Përmenden me emra, këta persona po kritikojnë Kurtin dhe do të bënin festë për Asociacionin

Politika

Përmenden me emra, këta persona po kritikojnë Kurtin dhe do të bënin festë për Asociacionin

Nga: A.Z Më: 21 qershor 2021 Në ora: 16:01
Albin Kurti

Lidhja Demokratike e Kosovës në prag të 100 ditëshit ka kritikuar Qeverinë Kurti për keqmenaxhim dhe mungesë të dijes në udhëheqje.

Në LDK thonë se këto tre muaj janë karakterizuar me mohimin e të gjitha premtimeve që janë dhënë gjatë fushatës dhe me skandale të njëpasnjëshme diplomatike.

Lidhur me këtë, profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se është e shpejtë për ta kuptuar se substancë veprimtarinë e një qeverie në 100 ditë.

Sipas Bytyçit, janë dy lloje të qëndrimeve, njëri konstruktiv dhe në anën tjetër një lloj nihilizmi opozitar, gjë që kjo është e shfaqur nga PDK dhe nga mediat që janë të kapura nga Rama dhe Thaçi, përndryshe janë media të shërbimeve të fshehta serbe.

“Qeveria e sotme e zotit Albin Kurti po i afrohet 100 ditëve të qeverisjes së saj, gati dyfishi i kohës së qeverisjes së qeverisë Kurti 1. Është shumë shpejt për ta kuptuar në substancë veprimtarinë e një qeverie në tre muaj ose 100 ditë. Por edhe kritikat e opozitës duhet të jenë të mirëpritura. Megjithatë unë shoh dy lloj qëndrimesh ndaj qeverisë së tanishme të Kosovës. Një qëndrim konstruktiv si në kritika dhe në qëndrimet politike nga njëra anë dhe një lloj nihilizmi të papranueshëm, nga ana tjetër. Qeveria Kurti është përballur më së shumti me nihilizmin opozitar. Ky lloj nihilizmi është shfaqur dukshëm nga politikanët e Partisë Demokratike të Kosovës si dhe mediat kosovare e të Shqipërisë, të cilat janë të tri kategorive: Kategoria e parë hyn te mediat e kapura dhe komanduara nga Edi Rama, sidomos mediat e Tiranës. Por edhe nga Hashim Thaçi dhe njerëzit e tij në Prishtinë. Kjo kategori e mediave ka qenë dhe është gjah i Beogradit, pra i shërbimeve të fshehta serbe. Për këtë Serbia shpenzon miliona me qëllim që të devijojnë vëmendjen e opinionit publik nga veprimtaria politike pro-Kosovës”, është shprehur ai.

Ndërsa si kategori të dytë, Bytyçi përmend mediat si opozitë e Kurtit, që gjatë fushatave e kanë mbështetur ndërsa tani po ndodh e kundërta, sepse sipas tij pronarët e tyre kanë pritur shumë me ardhjen e Kurtit, por që rezultoi ndryshe dhe se nga kjo shihet se Kurti nuk do të aplikojë politikat klanore të të mëparshmëve.

“Një kategori e dytë është media, e cila gjithnjë ka qenë opozitë e zotit Kurti, por që në fushatë e mbështeti atë dhe menjëherë pas fushatës filloi të sulmojë si top obuz kundër tij. Ndoshta pronarë të mediave të tilla kanë pritur shumë me ardhjen në pushtet të zotit Kurti. Kanë besuar se edhe ai do të veprojë si paraardhësit e tij, duke i shpërblyer mediet që kanë ndihmuar në fushatë. Por rezultoi ndryshe. Dhe ky është një lajm i mirë, sepse duket se qeveria Kurti nuk ka ndërmend të aplikojë politikat nepotike dhe klanore të ish-kryeministrave të mëparshëm. Lidhja Demokratike e Kosovës e ka kritikuar dhe në disa raste e ka sulmuar qeverinë e zotit Kurti. Kjo ka ndodhur në varësi të atyre që kanë folur për veprimet e mosveprimet e tij. Në këtë kuptim duhet thënë se në LDK lidershipi është konstruktivist, ndërsa ish-pushtetarët janë nihilistë dhe destruktivistë”, ka theksuar profesori.

Tutje, ai si dekonstrukitvistë i quan ish-bashkëpunëtorët e Beogradit, që dallohen me sulmet e ashpra ndaj qeverisë Kurti, madje Bytyçi përmend edhe emrat se cilët janë disa nga ta, pra janë, Mustafa, Hoti dhe disa këshilltarë të Mustafës, madje përmend edhe Baton Haxhiun.

Ai shton se këta e presin nënshkrimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë, gjë që për të cilën do të bënin edhe festë nëse do të ndodhte.

“Destruktivët e kritikojnë kryeministrin për atë që sipas tyre duhej të bënte, jo për atë që bën. Konstruktivistët analizojnë, kritikojnë, sugjerojnë dhe japin mendime e këshilla për atë që bën qeveria e ngjit me këtë dhe si duhet ta përmirësoj veprimin e saj. Ndërsa dekonstruktivistë e nihilistë të pandreqshëm janë ish-bashkëpunëtorët e Beogradit në dialogun me Serbinë. Këta dallohen për deklaratat dhe sulmet e ashpra kundër qeverisë dhe kryeministrit Kurti. Këta kanë emra. Janë Isa Mustafa, Avdullah Hoti (me raste), disa ish-bashkëpunëtorë dhe këshilltarë të Isa Mustafës. Por më të rreptët janë Enver Hoxhaj dhe disa ish-bashkëpunëtorë të ngushtë të Hashim Thaçit. Ndër ta vazhdon të shquhet Baton Haxhiu. Të gjithë këta i janë veshur zotit Kurti, sidomos për sa i takon dialogut dhe duket se mezi presin që ai të firmosë p.sh Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë. Duket se nëse ndodh kjo, kjo kategori kritikësh do të bënin festë më të madhe në Prishtinë, sesa këtë lloj feste do ta bënte Vuçiq në Beograd”, ka theksuar Bytyçi.

Më tej, ai ka potencuar se PDK e vetmja që shumica nga ta nuk e duan dështimin e qeverisë për ambiciet e tyre, sepse kritikat janë më konstruktive, si dhe Abdixhiku ka paralajmëruar vetëm atë se çka nuk duhet bërë, ndërsa LDK sipas Bytyçit, i ka ndjekur më së miri premtimet elektorale të VV-së, por edhe AAK i është përmbajtur kësaj vije në të shumtën e rasteve.

“Duket se kjo kategori e dëshiron me gjithë shpirt dështimin e qeverisë dhe të zotit Kurti, vetëm që atë ta shpallin “tradhtar”! Tradhtarët do të bërtasin në këtë rast “kapeni tradhtarin”! Në Lidhjen Demokratike shumica prej tyre besoj se nuk e duan dështimin e qeverisjes për të kënaqur ambiciet dhe egon e kryetarit apo të lidershipit. Kritikat e saj kanë qenë më konstruktive sesa të dy partive të tjera. Zoti Abdixhiku është treguar elokuent dhe thjesht ka paralajmëruar çfarë nuk duhet bërë. Por nuk ka bërë karshillëk, duke kërkuar medoemos dështimin e qeverisë. Është e vërtetë se LDK i ka ndjekur më mirë se partitë e tjera premtimet elektorale të Vetëvendosjes dhe është përpjekur të bëjë opozitë me këtë logjikë. Mendoj se edhe AAK në të shumtën e rasteve i është përmbajtur kësaj vije”, shtoi tutje ai.

Bytyçi ka theksuar po ashtu se qeveria duhet të vihet përballë analizave të zbatimit të premtimeve që i japin. Për qeverinë Kurti, thotë se po mban qëndrim serioz ndaj dialogut, po i përmbahet programit elektoral, madje goditi edhe disa koncesione dhe monopole.

“Mendoj se është mirë që qeveria, cilado qoftë ajo, të vihet përballë analizave për zbatimin e premtimeve që jep. Por dua të them se qeveria Kurti deri tani nuk ka rrëshqit nga këto premtime. Perceptimi im është se ai në përgjithësi po i përmbahet programit elektoral dhe se ky program po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e qeverisjes së tij. Ai goditi disa koncensione dhe monopole, por duhet t’i shkojë deri në fund kësaj. Kurti po mban qëndrim serioz dhe në pajtim me premtimet elektorale sa i përket dialogut, duke këmbëngulur që të realizohet njohja e më pas të flitet për marrëveshje dypalëshe me Serbinë. Nuk shoh ndonjë hendek të madh midis asaj që ai ka premtuar dhe asaj që po realizon në praktikë. I duhet të bëjë reforma, por reformat duan më shumë se 100 ditë për t’u parapërgatit. Besoj se do t’i bëjë dhe këto reforma si në drejtësi, arsim, shëndetësi etj”, ka përfunduar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat