Padia ndaj Serbisë, Kosova duhet t`i përkrahë Osmanin dhe Kurtin

Politika

Padia ndaj Serbisë, Kosova duhet t`i përkrahë Osmanin dhe Kurtin

Nga: A.M. Më: 22 qershor 2021 Në ora: 23:06
Albin Kurti, Vjosa Osmani

Shteti i Kosovës ka paralajmëruar padi ndaj Serbisë, për spastrim etnik dhe gjenocid në popullatën shqiptare gjatë kohës së luftës.

Këtë e ka konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

"Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit tek ne dhe kjo e meriton një padi dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që kanë plagët e hapura dhe qe besa edhe ndaj ardhmërisë sonë, që kërkon një shtet demokratik, një shtet të drejtë në të cilin dihet qartë se kush është agresori e kush është viktima”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Ndërkaq, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për këtë padi ndaj Serbisë.

Osmani këtë temë e ka përmendur edhe gjatë Samitit të presidentëve të rajonit në Brdo-Brijun, ku ishte i pranishëm edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç.

Profesori Milazim Maraj në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Kosova duhet të përkrah Osmanin dhe Kurtin, ndërkaq, ka sugjeruar që sa më shpejt të përgatitet padia kundër Serbisë.

“Kosova duhet të përkrah Presidenten dhe Kryeministrin vet, në refuzimin e projekteve serbe në shtetin e pavarur të Kosovës. Sa më shpejt të përgatitet padia kundër këtij shteti kriminel. Serbia nuk heq dorë nga krimi dhe projektet kriminale pa u dënuar. Ajo më këtë udhëheqje përkrah dhe lavdëron kriminelet serb për krimet e bëra ndaj njerëzimit.  Pajtimi mund të vije vetëm pas dënimit të Serbisë dhe kërkim faljes ndaj Kosovës”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Në fund, Maraj ka treguar se si e sheh Serbia Kosovën, dhe ka treguar se çfarë duhet të bëjë shteti ynë.

“Kosova nuk ka çka të fal, më shumë, negociata mund të bëhen për kufijtë e Dardanisë jo për kufijtë e Kosovës. Serbia është një thes i përberë nga copat e tokave të fqinjëve. Serbia Kosovën e sheh vetëm si viktimë dhe jo si shtet fqinjë.  Në këtë raport bisedimet janë humbje kohe dhe shpenzime të kota. Të forcojmë shtetin tonë, të luftojmë korrupsioni dhe krimin, të konfiskohen pasuritë më origjinë të kundërligjshme. Të përgatisim forcat e armatosura të Kosovës. Të ruajmë miqësinë e përjetshme më SHBA dhe shtetet tjera mike. Pas dënimit Serbia dinë të qetësohet dhe të jetë shumë bashkëpunuese dhe demokratike”, ka përfunduar Maraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat