluara dhe do t’i mbetet të kaluarës, “ndërsa ç'kapja dhe funksionalizimi i tyre është synim i qeverisë së sotme”.

Analistët politikë deklaratat e opozitës për kapje të shtetit, po i cilësojnë si propagandë kundër Qeverisë Kurti.

Madje, sipas tyre, partitë opozitare në vend se të fokusohen në bërjen e opozitës, ata po përdorin mjetet të ulëta politike, kundër qeverisë aktuale.

Ata në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot”, u shprehën optimist se Qeveria Kurti do ta bëjë ç’kapjen e shtetit, duke parë punën e saj deri më tani.

Bytyçi: Opozita me propaganda të ulëta, po sulmon pozitën

Image
Adem Bytyçi

Njohësi i çështjeve politike, Adem Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, foli për akuzat që po i bëhen Qeverisë Kurti II, në lidhje me kapjen e shtetit.

Ai beson se deri më tani, pozita ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të ç’kapur shtetin, të cilin e kishte kapur opozita për më shumë se 20 vite. Sipas tij, partitë opozitare ç'kapjen e shtetit po e cilësojnë si kapje, shkaku i të kaluarës së tyre politike.

“Në të vërtetë pozita po bënë përpjekje të mundimshme për ta ç'kapur shtetin, të cilin opozita e tanishme për më shumë se 20 vite e kishte kapur. Mirëpo ç’kapjen e shtetit të pozitës, opozita e quan kapje, duke menduar në eksperiencën e saj në të kaluarën kur vetë e kishte kapur shtetin jo e vetme, por në bashkëpunim me ca subjekte politike tjera të cilat sovrani në zgjedhjet e fundit të parakohshme i detyrojë të dalin në opozitë”, ka deklaruar Bytyçi.

Tutje, analisti përmendi edhe sfidat të cila e presin qeverinë aktuale, gjatë ç'kapjes së shtetit. Njëra nga to, është vendosja e personave të aftë dhe të besueshëm në pozitat udhëheqëse.

“Natyrisht se pozita pa i bërë ca reforma për t'i vendos njerëzit e aftë dhe kredibil në vendet me të rëndësishme udhëheqëse e ka të vështirë t'i përmbush premtimet të cilat ua ka dhënë qytetarëve para se të fillonte qeverisjen e vendit”, ka theksuar ai.

Në fund, Bytyçi deklaroi se përveç propagandës, opozitës nuk i ka mbetur asnjë ‘armë’ për ta sulmuar Qeverinë Kurti.

Madje sipas tij, këto janë mjete të ulëta për luftën për pushtet.

“Opozita e vetëdijshme se një kohë relativisht të gjatë do të qëndrojë në opozitë, duke mos pasur shanse as teorike që t'i kthehet përsëri pushtetit, nuk i ka mbet tjetër armë për t'iu kundërvënë pozitës përveç propagandës, duke u munduar me mjete perfide të luftës për pushtet për ta "komprometuar" pozitën”, e përmbylli Adem Bytyçi.

Krasniqi: Akuzat për kapje të shtetit, deklarata boshe të opozitës

Image
Islam Krasniqi

Lidhur me akuzat për kapje të shtetit, njëjtë mendon edhe analisti tjetër politik, Islam Krasniqi.

Ai gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” konsideroi se opozita nuk po di të bëjë opozitë në Kuvend dhe po merret me deklarata boshe me qëllim që gënjejë qytetarët e vendit.

“Opozita është shumë e dobët tani, e cila nuk po mundet apo edhe nuk po di të bëjë opozitë dhe merret me gjëra të kota duke menduar së të bërit opozitë është të gënjesh apo të kapesh te e pavërteta për ta mbushur qytetarin me deklarata boshe”, u shpreh Krasniqi.

Sipas tij, subjektet opozitare po mundohen që t’ia ‘kthejnë’ akuzat Lëvizjes Vetëvendosje për kapje të shtetit, ndonëse VV në të kaluarën kishte plotësisht të drejtë në akuzat e saj.

“Tani opozita po mundohet ta kopjojë LVV-në kur ishte opozitë, pasi që ajo i akuzonte për kapjen e shtetit, por edhe kishte shumë të drejtë dhe tani akoma qeveria pa i bërë 100 ditë, thonë se e kapi shtetin”, ka theksuar analisti.

Në fund, Krasniqi tha se të gjitha këto akuzat janë të pavërteta dhe nuk përkojnë me realitetin.

Ai ua rikujtoi edhe partive opozitare, se si ato sa ishin pjesë e qeverive të kaluara bënin punësime të familjarëve, pa asnjë kriter apo kualifikim adekuat.

“Këto deklarata janë farse dhe s’kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe nëse punësohen individë me kredibilitet ku respektohet parimi i meritokracisë nuk është kapje shtetit, siç bënin qeveritë e kaluara. Duke i punësuar familjarët pa ndonjë kriter, pa ndonjë kualifikim adekuat, të cilët pozitën zyrtare e shfrytëzonin vetëm për hobi duke menduar së ato pozita i kanë trashëguar dhe duke mos mbajtur asnjë pikë përgjegjësi morale apo ligjore”, përfundoi Islam Krasniqi, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat